Politika

Rama nderohet me Urdhrin Akademik të Minervës nga Universiteti “Gabriele D’Annunzio”

Kryeministri Edi Rama u nderua sot me “Urdhrin e Minervës” për kontributin e tij ndaj shtetit italian gjatë pandemisë së COVID-19, nga një prej universiteteve më prestigjioze, “Gabriele d’Annunzio”, në Pescara të Italisë, pas miratimit unanim të senatit akademik të këtij ateneu.

Urdhri Akademik i Minervës është krijuar nga Universiteti “Gabriele d’Annunzio” në vitin 1986 me propozimin e rektorit të asaj kohe, profesor Uberto Crescenti, me qëllim që t’i atribuohej njohja akademike studiuesve dhe personaliteteve nga bota e kulturës, ekonomisë dhe shkencave. Dekorimi i urdhrit përbëhet nga një medalje ari dhe nderimet bëhen nga rektori gjatë një ceremonie akademike.

Këtë vit, gjatë inaugurimit të vitit akademik, rektori Sergio Caputi propozoi kryeministrin Edi Rama për kontributin e tij ndaj shtetit italian gjatë pandemisë së COVID-19. Çmimi i është dhënë autoriteteve më të njohura në nivel botëror si Papa Ratzinger, Piero Angela, Sergio Marchione, Bruno Vespa, etj.

Ky titull nderi iu dorëzua Kryeministrit Rama në një ceremoni të organizuar enkas, në mjediset e këtij Universiteti nga rektori Sergio Caputi, i cili shprehu mirënjohjen e thellë për solidaritetin konkret të treguar ndaj Italisë, në atë periudhë tejet të vështirë të pandemisë së COVID-19.

Ceremonia u hap me himnin kombëtar të Shqipërisë dhe atë të Italisë.

Për të pranishmit në sallë, u sollën fillimisht në vëmendje përmes një videoregjistrimi momente nga përcjellja e 30 mjekëve dhe infermierëve shqiptarë drejt Italisë, për t’i ardhur në ndihmë në periudhën e pandemisë së COVID-19. “Edhe vendet e pasura u kanë kthyer kurrizin të tjerëve, por mbase ngaqë nuk jemi të pasur dhe nuk na ka lënë kujtesa nuk mund të lejojmë që të mos i tregojmë Italisë që ne nuk e braktisim mikun në vështirësi”, shprehej kryeministri Rama në atë kohë.

Duke marrë fjalën në ceremoninë e organizuar, kryeministri u ndal te përjetimet që ndjeu kur u informua se do të bëhej pjesë e Urdhrit Akademik të Minervës.

“Po e çel fjalën time me një parantezë, asnjëherë nuk është një ide e mirë të ftosh një ballkanas dhe t’i kufizosh kohën për të folur. Gjithsesi, do të përpiqem të mos jem i mërzitshëm edhe pse jam tejet i emocionuar dhe besoj se zëri im e tregon shumë më shumë se sa fjalët e mia. E mora ftesën për të marrë pjesë në këtë seancë të vitit akademik pranë Universitetit famëmadh ‘Gabriele d’Annunzio’ të Chieti-t, Pescara, me kënaqësi të madhe, por dua t’ju rrëfej, jo pa njëfarë droje e gati pasiguri. Ndrojtja më kaploi kur m’u bë me dije se do të merrja këtë Urdhër akademik të Minervës, Mbretëresha e Mençurisë dhe Mbrojtësja e Dijes. Mençuria është një cilësi, që, siç e dini, jo gjithmonë karakterizon atë që merret me politikë, madje do të thosha ndodh e kundërta. Për të përdorur një eufemizëm këtu, pasi faktikisht nuk e karakterizon asnjëherë”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se “ndonëse dikur pjesë e një ateneu universitar, si profesor i arteve të bukura, prej kohësh tashmë e kam braktisur urdhrin kalorsiak të akademikëve dhe, mendoni pak, jam i vetmi anëtar i qeverisë që nuk zotëroj një titull akademik të lartë”.

“Ndaj nuk kam ëndërruar kurrë, as në të shkuarën time si artist, por as në të tashmen time si politikan, “të takoja” personalisht Minervën, e, megjithatë duket sikur ka qenë vetë Minerva që më ka kërkuar e më solli në Chieti për të marrë këtë titull nderi që më është akorduar me një motivacion konkret, në shenjë mirënjohjeje për atë çka Shqipëria ka bërë gjatë periudhës së emergjencës COVID në Itali, me dërgimin e mjekëve dhe të personelit ndihmës dhe të infermierëve në vendin tuaj”, tha ai.

Kryeministri theksoi se ky ishte një gjest instiktiv, njerëzor, i thjeshtë.

“Për të thënë të drejtën nuk jam fort i bindur nëse vendimi i qeverisë shqiptare kishte të bënte me dijen apo me mençurinë, do të thoja se, më tepër, ka qenë një gjest instiktiv, njerëzor, i thjeshtë, një instikt moral i ngjashëm me atë që frymëzon betimin modern të Hipokratit, duke vëne mjekët dhe mjekësinë në shërbim te jetës dhe të shëndetit pa u ndalur asnjëherë përballë faktit nëse ishin jetë të këtej apo të përtej kufijve shtetërorë, të këtej apo përtej Adriatikut. Ishte një ndihmë simbolike, padyshim e pamjaftueshme për të ndryshuar fatet e luftës së egër me armikun e padukshëm, por thelbësor si një gjest dashurie dhe solidariteti, për t’i treguar Italisë se ne ishim aty, me mendje e me atë çka mund të ofronim duke e ditur, apo duke besuar se Italia do të kishte bërë të njëjtën gjë siç edhe, në periudha të tjera, e ka bërë”, tha ai.

Rama vlerësoi se “historiku i marrëdhënieve mes Italisë dhe Shqipërisë është i hershëm, por edhe i ndërlikuar, me rrënjë të thella, ku historia jo gjithmonë ka qenë bujare me popujt tanë e, megjithatë, pavarësisht ngjarjeve ndonjëherë të dhimbshme, një histori e shënuar nga gjeste të rëndësishme dashurie dhe solidariteti të ndërsjellë”.

“Një histori ku, duke përmendur të madhin, legjendarin Mogol, një tjetër personazh që është nderuar me Urdhrin e Minervës, në një këngë e Lucio Battisti-t, sigurisht, që të gjithë bashkëkombësit e mi, të brezit tim e jo këta të brezit të Tik-Tok-ut, e njohin: “La veste dei fantasmi del passato cadendo lascia il quadro immacolato”. Virgjili tregon se si Butrinti, një qytet antik në Jug të Shqipërisë, ishte një nga qytetet e para që strehoi një emigrant e refugjat lufte, Enea-n, i cili duke mbajtur me vete një statujë të vogël të Minervës do të themelonte më pas Romën”, tha ai.

Rama tha se: “Pas më shumë se 2 mijë vitesh ishin qytetet e Jugut të Italisë, Bari, Brindisi, Lecce, Otranto, të cilat mirëpritën një dyndje pothuajse biblike, të emigrantëve shqiptarë të cilët i largoheshin një lufte të re, asaj kundër varfërisë dhe mjerimit. Nuk mbartnin me vete statujën e Minervës dhe as pretendonin të themelonin qytete, por mbartnin me vete shpresë dhe besim në tolerancën dhe në dhembshurinë që, falë Zotit, falë zemrës së italianëve dhe italianeve, gjetën këtu në Itali”.

Kryeministri theksoi se ajo çka Shqipëria ka bërë gjatë emergjencës së pandemisë ishte shumë pak krahasuar me atë çka i detyrohej, por shumë për atë çka mundte realisht.

“E ka bërë pa pritur lavde e pa lypur mirënjohje. E ka bërë në një shkallë më të vogël por krejtësisht identike me atë të bijës së saj, e Shenjta Nënë Tereza, kishte bërë për njerëzimin në shkallë universale për dekada të tëra. Dërgoi, përmes një grupi të vogël mjekësh dhe infermierësh, “misionari della carita” të një shpirti jo bamirës, por mbështetje vëllazërore. Një moment historik ky që në tregoi më pas, se pikërisht kur nevojitet të japësh më shumë, solidariteti vihet në sprovë”, tha ai.

Rama tha se “e bëmë për të treguar gjithashtu se egoizmi mes shteteve dhe pse merret i mirëqenë nuk është një domosdoshmëri, pasi Europa ndërtohet me fakte dhe jo me kompromise dhe formula abstrakte. Me fakte nënkuptoj gjeste altruizmi të përditshme”.

“‘Për vite jetojmë krah një qenie njerëzore pa e parë atë’, shkruante Gabriele d’Annunzio, pajtori i këtij Universiteti. ‘Një ditë…, – vijon thënia e tij, ja ku ngre sytë dhe e sheh. Në një çast, nuk dihet pse dhe se si, diçka thyhet, një digë mes dy ujërave dhe dy fate trazohen mes tyre e rrjedhin’. Kjo është ajo çka Shqipëria ka bërë gjatë emergjencës. Nuk i uli sytë, edhe kur të tjerët e bënë këtë. Vende evropiane, më të pasura e me më shumë burime, duke zhvendosur shikimin, duke e harruar Italinë dhe duke e lënë vetëm, në zjarr, në fatin e saj. E kishin bërë dhe herë të tjera, gjatë krizës financiare dhe sidomos gjatë emergjencës së emigrantëve. Teksa Italisë iu desh të përballet me prurje të shumta emigrantësh krahasuar me vendet e tjera evropiane. Kur i ashtuquajturi “solidaritet europian” dhe trumbetimi i vlerave të përbashkëta u pa, për fat të keq, se ishin thjesht slogane pa asnjë rëndësi”, tha Rama.

Sipas tij, “fatet e Shqipërisë dhe Italisë përherë janë ndërthurur e rendur në kërkim të asaj që do të përkufizohej si fryma autentike e Europës, një frymë kjo jo e përjashtimit por e kërkimit të një modeli drejtësie dhe të mire të përbashkët, përtej kufijve ndërshtetërorë, ndoshta D’Annunzio nuk do të ishte dakord me këtë, por durim”.

“Shembulli i dhënë nga mjekët dhe infermierët shqiptarë nuk ishte një model mençurie i përllogaritur, sipas Minervës, por thjesht humanizmi. Si ai model humanizmi që Italia e ka dëshmuar kundrejt Shqipërisë, jo vetëm një herë, në momente të tjera të historisë së saj. Shqipëria bëri atë çka do të dëshironte të bënin Shtetet e tjera europiane kur nevoja për ndihmë ka qenë mëse e domosdoshme, por jo gjithmonë ka ndodhur kështu”, tha ai.

Por sipas Kryeministrit, “nuk ishte hera e parë që vendi ynë jepte një shembull solidariteti dhe altruizmi”.

“Shqiptarët e kanë bërë dhe më parë, si për shembull, gjatë Luftës së Dytë Botërore teksa ky vend i vogël me popullsi kryesisht myslimane strehoi me mijëra hebrenj të dëbuar gjithandej, duke u bërë kështu i vetmi vend në Europë ku popullsia me origjinë hebreje ishte rritur në vend që të zvogëlohej në fund të Luftës së Dytë Botërore, sepse asnjë hebre nuk u la në duart e nazistëve. Asnjë! E kemi bërë sërish, edhe pas emergjencës nga pandemia kur NATO u tërhoq nga Afganistani në 2021”, shtoi ai.

Rama kujtoi se “Shqipëria ishte vendi i parë dhe fatkeqësisht një ndër të paktat vende që mirëpriti refugjatë afganë”.

“Njerëz, burra dhe gra, familje, fëmijë që kanë qëndruar me ne, me të gjitha vendet e NATO-s, që kanë besuar tek ne, që janë ekspozuar në emrin tonë dhe me atë tërheqje, të shumtë ishin ata që donin ti linin pas. Për ne kjo nuk ishte e mundur ta pranonim edhe pse nuk ishim ne ata që mund t’i jepnim zgjidhje. Megjithatë unë jam krenar që ndërsa anëtarë të pasur të NATO-s refuzuan t’i prisnin ata njerëz, të cilët u tradhtuan nga frika se do të mund të cenoheshin ekuilibrat zgjedhorë dhe nga frika se nuk do të mund të fitoheshin dhe pak vota më shumë. Shqipëria nuk u tërhoq. Kemi shpëtuar disa mijëra qenie njerëzore”, tha Kryeministri.

Rama u shpreh se “nuk e kemi bërë thjesht për ata, nuk e kemi bërë tërësisht për ju, por e kemi bërë për ne”.

“Për t’u mësuar fëmijëve tanë dhe gjeneratave të ardhshme, europianëve, solidaritetin njerëzor, përtej kufijve, përtej besimit, përtej gjuhës, përtej ngjyrës. Për t’i rritur me atë frymën e altruizmit humanist që krijoi Bashkimin Europian ku aspirojmë të jemi pjesë edhe ne dhe që predikohet përherë nga ky i fundit, ndonëse fatkeqësisht jo gjithmonë praktikohet”, tha ai.

Kryeministri theksoi se “Europa është sot e ndarë nga digat e luftës, nga konfliktet e integrimit dhe nga krizat e institucioneve të saj”.

“Besoj se pikërisht për këtë ka nevojë, për këtë humanizëm të thjeshtë. T’i ngrejë sytë dhe të shohë një qenie njerëzore që vuan, pa i ulur duke menduar për veten e saj. Italia është djepi i humanizmit dhe i Rilindjes dhe unë jam besimplotë se më në fund, në duart e dy grave, njëra në qeveri, nënë e një vajze dhe tjetra në opozitë, bijë e revolucionit “Ylber”, fryma e humanizmit dhe të kulturës së saj që, përherë ka edukuar dhe frymëzuar Shqipërinë, do ta kthejë në frymën e një Rilindje italiane dhe përmes Italisë e cila përherë i ka mësuar Europës në një Rilindje europiane humane”, tha ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button