Ekonomia

Ministrja Ekonomi: 97 milion lek mbështetje biznesit vetëm për vitin 2016

Qeveria Shqiptare në mbështetje të biznesit ka vënë në dispozicion një buxhet prej 97 milion lekësh për vitin 2016, prej të cilave 28 milion lekë i janë dedikuar konkurrueshmërisë. Nga shtatori i vitit 2014 deri në shtator 2016 kanë aplikuar 136 sipërmarrje. Nga këto 68 ndërmarrje janë përfituese të “Fondit të Konkurushmërisë”.

Kompania Giostre në Shkozet të Durrësit është një prej përfituesve të Fondit të Konkurrueshmërisë, me një shumë prej 1,4 milion lekë për konsulencë dhe certifikim të standardeve  ISO 9001:2008 dhe ISO 14001:2004.

Kjo kompani prodhon artikuj të ndryshëm në vetrorezinë për varka turistike, aksesorë industrialë, aksesorë për mbulimin e çative, pjesë për kënde lojrash etj, të gjitha këto me porosi nga subjekte të ndryshme në Itali.

Giostre është njëra prej 148 kompanive që operojnë në sektorin e industrisë së plastikës, një sektor i cili ka gjeneruar vitet e fundit punësim si dhe ka patur një rritje të vazhdueshme për sa i përket eksportit.  

Paraditen e 9 Shtatorit, Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi, vizitoi kompaninë Giostre për të  parë nga afër se sa e vlefshme ishte kjo mbështetje dhënë këtij biznesi, i cili tashmë ka mundësinë e eksportit.

“Ne, tha ministrja Ekonomi, kemi mbështetur 68 kompani që nga viti 2014, të cilat kanë përfituar gjithsej 64 milionë lekë nga fondi i konkrrueshmërisë, prej të cilave vetëm në vitin 2016 ndërmarrjet kanë përfituar 20 milionë lekë. Mbështetja do të vazhdojë, biznesi shqiptar ka nevojë që të rrisë cilësinë e tij për të qenë konkurrues në tregun vendas dhe perëndimor. Buxheti prej 28 milion lekësh në vit edhe për periudhën 2017-2019 do të vazhdojë të jetë në dispozicion të sipërmarrjes shqiptare”.

Ministrja Ekonomi theksoi se këto fonde janë duke dhënë frytet e veta të drejtëpërdrejta në sipërmarrje.

“Në fillim subjekti nisi të funksionojë si një subjekt që mori eksperiencë nga vendi fqinj, Italia, pastaj u regjistrua si subjekt i pavarur dhe për të qenë një subjekt konkurrues në tregun perëndimor ai u ndihmua nga fondet e AIDA, për të përfituar disa certifikata ISO, që kanë të bëjnë me menaxhimin dhe me cilësinë e produktit. Sot ky subjek,t jo vetëm që prodhon vetë, jo vetëm që trajnon edhe punëtorët për të bërë forma të reja të lodrave që përdoren në këndet e lojërave, por po bën dhe produkte të tjera që i shërbejnë tregut italian. Ai përdor me sukses edhe materiale lëndë e parë si plastik dhe vetrorezinës” tha Ekonomi.

Ndërsa Blerta Lefteri, sipërmarrësja e kompanisë Giostre, shpjegoi se çfarë arriti nga përfitimi prej Fondit të Konkurrueshmërisë.

“Mbështetja që ne gjetëm te AIDA ishte vendimtare për vazhdimin e punës sonë, për ta kaluar stadin e një ndërmarrjeje të vogël në fillimet e veta dhe për të pasur një hov më të madh ne na u desh të shtonin numrin e klientëve. Një klient tjetër i rëndësishëm kishte si kusht kryesor pasjen e këtyre certifikatave dhe pullave të certifikimit për produktet e veta, sepse janë produkte që shpërndahen në gjithë komunitetin europian dhe duhet të kenë disa kushte të caktuara, të cilat mund t’i certifikonim vetëm falë mbështetjes së AIDA. Puna ka filluar me shtatë punonjës, vazhduam në një moment të dytë më 12. Tani që na u besua kjo kontratë e re kam arritur në 30 dhe po kërkojmë akoma punëtorë, duhet patjetër të arrijmë deri tek 50 punëtorë” u shpreh znj. Lefteri.  

Në Shkozet të Durrësit, ministrja Ekonomi vizitoi edhe kompaninë M.C.P. Sh.p.k. e themeluar nëfund të vitit 2013, me objekt aktiviteti prodhime të artikujve të ndryshëm me material plastik (vetrorezinë).

Kjo kompani ka punësuar 120 persona vendas si dhe 4 specialistë të huaj. Ministrja Ekonomi pa nga afër procesin e prodhimit ku binte në sy sektori i prodhimit të sedilieve për makinat e garave  me mbishkrimin “Made in Albania” të cilat shiten në tregjet botërore. 

Aktualisht ndërmarrja shfrytëzon disa kapanonë me qira në zonën industriale të Shkozetit dhe është në përfundim të ndërtimit të ambienteve të veta me një sipërfaqe të përgjithshme prej 16.000 m2 nga të cilat rreth 7.000 m2 të mbuluara, në zonën e fshatit Vrrin.

Fondi i Konkurrueshmërisë  ka si qëllim  zhvillimin e  ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme  në Shqipëri, duke krijuar një mjedis të favorshëm për aktivitete më të qëndrueshme ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e konkurrueshmërisë dhe orientimin drejt eksportit. 

Përfituesit e këtij fondi përzgjidhen kompani që ushtrojnë aktivitetin në sektorët e agro-përpunimit, plastike, fason, përpunim druri dhe letre, përfshi edhe industrinë e peshkut. Skema e ndarjes së kostove ështe 70:30% . Kjo nënkupton që 70% e kostos totale të projektit mbulohet me fondin e AIDA-s dhe 30% financohet nga përfituesi i grantit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button