Kronika

Nënë Tereza – Dita Kombëtare e shenjtores së të varfërve

13 vjet më parë, në vitin 2003, Papa Gjon Pali II lumturoi Nënë Terezën e Kalkutës, proces që u finalizua me shenjtërimin e saj nga Vatikani në 4 shtator 2016.

Nënë Tereza e Kalkutës, e cilësuar shenjtorja e të varfërve, themeloi “Misionarët e Bamirësisë” në vitin 1950 dhe u bë e njohur në mbarë botën për punën e saj, duke përfshirë edhe marrjen e çmimit Nobel të Paqes në vitin 1979.

Një nga figurat më ikonike të shekullit XX, Agnes Gonxhe Bojaxhiu, me prejardhje shqiptare lindi në vitin 1910, në Shkup, Maqedoni. “Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një murgeshë katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”, janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, që jetën e saj ia përkushtoi të varfërve.

Nishani uron Ditën Kombëtare të Nënë Terezës

Me anë të një mesazhi të bërë publik, Kreu i Shtetit shqiptar, Bujar Nishani u uroi të gjithë bashkëkombasve kudo ku jetojnë, punojnë e studiojnë Ditën Kombëtare të Nënë Terezës, tashmë të shpallur nga Kisha Katolike e të njohur botërisht si “Shën Tereza e Kalkutës”.

“Dita e sotme për ne shënon një kremtim sa të rrallë, aq edhe të papërsëritshëm: Ditën Kombëtare të Nënë Terezës, e cila plot trembëdhjetë vjet më parë, në sajë të kontributeve dhe veprave të saj mrekullibërëse të bamirësisë ndaj të varfërve, të sëmurve dhe njerëzve në nevojë në mbarë rruzullin, u lumturua dhe u quajt ‘Tereza e Bekuar e Kalkutës’ nga Papa Gjon Pali II”, shkruan Nishani.

Ne, vijon presidenti, jemi me plot të drejtë kombi i Nënës Terezës, që ka kapërcyer e lënë pas përgjithmonë absurdin e dikurshëm të të qenit i vetmi vend ateist i shpallur nga diktatura komuniste.

Data e sotme, sipas tij , është shembulli më domethënës i dashurisë pa kurrfarë kushti njerëzor e i respektit ndaj tjetrit që është ndryshe e në nevojë, simbolizon më së miri bashkëjetesën dhe harmoninë e pashembullt fetare që kombi shqiptar ka ushqyer, praktikuar dhe përsosur ndër shekuj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button