Ekonomia

Raporti vjetor i AK-së, Milo: Numri i ankesave u rrit në 2015-ën

Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Milo prezantoi të mërkurën në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave raportin e punës për vitin 2015 si dhe synimet për këtë vit.

Milo u shpreh se në vitin që lamë pas Komisioni i Konkurrencës mori 51 vendime, duke shqyrtuar rastet e marrëveshjeve të ndaluara, abuzimit me pozitën dominuese, kontrollit të përqendrimeve, rekomandimeve për të drejtat ekskluzive dhe projekt-aktet si dhe shqyrtimit të ankesave dhe veprimtarisë procedurale të Autoritetit.

“Për sjelljet anti konkurruese janë marrë 6 vendime për marrëveshje të ndaluar dhe 3 vendime për abuzimin me pozitën detyruese; 1 vendim për masa të përkohshme ndaj një ndërmarrje; 11 vendime mbi kontrollin e përqendrimeve; 11 vendime me rekomandime nga vlerësimet e akteve ligjore të institucioneve të tjera publike dhe enteve rregullatore; 3 vendime mbi miratimin e akteve nënligjore të konkurrencës; 1 vendim për përjashtimin e marrëveshjeve, si dhe 15 vendime për procedurat”, renditi Milo.

Më tej, kryetarja e AK-së evidentoi se edhe numri i ankesave ka pasur rritje në 2015-ën. Sipas saj, numri i ankesave të adresuara pranë AK-së gjatë vitit 2015 është 50 kundrejt 33 ankesave të depozituara gjatë vitit 2014, fakt që siç u shpreh Milo, ka krijuar mundësinë e identifikimit të problematikave në tregje, si dhe tregon rritjen e besimit të biznesit dhe konsumatorit tek institucioni garant i lirisë ekonomike.

Referuar ankesave të ndara sipas sektorëve, Milo tha se rezulton se numri më i madh ka qenë në tregun e komunikimeve elektronike, ku gjatë vitit të kaluar ishin 22 ankesa të operatorëve që operojnë në tregun përkatës kryesisht për çështje të rregullimit nga autoriteti rregullator (AKEP).

Por, theksoi ajo, risi për ankesat vihet re në sektorin e medias audiovizive me pagesë, kryesisht lidhur me detyrimin e operatorëve televizivë për të transmetuar pa pagesë në platformat dixhitale ose kabllorët dhe për këtë arsye, Autoriteti i Konkurrencës ka filluar monitorimin e tregut për të dhënë vendimet përkatëse për hapjen e tregut për konkurrencë dhe heqjen e të drejtave ekskluzive të transmetimit të televizioneve kombëtare dhe lokale për t’i vendosur operatorët në kushtet e “barazisë në treg”.

“Prokurimet publike mbeten shqetësuese në këndvështrim të konkurrencës, problematika e të cilës i referohet prokurimit të shërbimit të rojeve fizike, madhësisë së loteve, si dhe kritereve të veçanta në procedurat e prokurimit”, deklaroi Milo.

Edhe institucionet publike, nënvizoi Milo, kanë kërkuar ndërhyrjen e Autoritetit të Konkurrencës në rastet e dyshuara për kufizim të konkurrencës në treg. “Vlen për t’u përmendur roli proaktiv i Kontrollit të Lartë të Shtetit në rastin e denoncimit të një marrëveshje të mundshme të ndaluar në prokurimin publik të unazës së re të Tiranës, si dhe dy ankesa nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për procedurat e prokurimit publik të shërbimit e-taxation dhe shërbimit të ruajtjes dhe sigurisë fizike”, tha Milo.

Sektori i energjisë elektrike, raportoi kryetarja e AK-së, gjithashtu ka shfaqur probleme në funksionimin e tij dhe përveç një proçedure të thelluar të hetimit për blerjen e energjisë nga OSHEE për mbulimin e humbjeve, ka pasur edhe ankesa kryesisht për diferencimin e faturimit të biznesit mes tensionit të ulët dhe tensionit të mesëm, si dhe çështjet e rregullimit të disbalancave.

Ndërsa tregu i telefonisë ka qenë sërish objekt i procedurave hetimore nga Autoriteti i Konkurrencës, nisur mbi bazën e ankesës së operatorëve më të vegjël të tregut mbi diskriminimin e tarifave dhe ofertave për thirrjet brenda me jashtë tregut. “Pas përfundimit të procedurave hetimore, Komisioni i Konkurrencës vendosi mbi detyrimin e ndërmarrjes me pozitë dominuese Vodafone Albania për zbatimin e masave detyruese
për barazimin e tarifave dhe minutave brenda me jashtë rrjetit dhe që të ndalojë të aplikojë tarifa në nivel pakice që kanë efekt diskriminues për sipërmarrësit e rrjeteve të tjera celulare kombëtare, për të gjitha ofertat e hedhura në treg”, u shpreh ajo.

Më tej, Milo raportoi se nga shqyrtimi dhe vlerësimi i të gjitha kontratave koncesionare, ka rezultuar se përgjithësisht gjatë procedurës për dhënien e koncesioneve vazhdon të mos respektohet detyrimi i nenit 69 të ligjit për të marrë vlerësimin e Autoritetit gjatë procedurës së dhënies së të drejtave ekskluzive. Në këto kushte, Komisioni i Kunkurrencës u detyrua që të shprehet me një vendim për qeverinë mbi detyrimin e
zbatimit të këtij detyrimi ligjor.

Problematikë vazhdon të jetë sistemi gjyqësor që sipas raportit të progresit të KE-së, “vonesat në proceset gjyqësore janë shumë të gjata dhe duhen bërë përpjekje të mëtejshme për të rritur disponueshmërinë dhe cilësinë e trajnimit për gjyqtarët mbi politikën e konkurrencës”.

Për të adresuar këtë problematikë, e cila tha Milo, është shumë jetike për efektet në treg të vendimeve të Komisionit të Konkurrencës, janë ndërmarrë disa nisma për trajnimin e gjyqtarëve duke përdorur fondet e dy projekteve të BE-së gjatë viteve të kaluara si dhe të UNCTAD-it në fund të vitit 2015. Por, problem mbetet vonesa e madhe e shqyrtimit të çështjes, e cila zbeh ndjeshëm ndërhyrjen e Autoritetit të Konkurrencës për
rivendosjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg.

Lidhur me këtë, relatori i raportit vjetor të AK-së, Ervin Bushati paraqiti një sërë rekomandimesh për Autoritetin e Konkurrencës, ku ndër të tjera ai kërkoi më shumë argumente nga Konkurrenca para gjykatës, pasi çështjet e paraqitua në gjykatë bien për shkak të mungesës së argumenteve nga ana e Autoriteti të Konkurrencës.

Sipas raportit të AK-së, në Gjykatën e Shkallës së Parë Administrative, gjatë vitit 2015, janë trajtuar gjithsej 6 vendime të Komisionit të Konkurrencës nga të cilat 2 kanë përfunduar me rrëzim padie dhe 2 të tjera me pushim gjykimi, duke lënë në fuqi vendimet e Autoritetit të Konkurrencës, ndërkohë që 2 çështje kanë përfunduar me pranim padie. Në Gjykatën e Apelit Administrativ gjatë vitit 2015 kanë qenë për shqyrtim 9 çështje, nga të cilat është shqyrtuar vetëm 1 çështje dhe mbeten edhe 8 çështje për t’u shqyrtuar në 2016. Nga ana tjetër, në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë gjatë 2015 kanë qenë 12 çështje për shqyrtim, nga të cilat nuk është shqyrtuar asnjë prej tyre duke mbetur të gjitha për t’u shqyrtuar gjatë vitit 2016, si çështje të mbartura.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button