Opinion

Fjalë imzot, fjalë për bashkimin e demokratëve

Nga PETRO DHIMITRI

Këto kohë në disa transmetime televizive si edhe në shtypin e shkruar, qoftë online, deputetë të Partisë Demokratike, gazetarë, juristë dhe moderatorë kanë diskutuar për ribashkimin e PD-së së përçarë keqas. Të gjithë demokratët e thjeshtë dhe të ndershëm kërkojnë të kenë një parti të fortë, të organizuar më së miri ,që mund të vijë  sërish në pushtet. Madje edhe nëpër kafene ky ribashkim është një temë e zakonshme.

       Ama tjetër gjë janë dëshirat, qoftë të mijëra njerëzve ,dhe tjetër është mundësia reale për këtë ribashkim. Ta shikojmë problemin thjeshtë që nga  çasti që nisi përçarja e kësaj partie. Në ç’rrethana ndodhi ajo?
Pasi SHBA-ja e më vonë  Britania e Madhe e shpallën Sali Berishën NONO GRATA, ky njeri nuk heshti, nuk u tërhoq nga politika për të gëzuar të mirat që pati nga ajo, po nisi revanshin e tij për mbijetesë politike. ”Zgjimi” i tij arriti pikën kulmore kur SHBA ia thanë hapur kryetarit të kësaj partie, zotit Lulzim Basha ta përjashtonte doktorin nga grupi parlamentar. Në të kundërt ,SHBA do të ndërpriste lidhjet dhe bashkëpunimin me PD-në. Basha, me dhimbje, vendosi të përjashtonte nga radhët e deputetëve të PD-së deri sa të zgjidhte problemin vetjak që kishte me Washingtonin. Nga ai çast Sali Berisha nisi të organizonte nëpër qytetet e Shqipërisë foltoren e tij kundër SHBA-së  dhe sekretarit të Shtetit Anthony Blinken. Më pas krijoi Rithemelimin për të qenë sërish zyrtarisht kryetar i PD-se, duke e shfaqur hapur edhe dëshirën e tij për t’u bërë Kryeministër për të tretën herë?!. Madje moshë mbi 80 vjeç?! Në këtë mënyrë PD-ja u nda më dysh, për të mos thënë edhe më tresh. Një pjesë ishte proamerikane, tjetra kundër. Filloi një fushatë akuzash e shpifjesh midis dy grupimeve, një armiqësi brutale  me lloj lloj sharjesh e fyerjesh. Flamurtari i ndershmërisë na ishte Berisha, ndërsa Basha një flirtues me Edi Ramën, etj, etj. Ec e besoi ato shpifje midis njerëzve që mbi 10 vjet ishin  si  një trup i vetëm?!
         Lind natyrshëm pyetja se si mund të ribashkohen këto grupe me qasje kaq të përkundërta, madje dhe armiqësore midis syresh?!
Lulzim Basha edhe nja dy ditë përpara ,në një kuvend i thënçin ,me një grusht njerëzish të mbledhur dhe ulur nëpër karrige, tha se ata janë për bashkëpunimin e ngushtë me SHBA-në dhe Perëndimin. Nuk nguroi të villte vrer kundër qeverisë, si dhe të shpallte objektivat e tij për të ardhmen. Po këto ditë, deputeti Kulluri, sekretar i PD-së zyrtare, u bëri thirrje krerëve të Rithemelimit të përjashtonin Sali Berishën që të mund të arrihet ribashkimi i tyre.
           Një fjalë goje: Përjashtoni Sali Berishën?! Kush ta përjashtojë, ata që e kanë idhull, ata që arrestimin e tij e quajnë hakmarrje politike e Edi Ramës, ata që mblidhen përditë poshtë te pallati ku Berisha përsërit fjalimet stampë kundër qeverisë, kundër Ramës, kundër Bashës si shërbëtor i të gjatit?! Ata që SPAK-un ,që krijuan dhe e drejtojnë amerikanët, e quajnë institucion në vartësi të Ramës?! Nuk ka shanse të ngjasë kjo.
           Nga ana tjetër dhe idhtarët e Rithemelimit përmes Salianit dhe Nokës me shokë nuk është se janë kundër ribashkimit, po ata, duke menduar se si numër kanë më shumë deputetë, kërkojnë të bëjnë ligjin në këtë ribashkim. Duan që edhe PD zyrtare të jetë kundër Washingtonit, Londrës dhe Perëndimit. Duan t’u bashkohen akteve vandale për bllokimin e punimeve të Parlamentit si dhe mitingjeve të mosbindjes civile kundër, sipas tyre, kësaj qeverie diktatoriale, kundër hajdutëve me çizme, kundër Ramës si personifikim i së keqes ekstreme të kësaj toke.
            Shumë njerëz ,duke parë se ndaj qeverisë aktuale të dy grupimet kanë pothuaj 100 përqind të njëjtin qëndrim, kujtojnë se ky motiv ka për të qenë faktori kryesor i ribashkimit të tyre. Më duket një shpresë e humbur për faktin se për secilin grup pika kyçe dhe më e rëndësishmja për bashkim është qendrimi ndaj SHBA-së dhe ndaj Berishës. Kur njëra palë është pro dhe tjetra kundër, ai bashkim mbetet vetëm një dëshirë UTOPIKE.
             Që Rithemelimi ka më shumë deputetë nga PD-ja zyrtare, ky është fakt. Nuk kemi të dhëna nga ndonjë anketim për këtë ”enigmë” që të dimë përafërsisht më saktë se sa janë demokratët e thjeshtë që mbështesin qëndrimin pro-amerikano-perëndimor dhe sa janë ata anëtarë që mbështesin Rithemelimin pro Berishës dhe kundër SHBA-ve. Nuk dyshoj se shumica e anëtarësisë së PD-së kanë për të qenë për grupimin e Bashës,  PD-së zyrtare që është në pozita shumë të drejta  pro shqiptare. Berisha me idhtarët e tij i çojnë demokratët në izolim total nga SHBA dhe Perëndimi. Kjo është e qartë si drita e diellit. Mendoj se nuk ka shqiptar me mënd në kokë të dojë prishjen e marrëdhënieve me shtetin më proshqiptar të Botës.  Nuk besoj se demokratët e thjeshtë  duan t’i bien të mirës me shkelm siç i ra Berisha në rrugëtimin e tij të fantaksur kundër Washingtonit. Ai harroi shumë shpejt se ishin amerikanët ata që e mbështetën për të ardhur në pushtet, ishin ata që menduan  gabimisht se ky njeri ishte ndarë njëherë e përgjithmonë nga urrejtja  e komunistëve kundër SHBA-së dhe demokracisë.
          Nga përçarja keqas e demokratëve, përfiton vetëm e majta në pushtet me Edi Ramën. Një opozitë me grupime armiqësore brenda vetes do t’ia lehtësonte shumë fushatën për zgjedhjet e vitit 2025 Partisë Socialiste. A kishte për të qenë kjo në të mirë të Shqipërisë. Në asnjë mënyrë jo. Sa më e dobët të jetë opozita aq më tepër fuqizohet partia në pushtet dhe rritet despotizmi i saj duke u bërë gjithnjë e më shumë më pak tolerante. Kur populli shikon që, edhe pse ka vërejtje për qeverinë e ”përbindshit” Rama, për korrupsionin e disa ministrave , kur ka bindjen se opozita është shumë më keq: ajo rrezikon ta izolojë Shqipërinë nga aleatët Perëndimorë, patjetër që votën  ka për t’ia dhënë të majtëve. Populli si nuhatës i mprehtë nuk dëshiron nga shiu të bjerë në breshër ose dhe më keq akoma në tsunam.
         Për të gjitha sa thamë grupi i Rithemelimit është duke u përpjekur ta dëmtojë rëndë Shqipërinë. Pse? Nuk duan të pranojnë se NON GRATA i tyre, për shkeljet që ka bërë, meriton të gjykohet. I tremben gjykimit, edhe pse faktet e disa dosjeve kundër tij janë uluritëse.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button