Ekonomia

Investimet strategjike, cilat janë 18 projektet e qeverisë

Investimet strategjike shihen si një mundësi për të pasur në vendin tonë sipërmarrës të huaj, por dhe për të siguruar një ekonomi të qëndrueshme jo të fokusuar tek tregtia. Në tavolinat e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, gjenden 18 projekte strategjike, që janë në faza të ndryshme. Ministrja Milva Ekonomi, gjatë një takimi me përfaqësues të sipërmarrjes, konsuj nderi, etj., tha se aktualisht dy projekte kanë marrë tashmë nga qeveria statusin e “investimit strategjik”, ndërsa dy të tjera janë në pritje për ta marrë këtë status. Sa u përket 14 projekteve të tjera, ministrja Ekonomi sqaroi se 7 janë në proces dorëzimi dokumentesh, ndërsa 7 të tjera në radhë për t’u shqyrtuar. Ministrja nuk dha detaje në lidhje me këto projekte, por ftoi biznesin që të përfitojë nga lehtësitë që ofrohen përmes këtij kuadri ligjor.

Projektet e këtij viti

Gjatë këtij viti, projektet që fituan statusin ishin: Ndërtimi i një resorti turistik elitar me vila dykatëshe, në Draleo-Bashkia e Himarës, me vlerë investimi 51.5 mln euro dhe që pritet të punësojë rreth 500 veta. Ndërsa i dyti, po në turizëm, në Hamallaj (Gjiri i Lalëzit) ku parashikohet krijimi i një kompleksi turistik rekreativ të standardeve të larta me vlerë 26 milionë euro. Kriteret kryesore për cilësimin e një investimi, në sektorët strategjikë janë dy: interesi publik që mbart një investim, si dhe kriteri financiar. Interesi publik në përzgjedhjen e një investimi strategjik vlerësohet ndër të tjera, sipas vlerës së investimit, kohës së realizimit, produktivitetit dhe vlerës së shtuar të tij, hapjes së vendeve të reja të punës, zhvillimit ekonomik rajonal dhe lokal, ofrimit të teknologjive të reja për rritjen konkurrencën dhe efektivitetit të investimit, mbrojtjes së mjedisit dhe konsumatorit, etj. Kriteri financiar, sipas sektorit strategjik ku realizohet investimi, apo statusit të tij, varion nga një vlerë investimi e barabartë me, ose më e madhe se 1(një) milion euro deri në një vlerë të barabartë me, ose më e madhe se, 50 (pesëdhjetë) milionë euro. Gjithashtu, për investitorët e interesuar të investojnë në sektorë të ndryshëm nga ata të përmendur më lart, kapitali investues i projektit përkatës duhet të jetë i barabartë me, ose më i madh se 100 (njëqind) milionë euro në mënyrë që të konsiderohet investim/investitor strategjik. Nga pikëpamja administrative, investitorët që kanë përfituar statusin Investim/Investitor Strategjik, Procedurë e Asistuar, nëpërmjet Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, e cila shërben si “dritare unike” për të gjitha shërbimet ndaj investitorëve në fjalë. Nëpërmjet agjencisë mund të përfitojnë shërbime dhe lehtësi në 360 gradë, ndër të tjera, në lidhje me kryerjen e veprimeve përgatitore, përgatitjen e dokumenteve dhe aplikimit administrativ me procedurë të përshpejtuar; konsolidimin e tokës; mbështetjen me infrastrukturë ndihmëse, etj. Në rastin e investitorëve që kanë përfituar statusin Investim/Investitor Strategjik, Procedurë e Veçantë, krahas shërbimeve dhe lehtësive të sipërpërmendura, ofrohen edhe shërbime shtesë që kanë të bëjnë me shpronësimin e pasurive të paluajtshme, pronë private, për të mundësuar zhvillimin dhe realizimin e projekteve investuese strategjike, si dhe miratimin, nga ana e Kuvendit, të kontratave përkatëse të investimit strategjik për të rritur sigurinë e marrëdhënies juridike midis investitorit dhe shtetit shqiptar. Gjithashtu, me qëllim realizimin e projekteve që kanë përfituar statusin “Investim/investitor Strategjik, procedurë e asistuar/ e veçantë”, të cilat kanë nevojë të pajisjen me leje, licenca, autorizime apo miratime të ngjashme, Agjencia asiston investitorët strategjikë gjatë këtyre procedurave, duke ndërmjetësuar në marrëdhëniet me organet shtetërore kompetente.

Cilat janë investimet strategjike

-Energjia dhe minierat

-Transporti, telekomunikacioni, infrastruktura dhe mbetjet urbane

-Turizmi

-Bujqësia dhe peshkimi

-Zonat ekonomike

-Zonat me prioritet zhvillimi

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button