Ekonomia

Projektligji, Komision Apelimi tek financat për bizneset vetëm për çështjet mbi 20 mln lekë

Sipas një projektligji që tashmë është gati, në Ministrinë e Financave do të ngrihet Komisioni për Shqyrtimin e Apelimit Tatimor, në përbërje të të cilit janë 7 (shtatë) anëtarë.

Komisioni do shqyrtojë ankimin administrativ tatimor që ka për objekt ankimi vlerën mbi 20.000.000 lekë (njëzet milion lekë). Ankimet administrative tatimore deri në këtë vlerë janë objekt shqyrtimi dhe vendimmarrje e Drejtorisë së Apelimit Tatimor, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të tatimeve.

Komisioni i Shqyrtimit të Apelimit Tatimor, përbëhet nga shtatë anëtarë përfshirë kryetarin dhe nga sekretariati teknik i KSHAT. Kryetari dhe anëtarët e KSHAT caktohen nga ministri i Financave për një afat 2-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje, jo më shumë se 2 mandate, me propozimin e institucioneve përkatëse sipas kësaj përbërje:  tre përfaqësues nga Ministria e Financave;  dy përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve; drejtori i Drejtorisë së Apelimit Tatimor;  një përfaqësues nga Avokatura e Shtetit. Sekretariati caktohet nga Drejtori i Apelimit rast pas rasti. Në rastet kur konstatohet pamundësia e vijimit të ushtrimit të funksioneve të njërit prej anëtarëve të Komisionit, institucioni që e ka propozuar merr masat për zëvendësimin e tij, brenda një afati prej 7 ditësh kalendarike, që nga momenti i konstatimit të këtij fakti. Anëtari i ri zgjidhet për një afat 2 vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje, sipas kushteve të këtij vendimi.

KSHAT mblidhet me kërkesë të kryetarit ose të paktën të tre anëtarëve të tij, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e depozitimit të ankimit. Data e mbledhjes caktohet nga kryetari dhe u njoftohet anëtarëve të komisionit nëpërmjet sekretariatit, të paktën shtatë ditë pune përpara datës së caktuar për zhvillimin e saj.

Procedurat për shqyrtimin e ankimeve

Drejtori i Drejtorisë së Apelimit brenda tre ditëve nga paraqitja e kërkesës, në rast se detyrimet objekt ankimimi janë mbi shumën e përcaktuar në kreun I,  të këtij vendimi, njofton dhe i përcjell ankimimin administrativ sekretariatit të komisionit të shqyrtimit të apelimit tatimor.

  1. Sekretariati i KSHAT shqyrton kërkesën dhe dokumentacionin shoqërues dhe përgatit së bashku me relatorin një relacion shpjegues për ankimin për Komisionin.
  2. Relacioni përmban në mënyrë të përmbledhur objektin e ankimit, çështjet e paraqitura në ankimim, plotësimin apo jo të kushteve dhe afateve të apelimit dhe shumën totale të detyrimit të ankimuar, pretendimet e apeluesit dhe argumentimet e paraqitura ne aktin e kontrollit për secilën çështje te kundërshtuar.
  3. Relacioni së bashku me praktikën i përcillet komisionit brenda 20 ditëve kalendarike nga data e protokollimit.

Pas përgatitjes së relacionit dhe dokumentacionit që shoqëron ankimimin, sekretariati njofton kryetarin, i cili në bazë të ankimimeve të paraqitura, cakton datën dhe orën e mbledhjes së komisionit.

Sekretariati njofton anëtarët e KSHAT edhe përfaqësuesin/t ligjor të tatimpaguesit që ka paraqitur ankimin ose personin e caktuar prej tij, në përputhje me një nga format e parashikuara në Kodin e Procedurës Administrative, për datën dhe orën e mbledhjes. Konfirmimi i marrjes së njoftimit është detyrues. Barra e provës për të vërtetuar se një vlerësim tatimor ose vendim është i pasaktë ushtrohet në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative.

Komisioni në rast se lind e nevojshme kërkon dokumente shtesë nga tatimpaguesi apo nga administrata tatimore. Komisioni me shkresë zyrtare i drejtohet Drejtorisë Rajonale Tatimore, në të cilën tatimpaguesi është regjistruar, për dokumente të cilat mund të jenë të nevojshme për shqyrtimin e ankimit. Këto dokumente duhet t’i vihen në dispozicion Komisionit brenda 5 ditëve nga marrja e kërkesës.

KSHAT verifikon paraprakisht kushtet formale të ankesës, lidhur me:

  1. a) juridiksionin administrativ dhe kompetencën lëndore të KSHAT-së për marrjen në shqyrtim të ankimit të paraqitur;
  2. b) legjitimimin e ankuesit;
  3. c) respektimin e afateve ligjore për ankimim;

ç) elementet e domosdoshme të ankesës.

Për  çështjen objekt ankimi, Komisioni ka të drejtë të vendosë refuzimin e shqyrtimit të ankimimit në rast të mospërmbushjes së kushteve ligjore të përcaktuara në kapitullin XIII të ligjit “Për procedurat tatimore në RSH” i ndryshuar.

Pasi vendos për marrjen në shqyrtim të ankimit, KSHAT dëgjon relatorin e çështjes dhe/ose  përfaqësuesin e tatimpaguesit nëse ai është paraqitur, shqyrton argumentet dhe faktet dhe merr vendim për ankimin. Nëse Komisioni gjykon se është e nevojshme prania e inspektorëve të kontrollit ose punonjësve të administratës përfaqësues të strukturës që kanë nxjerrë aktin i thërret gjatë seancës së shqyrtimit.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit, dëgjimit të palëve, KSHAT shqyrton çështjen dhe merr vendim duke arsyetuar vendimin. Në rast se një ankim ka disa çështje të apeluara atëherë Komisioni ka të drejtë të marrë vendim për secilën çështje më vete.

Në varësi të problemeve, elementeve shtesë ose kërkesave që identifikohen gjatë mbledhjes për shqyrtimin e ankimit, Komisioni për shqyrtimin e një çështje, përpara se të marrë vendim, ka të drejtë të vendosë të zhvillojë më shumë se një mbledhje.

Komisioni pas shqyrtimit të ankimit, në përfundim ka të drejtë të vendos:

  1. lënien në fuqi të aktit objekt ankimi dhe rrëzimin e ankimit;
  2. shfuqizimin/revokimin e aktit, objekt ankimi;
  3. ndryshimin e aktit objekt ankimi, duke e pranuar pjesërisht ankimin;

Vendimi për shqyrtimin e ankimit administrativ  tatimor merret me shumice votash të KSHAT. Ky vendim zbardhet nga sekretariati i Komisionit  duhet të përfshijë një shpjegim me shkrim për mbështetjen ligjore të vendimit të marrë, duke përfshirë arsyetimin, i cili përmban:

  1. shpjegimin e situatës faktike mbi të cilën është marrë vendimi;
  2. shpjegimin e përmbledhur të rezultatit të shqyrtimit administrativ dhe të vlerësimit të provave;
  3. bazën ligjore të vendimit dhe një shpjegim pse kushtet ligjore për zbatimin e tij plotësohen në këtë rast;

 

  1. Në përputhje me afatet e parashikuara në Ligjin e Procedurave Tatimore për shqyrtimin e ankimit administrativ tatimor, vendimi i nënshkruar nga KSHAT, i dërgohet në rrugë zyrtare tatimpaguesit, drejtorisë rajonale tatimore që ka nxjerrë aktin objekt ankimi dhe për dijeni Drejtorisë së Përgjithshme te Tatimeve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button