Ekonomia

Shqipëria marrëveshje me Singaporin për shërbimet ajrore

Shqipëria dhe Singapori kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për shërbimin në transportin ajror, përmes së cilës synohet krijimi i kushteve të përshtatshme, të ndërsjella dhe lehtësuese për operatorët e transportit ajror të të dyja vendeve, si dhe kalimi transit përmes territoreve të tyre me qëllim lëvizjen pa pengesa për shtetasit e të dyja palëve kontraktuese. Marrëveshja e nënshkruar në mars të këtij viti pritet të shqyrtohet në Komisionet Parlamentare të Kuvendit

“Kjo marrëveshje do të ndikojë në krijimin e kushteve të përshtatshme, të ndërsjella dhe lehtësuese për operatorët e transportit ajror të të dyja vendeve, si dhe kalimin transit përmes territoreve të tyre me qëllim lëvizjen pa pengesa për shtetasit e të dyja palëve kontraktuese”, thuhet në relacionin shoqërues të marëveshjes.

Marrëveshja vendos një kuadër rregullash dhe procedurash për funksionimin e shërbimeve, për transportin ndërkombëtar ajror të udhëtarëve, mallrave dhe postës, si dhe përcakton të drejtat e transportuesve të dy palëve në transportin ajror. Marrëveshja, gjithashtu, siguron një zhvillim të koordinuar dhe liberalizimin progresiv të transportit ndërmjet palëve, të mbështetur në nevojat e ndërsjella tregtare dhe kushtet e hyrjes në tregun e transportin ajror.

Në marrëveshje parashikohen rregullat për dhënien e të drejtave në lidhje me shërbimet ajrore ndërkombëtare të planifikuara dhe ndër aspektet thelbësore për operimin janë parashikimet dhe përcaktimet në lidhje me autorizimet e përshtatshme për operim dhe njohja e ndërsjellë e certifikatave dhe licencave.

Në pajtim me të drejtat dhe detyrimet e secilës palë sipas së drejtës ndërkombëtare, nëpërmjet marrëveshjes riafirmohet detyrimi i palëve ndaj njëra-tjetrës për të mbrojtur sigurinë e aviacionit civil ndaj akteve të ndërhyrjeve të paligjshme, në përputhje me konventat ndërkombëtare për këtë qëllim dhe veçanërisht në pajtim me dispozitat e sigurisë së aviacionit që janë vendosur nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil.

Një aspekt i rëndësishëm në parashikimet e kësaj marrëveshjeje është sigurimi i palëve në lidhje me garantimin e zbatueshmërisë së legjislacionit vendas gjatë qëndrimit në territorin përkatës të secilës palë, si dhe rregullat në rastet e lindjes së mosmarrëveshjeve të mundshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button