Kronika

Grabitja e bankës në Bllok: Prokuroria zbulon skemën

Prokuroria zbulon të gjithë skemën e grabitjes së BKT-së, ngjarje e ndodhur në datat 5 dhe 6 gusht. Dy autorët, pasi ranë në murin e parë të betonit ndërruan ambiente dhe shembën murin e tullës që i çoi pranë kasafortës. Gjurmët e gishtave të Roland Litit, të lëna në bidonin e ujit 1.5 litra, u zbuluan nga laboratori kriminalistik më datë 25 gusht të këtij viti.  

Zbardhet e gjithë skema e grabitjes së bujshme të bankës së nivelit të dytë në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Vetëm një ditë pas arrestimit të Roland Litit (Zekajt), Alan Babamatos dhe Robert Kullës, hetuesit dyshojnë se 38-vjeçari Liti dhe Babamato morën pjesë drejtpërdrejt në hapjen e murit të bankës dhe më pas rrëmbimin e të gjithë vlerave monetare nga kasaforta, ndërsa Kulla ishte bashkëpunëtor i tyre. Protagonisti kryesor dyshohet të ketë qenë Roland Liti, 38 vjeç, i dënuar më parë për grabitje, i ndihmuar gjatë gjithë kohës nga 23-vjeçari Alan Babamato.

Në një foto që është në duart e prokurorisë, një nga grabitësit shfaqet në një kamera sigurie që e ka fiksuar para kasafortës ku u grabitën të holla. Autorët janë futur nga një dritare e ish-pubit dhe më pas kanë ndërruar bravën e derës, për të shmangur çdo mundësi që personat që e kishin marrë me qira ambientin ende në rikonstruksion të futeshin brenda.

“Gjatë veprimeve hetimore të kryera është konstatuar se persona të paidentifikuar duke hapur një vrimë në murin që ndan bankën me një ambient tjetër privat dikur pub, kanë hyrë në ambientin e brendshëm të bankës dhe më pas kanë hapur një vrimë tjetër në murin prej betoni të kasafortës së bankës.

Sipas pamjeve filmike të bankës, veprimet e autorëve janë në datën 5 dhe 6.8.2016. Në këto pamje tregohet vetëm momenti kur këta shtetas (dy autorë) dalin nën rrezen e kamerës, në korridorin e katit përdhes të bankës, ku ndodhej dhe kasaforta, si dhe veprimet e autorit kur ka hyrë në dhomën kasafortë” -thuhet në njoftimin e prokurorisë në lidhje me grabitjen e bujshme të bankës, në shumën e rreth 210 milionë lekëve të vjetra. Gjatë gjithë kohës autorët mbanin maska dhe doreza në duar, për të shmangur lënien e gjurmëve të gishtërinjve.

Dy grabitësit fillimisht kanë ndërruar fishekun e derës se ish-pubit dhe që aty kanë hyrë brenda. Në momentet e para kanë vepruar në faqen e një muri dhe më pas, pasi kanë hasur në beton, e kanë lënë atë dhe janë përqendruar në faqen e murit prej tulle, ku kanë hapur një vrimë, në të cilën mund të hynte lirshëm një trup njeriu.

“Pasi kanë hyrë në ambientin e brendshëm të bankës ku ishte dhe dhoma kasafortë, kanë vepruar me mjete pune (çekiç, daltë, kriko) te muri prej betoni i dhomës kasafortë.

Veprimin përfundimtar ata e kanë kryer me datën 6.8.2016, në orën 23:13 minuta dhe kanë dalë në orën 23:19” -shprehen burime pranë institucionit të akuzës në Tiranë, që vërteton edhe hapjen mjaft të shpejtë të kasafortës për tre minuta. Mirëpo i vetmi detaj krejt i vogël në dukje, por që bëri zbulimin e madh ka qenë një gjurmë gishti e lënë në një bidon uji plastik 1.5 litra.

“Nga aktet e ekspertimit daktiloskopik të datës 19.8.2016 dhe nr. 8653 dhe datë 25.8.2016 rezultoi se gjurmët papilare të fiksuara në shishen plastike me mbishkrimin janë formuar nga gishti i madh i dorës së djathtë të shtetasit Roland Myslym Liti dhe gishti i madh i dorës së majtë të po këtij shtetasi”,- shprehet prokuroria.

Dyshimet/Autorët dinin planimetrinë e bankës, a kishin bashkëpunëtorë të brendshëm?

Një detaj i ri dhe jo pak i rëndësishëm është se ka dyshime që një prej autorëve të grabitjes kanë pasur në duar planimetrinë e saktë të bankës. Këtë ata mund ta kenë siguruar nga një punonjës i brendshëm i filialit.

Ndonëse në këtë pikë burimet shprehen të rezervuara, mendohet se mund të jetë një punonjës i këtij filiali që ka informuar autorët si për vendndodhjen e kasafortës, ashtu edhe që të ndërhyhet në fundjavë, pikërisht në ato momente ku edhe arkëtimet janë më të mëdha. E gjithë puna për hyrjen në ambientet e bankës është kryer në datat 5 dhe 6 gusht, kohë kur është realizuar edhe grabitja.

Fillimisht autorët kanë nisur të hapin murin që të çonte drejtpërdrejt në pjesën e kasafortës, mirëpo pa kaluar pak çaste nga tentativa për ta hapur, hasën në mur betoni. Për shkak të tronditjeve të forta sistemi sizmik i alarmit ka rënë në orën 20:15 të datës 5 gusht, që ishte ditë e premte.

Me të dëgjuar sistemin e alarmit, agjentët privatë që ruanin filialin në pjesën e jashtme të saj, lajmëruan eprorin e tyre. Menjëherë në filial mbërrijnë shefi i sigurisë Florian Skarra dhe drejtori i filialit të bankës, Luigj Gjonaj.

Ata kanë kryer një kontroll rutinë sipërfaqësor dhe sipas hetuesve janë larguar pa konstatuar ndërhyrjen. Ndërkohë puna e dy grabitësve ka vijuar më tej, por kësaj radhe janë zhvendosur nga muri i betonit, në pjesën tjetër që ishte mur tulle, për ta pasur më të lehtë depërtimin në bankë. Pasi kanë punuar gjatë gjithë natës dhe në orët e para të mëngjesit, përsëri sistemi i alarmit është aktivizuar në orën 05:00, të datës 6 gusht.

Gjithsesi, në këtë rast alarmi nuk është marrë shumë në konsideratë dhe verifikimi nga ana e shefit të sigurisë është kryer rreth orës 10:00 të së shtunës, ku edhe kësaj radhe nga këqyrja e shpejtë nuk është parë ndërhyrja.

Një nga autorët, pasi e ka hapur kasafortën duke përdorur krik dhe bombol me oksigjen, rrëmben të gjithë vlerat monetare dhe del me shumën e madhe të parave po nga hapësira e murit që ishte futur. Për të mbuluar çdo gjurmë të mundshme autorët kalojnë në pjesën e pasme të bankës, që korrespondon me një parking.

Për të “festuar” grabitjen, autorët u larguan në Mal të Zi

Teksa policia konstatoi vetëm paraditen e 8 gushtit grabitjen e bankës, po atë ditë autorët largohen drejt Malit të Zi. Gjithçka ka qenë e mirorganizuar nga ana e tyre, por vetëm një detaj i vogël i tradhtoi dhe zbuloi dhe ajo ishte pikërisht gjurma e gishtave e lënë në një bidon me ujë nga ana e Roland Litit. Për shkak se 38-vjeçari ishte person i skeduar dhe dënuar më parë për akuzën e grabitjes, policia i kishte marrë shenjat e gishtave.

Menjëherë është bërë krahasimi në sistemin kompjuterik dhe aty ka rezultuar se i përkisnin Litit. Kjo e dhënë është siguruar fillimisht më datë 19 gusht dhe është konfirmuar me të tjera analiza daktiloskopike më datë 25 të këtij muaji.

Gjithsesi, e ka pasur të vështirë që ta shoqëronte, pasi nga verifikimi në sistemin TIMS ai ishte larguar, bashkë me shokun e tij Babamato.

Dyshohet se të dy të rinjtë janë rikthyer sërish në Shqipëri pas disa ditësh, duke kaluar kufirin ilegalisht, një mënyrë për të humbur gjurmët dhe shmangur ndonjë arrestim të mundshëm edhe nëse do ishin identifikuar.

Megjithatë përgjimet telefonike të tre ditëve të fundit zbuluan jo vetëm Litin dhe Babamaton që morën pjesë drejtpërdrejt në kryerjen e grabitjes, por edhe bashkëpunimin e Robert Kullës, djalit të Nehat Kullës, i njohur si “Gjenerali” dhe i akuzuar dhe dënuar për disa vepra të rënda penale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button