Ekonomia

Formalizohen 30 mijë fermerë, zbardhen pesë problematikat e procesit

Në periudhën 2014-2015, rreth 30 mijë fermerë janë pajisur me NIPT, si pjesë e aksionit për formalizimin e ekonomisë, por Këshilli i Investimeve, në një studim të posaçëm për ecurinë e këtij procesi, ka gjetur disa problematika.

Studimi tregon se numri i fermerëve të regjistruar deri në prill 2016 është 29,919. Sipas raportimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve ka pasur një dinamikë në rritje të blerjeve me NIPT fermeri, që është në linjë me rritjen e numrit të regjistrimeve.

Megjithatë Këshilli i Investimeve shprehet se është e vështirë për të gjykuar mbi efektivitetin e skemës në raportimet e blerjeve, duke qenë se periudha kohore është shumë e limituar në 18 muaj dhe të dhënat janë edhe nën ndikimin e sezonalitetit të prodhimit në bujqësi.

Nga momenti i aplikimit të skemës deri më tani, sipas DPT, vlera e kompensimit të TVSH-së llogaritet në rreth 627 milionë lekë. Por disa shqetësime e rrethojnë procesin, analizon Këshilli i Investimeve.

Së pari, informacioni dhe ndërgjegjësim i pamjaftueshëm i fermerëve mbi regjistrimin me NIPT – redukton mundësitë për efektivitetin e skemës. Fushata e nisur në fund të vitit 2014, për regjistrimin dhe pajisjen e fermerëve me NIPT, u shoqërua me një numër të lartë regjistrimesh në fund të 2014-s dhe muajt e parë të 2015-s.

Nga intervistat me vetë fermerët, regjistrimi me NIPT deri më sot, mund të thuhet se ka ardhur kryesisht si pasojë e “presionit” dhe rolit të grumbulluesit dhe përpunuesit. Shumica e fermerëve të kontaktuar e pranojnë se nuk kanë marrë këshillim mbi mënyrën e funksionimit të skemës së kompensimit dhe mbi kërkesat procedurale të regjistrimit për qëllime të kësaj skeme apo të pajisjes me NIPT.

Së dyti, ndonëse udhëzimi është i qartë, ende ka konfuzion mbi regjistrimin me NIPT. Në kushtet aktuale fermeri ka në dispozicion kartën e identitetit (si çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë), kartën e fermerit, si dhe NIPT-in duke krijuar konfuzion te fermeri mbi qëllimin e secilit prej tyre. Ashtu sikurse raportohet nga grumbulluesit e produkteve (të cilët përgatisin autofaturat) autofaturat përgatiten si në adresë të mbajtësit të numrit të NIPT-it, po ashtu edhe në adresë të mbajtësit të kartës së fermerit, apo zotëruesit të kartës së identitetit. Nga një grumbullues perimesh mësohet se ai grumbullon produkte nga rreth 120 fermerë të cilët janë të pajisur me NIPT, si dhe nga rreth 500 fermerë, të cilët nuk janë të pajisur me NIPT, por duke pasqyruar numrin e kartës së tyre të identitetit.

Së treti, pavarësisht se Udhëzimi Nr.19 parashikon procedura të thjeshta administrative mbi mënyrën e funksionimit dhe zbatimit të skemës së kompensimit, konstatohet se edhe disa nga grumbulluesit, përpunuesit dhe tregtuesit kanë informacion të mangët lidhur me disa aspekte procedurale, të cilat janë të domosdoshme për funksionimin e skemës dhe për zbatimin e saj në praktikë.

Së katërti, mbetet shqetësim për të dyja palët (si fermerë dhe grumbullues, përpunues, tregtues), vlera e ulët prej 30,000 lekësh si tavan për lejimin e këtyre transaksioneve për efekt të zbatimit të skemës së kompensimit. Kjo lidhet kryesisht me nivelin e aksesit të kufizuar në shërbimet bankare për të dyja palët që ushtrojnë veprimtarinë e tyre ekonomike në zona të vështira rurale, ndërsa marrja e këtyre shërbimeve, pranë qendrave të qyteteve, është me kosto të lartë.

Së pesti, sipas grumbulluesve, veçanërisht në zonat tradicionale bujqësore (Lushnjë dhe Fier) vihet re fenomeni i tregjeve informale të shumicës, ku vetë fermerët, në kërkim të një çmimi më të lartë për prodhimet e tyre bujqësore, shesin pa asnjë lloj dokumentacioni duke mos i dërguar prodhimet e tyre pranë pikave të licencuara të grumbullimit. Referuar anketës së FIAA dhe Unionit Shqiptar Kursim – Kredit në 2014, rreth 50% e fermerëve e shesin direkt produktin në tregje ose në rrugë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button