Ekonomia

“Promovimi, vera shqiptare po gjen rrugën mes atyre europiane”

Trendi në rritje i turistëve që vizituan këtë vit Shqipërinë u reflektua proporcionalisht në një numër më të lartë të vizitorëve në Kantinën "Arbëri"

Interviste me Rigers Kaçorri, Kantina “Arbëri”

 Viti 2023 është ndoshta viti kur vera shqiptare “ka udhëtuar” më shumë në aktivitetet më të mëdha ndërkombëtare dedikuar sektorit. Rigers Kaçorri, nga Kantina Arbëri, vlerëson se promovimi që i është bërë në panaire të ndryshme markës shqiptare ka qenë më dinamik se çdo vit dhe e ka vendosur produktin tonë lokal mes prodhimeve europiane. Kjo formë promovimi, së bashku me rritjen e flukseve turistike, vlerësohen si një ogur i mirë për të ardhmen e sektorit, i cili tashmë po përballet me sfidat e ndryshimeve klimatike, që nga viti në vit po bëhen më të dukshme.

 Si ka qenë viti 2023 për prodhimin e rrushit në vend. A ka qenë ky po aq i mirë sa viti 2022? Cilët janë faktorët që kanë ndikuar?

Referuar të dhënave të INSTAT, në vitin 2022, prodhimi i rrushit në vend u rrit në 211.178 tonë, krahasuar me dy vite më parë që ishte 180 mijë tonë rrush. Në mbi 13 mijë hektarë të mbjella me rrush, rrushi i vreshtave përfaqëson 78% të sipërfaqes dhe rrushi i pjergullave (tavolinës), 22%. Për sa i përket sasisë, mund të them që këtë vit, prodhimi nuk ishte aq i mirë, edhe nëse do ta krahasoja me vitin paraardhës. Arsyeja kryesore mbeten ndryshimet e mëdha të kushteve klimatike, të cilat po e sfidojnë ashpër sektorin e bujqësisë. Ndryshimet e klimës krijuan vështirësi, jo vetëm në rajonin tonë, por edhe në prodhimet bujqësore në Europë. Te faktorët e tjerë që kanë ndikuar prodhimin e rrushit vlen të përmend investimet në teknologjinë bujqësore, politikat bujqësore vendore, si dhe ndryshimet në tregjet ndërkombëtare të produkteve bujqësore.

Si pritet të jetë prodhimi i verës në terma të krahasueshëm me vitin paraardhës (nëse mund të thoni diçka qoftë dhe me përqindje)?

Në krahasim me prodhimin e verës për vitet 2021-2022, duke konsideruar edhe të vjelat, ky vit ka sjellë një ulje prej 20% më pak në prodhim. Në Europë, shifrat janë edhe më të larta sidomos në shtetet ku temperaturat kanë kapur maksimume historike, kanë dëmtuar vreshtarinë, duke e ulur sasinë e prodhimit vjetor me 50%. Për shembull, varieteti i rrushit Pinot Noir rritet në të gjithë botën, kryesisht në klimat më të freskëta. Me rritjen e temperaturave si rezultat i ndryshimit të kushteve klimatike të kombinuara me uljen e reshjeve, parashikohet ulje prodhimi i Pinot Noir në vende si Argjentina, Moldavia, Italia, Sllovenia, Gjeorgjia, Hungaria, Kosova dhe Rumania, deri në 2060. Sipas këtyre projeksioneve, fati i vreshtarisë në gjithë botën do të varet nga mënyra se si do t’u përgjigjen aktorët kryesorë sfidave që tashmë kanë filluar të ndikojnë në sasinë e prodhimit të verës.

Një nga zhvillimet më të rëndësishme të këtij viti ka qenë bumi turistik i Shqipërisë. Si ka ndikuar ky aspekt në një industri si ajo e verës, e cila cilësohet mbështetëse apo e lidhur ngushtë me të? Si është reflektuar në konsum?

Trendi në rritje i turistëve që vizituan këtë vit Shqipërinë u reflektua proporcionalisht në një numër më të lartë të vizitorëve në Kantinën Arbëri. Më vjen mirë që është krijuar një simbiozë ndërmjet turizmit dhe enologjisë, pasi ndihmohen disa sektorë të ekonomisë njëkohësisht. Nëse para një viti, ne flisnim për një numër të përgjithshëm vizitorësh në 2000 gjatë gjithë vitit kalendarik, ky vit solli dyfishim të numrit të turistëve që rezervuan vizita në Kantinën tonë.

Industria e verës ka pasur ndoshta edhe një nga vitet më aktive në promovimit në aspektin ndërkombëtar. Cilat janë disa nga aktivitetet që kanë sjellë ndikime pozitive për sektorin dhe si po ndikon kjo pjesëmarrje te marka shqiptare në tregjet e huaja për konsolidimin e saj?

Ky ka qenë vërtet viti kur sektori i verës në Shqipëri është diskutuar përtej kufirit. Ka disa aktivitete ku prodhuesit shqiptarë po vendosen përkrah prodhuesve të huaj dhe konkurrojnë me produkte të standardit europian. Do të dëshiroja të veçoja një nga aktivitetet më të bukura, por edhe më të largëta si destinacion ku u fol për verën shqiptare. Kantina jonë, së bashku me disa prodhues të tjerë shqiptarë nga industria e përpunimit, u ftuan për të bërë një vizitë në Tokio, Japoni, ku një ditë e plotë iu kushtua prezantimit të sektorit të verës shqiptare dhe degustimit të produkteve tona. Aktivitete të tjera që vlejnë të përmenden janë panairet e Verës si: London Wine Fair, ku për herë të parë, Shqipëria u përfaqësua nga kantina jonë, Merano Wine Festival, si dhe Panairi i zhvilluar së fundi në Serbi, ku patëm një stendë të përbashkët me disa prodhues shqiptarë. Të gjitha këto aktivitete, e rrisin mundësinë e eksportit të verës shiptare në tregun e jashtëm. Për këtë arsye, ne si prodhues i konsiderojmë me interes që jo vetëm të paraqitemi si pjesëmarrës nga Shqipëria, por edhe të gjejmë mundësi bashkëpunimi.

Ndryshimet klimatike po prekin gjerësisht sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe imunitet nuk ka as bujqësia me segmentet e lidhura me të. Si po reflektohen këto ndikime në industrinë tuaj?

Problematikat e identifikuara në vresht janë të ndryshme, por një ndër kryesoret është të pasurit e vreshtave në nivel me detin, ose në zonat fushore, që janë më të predispozuara për t’u ekspozuar kundrejt sëmundjeve të ndryshme dhe më të shpeshta si hiri dhe vrugu – shkaktarët kryesorë për dëmtimin dhe humbjen e prodhimit në vresht. Një mënyrë për ta ruajtur vreshtin nga çdo lloj sëmundje apo ndikimi negativ që vjen nga kushtet klimatike është ta sigurojmë me policë sigurimi, njësoj siç ndodh në praktikat e vendeve të Bashkimit Europian.

Cilat janë masat që mund të merren për të minimizuar ndikimet klimatike? Konkretisht, a shihni ndonjë politikë që mund të jetë efektive, e cila parashikohet në dokumente strategjike?

Në dokumentin e strategjisë kombëtare të miratuar nga Ministria e Bujqësisë për periudhën 2021-2027, propozohen plane ambicioze, ku ndër të tjera janë përcaktuar edhe objektiva për sektorin e bujqësisë, konkretisht vreshtarinë. Në këtë strategji parashikohet nxitja e zgjerimit të sektorit bujqësor me vlerë më të lartë të shtuar dhe kërkesës së tregut. Një mjet për ta nxitur këtë sektor është krijimi dhe zgjerimi i serrave dhe plantacioneve të reja intensive të pemishteve dhe vreshtave. Është propozuar gjithashtu që këto ambicie të ecin paralelisht, me përdorimin e energjisë së rinovueshme dhe aplikimit të praktikave dhe teknikave të prodhimit që përdorin në mënyrë eficiente burime natyrore, të cilat janë miqësore me mjedisin dhe klimën. Për kaq sa parashikohet në strategji, si prodhues pres të shoh si do të zbatohet kjo strategji në praktikë dhe mekanizmat që do përdorë Qeveria Shqiptare. Në opinionin tim, qëndrueshmëria si nocion është bërë një kusht i domosdoshëm për t’u marrë parasysh në sfidat që po hasim që në vreshta, për shkak se vetë toka po ndikohet nga ndryshimet klimatike. Për t’iu përgjigjur kësaj sfide, investimi në teknologji është gjithashtu një ndër masat e domosdoshme për t’u konsideruar, në mënyrë që të përmirësohet prodhueshmëria e tokës dhe të rritet biodiversiteti.

Si e prisni të jetë viti i ardhshëm për sektorin tuaj në aspektin e konsumit dhe ecurisë së përgjithshme, duke pasur parasysh që bumi turistik pritet të vijojë?

 Mbetem optimist që shijet shqiptare do zënë edhe më shumë vend në tregun vendas, por edhe atë të huaj. Fakti që vizitorët e huaj kanë kulturën e njohjes së një vendi edhe nga sektori i prodhimit, është arsye për të pretenduar që do të kemi një ecuri pozitive edhe për rritjen e konsumit të produkteve “Made in Albania”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button