Politika

Rama në TV5 Monde: Pas reformës në drejtësi, gati për negociatat me BE

Pas miratimit të reformës në drejtësi, që është në Kuvend në këtë moment, do të kemi mundësinë që të prezantojmë seriozisht kandidaturën tonë për hapjen e negociatave përpara fundit të këtij viti. Kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama në një intervistë për TV5Monde. Në një lidhje direkte në edicionin e lajmeve të këtij televizioni, Rama ka folur për reformat në Shqipëri, por edhe për krizën e emigrantëve që ka prekur Europën. A është e prekur Shqipëria nga kriza refugjatëve apo jo, Rama tha se “ne nuk jemi prekur në mënyrë direkte, por jemi shumë të prekur moralisht dhe gjithashtu psikologjikisht, sepse shohim që është e papranueshme ajo që po ndodh në Greqi dhe fakti që Greqia është lënë pothuajse e vetme e që Europa nuk mundi t’i japë ende një përgjigje europiane kësaj krize. Është një turp, ndaj ne kemi thënë gjithmonë që jemi të gatshëm të marrim përsipër përgjegjësitë tona”. Ai sqaroi se “edhe pse nuk jemi një vend anëtar, jemi gati të strehojmë të gjithë emigrantët që mund të na takojnë si përgjegjësi brenda një plani europiani. Por, nëse ky plan europian nuk ekziston dhe i lëmë të gjitha mbi shpatullat e Angela Merkelit e Greqisë, diçka nuk shkon”. 

Në vijim intervista e plotë e Kryeministrit Edi Rama:

Lidhur me procesin e integrimit, Rama u shpreh i sigurtë, se në 10 vitet e ardhshme, që janë vitet e përgatitjes përmes negociatave për t’u integruar, do të jemi të gatshëm të bëhemi anëtarë të denjë të BE. “Bëhet fjalë për 10 vite punë shumë të rëndë, reformash transformuese, nën një monitorimim të vazhdueshëm europian”.

TV5: Prej disa muajsh, Kryeministri Edi Rama, ju keni nisur një fushatë për të përshpejtuar anëtarësimin e vendit tuaj në Bashkimin Europian. Çështja duket se ka arritur sot një “pikë kritike”. Çfarë ka bllokuar rrugën tuaj?

Kryeministri Edi Rama: Ne jemi në një rrugë shumë të rëndësishme për të hapur negociatat pas marrjes së statusit të vendit kandidat në 2014-n. Gjatë të gjithë këtij mandati, kemi realizuar një proces reformash të thella. Shpresojmë shumë që me reformën në drejtësi, që është në Kuvend në këtë moment, do të kemi mundësinë që të prezantojmë seriozisht kandidaturën tonë për hapjen e negociatave përpara fundit të këtij viti.

TV5: Korrupsioni e dimë që është një çështje që parashtrohet gjithmonë nga Bashkimi Europian për një vend kandidat për anëtarësimin. Si e sheh veten Shqipëria përballë këtij problemi?

Kryeministri Edi Rama: Korrupsioni është një fenomen që ka shoqëruar praktikisht të gjithë vendet e dala nga ana e tjetër e murit gjatë zgjerimit të Europës, pasi është një fenomen shumë i lidhur me mungesën e strukturave të një shteti modern, si dhe me faktin që jemi nisur nga shumë pas. Për këtë arsye, me të drejtë, procesi i anëtarësimit është në radhë të parë një proces modernizmi dhe përmes këtij procesi modernizmi, me ndërtimin e institucioneve demokratike dhe përmes punës së madhe që kemi bërë së bashku me Komisionin Europian për përmirësimin e kapaciteteve njerëzore e profesionale të vendit, po luftojmë korrupsionin çdo ditë. Unë mendoj dhe jam i sigurt që në 10 vitet e ardhshme, që janë vitet e përgatitjes përmes negociatave për t’u integruar, do të jemi të gatshëm të bëhemi anëtarë të denjë të BE. Bëhet fjalë për 10 vite punë shumë të rëndë, reformash transformuese, nën një monitorimim të vazhdueshëm europian. 

TV5: Ju e dini që Europa është në krizë. Në këto kushte, çfarë do të fitonte Shqipëria nga integrimi në strukturat e Bashkimit Europian?

Kryeministri Edi Rama: Mua gjithmonë më befason që dëgjoj këtë pyetje në frëngjisht, në gjuhën e Robert Shumanit dhe Dë Golit, sepse baballarët themelues të Europës janë ata që ekzaktësisht na kanë treguar arsyen se përse ekzistion ky Bashkim. Unioni Europian është mbi të gjitha një projekt i madh paqe dhe sigurie, e gjithashtu begatie. Shqipëria ka shumë për të fituar, si çdo vend ka përfituar shumë, ashtu si edhe Franca. Pa dyshim që Europa është në një situatë shumë delikate sot dhe nuk është bashkimi që duam, por arsyeja për këtë, sipas meje gjendet tek fakti që projekti nuk është përmbushur ende. Projekti i madh i BE ka nevojë që të përmbushet për t’iu përgjigjur nevojës së qytetarëve europianë. Prandaj duhet të vazhdojmë të ndërtojmë këtë ëndërr, duke ecur përditë përpara me kurajo, lidership dhe mbi të gjitha, duke u ndierë shumë të privilegjuar që kemi përpara nesh këtë vizion të mrekullueshëm të së ardhmes që u konceptua nga baballarët themelues të Europës.

TV5: Vendi juaj, Shqipëria, ka përjetuar 45 vite diktaturë komuniste. Sot kemi një rikthim të tensioneve midis lindjes dhe perëndimit. Pikërisht sot, sistemi i mbrojtjes raketore amerikane i instaluar në Rumani u bë funksional. Cili është pozicioni juaj mbi këtë çështje?

Kryeministri Edi Rama: Unë mendoj që kemi nevojë për një Europë më të fortë, për një Europë që jetë me të vërtetë një bashkim shtetesh dhe popujsh mbi të gjitha. Një Europë shumë më e fortë politikisht, shumë më e fortë në fushën e sigurisë, inteligjencës, e pa dyshim edhe ekonomikisht. E gjithë kjo dobësi e Europës reflekton ashtu edhe në kontinentin tonë dhe mbi të gjithë botën.

TV5: Së fundmi, ju jeni pritur në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti Barack Obama dhe gjatë këtij takimi, ju keni deklaruar se kandidati republikan, Donald Trump, është një turp për qytetërimin tonë. Përse?

Kryeministri Edi Rama: Unë mendoj që ai dhe jo vetëm ai, sepse edhe Franca ka “Trumpin” e saj, Britania e Madhe, gjithashtu e shumë vende të tjera po ashtu, përfaqësojnë një lloj barbarizimi të qytetërimit tone. Është një kthim pas, një projekt që na turbullon të gjithëve dhe mbi të gjitha përfaqëson një fyerje ndaj inteligjencës që ndërtoi botën e re ku të gjithë jetojmë sot. Përpos kësaj, e gjithë kjo mendoj se nxjerr në pah ekzistencën e një rreziku të madh, atë të harresës, sepse nëse shihni sot Europën, ka shumë të rinj që nuk e marrin parasysh se jemi duke jetuar periudhën më të gjatë në historinë e Europës pa luftra dhe konflikt. Kjo është meritë direkte e projektit të BE-së dhe e projektit të Europës së Bashkuar. Nuk mund të marrim paqen që kemi sot si të mirëqenë, ndaj ky ortek egoizmi, ku ortek ksenofobie dhe barbarie është një turp për qytetërimin tonë, që përfaqësohet nga ai në SHBA, nga ajo në Francë dhe nga të tjerë kudo.

TV5: A është Shqipëria një vend që ndihet i kërcënuar nga rreziku i xhihadismit në Europë?

Kryeministri Edi Rama: Jo detyrimisht, nuk jemi më të kërcënuar se të tjerët, por mendoj se ekzaktësisht për arsyet që ekstremi i djathtë në Francë apo në vende të tjera të botës i tregon njerëzve se përse nuk duhet të integrohet Ballkani, ekzaktësisht për ato arsye duhet të integrohet. Për më shumë siguri, për më shumë mbrojtje të përbashkët, për më shumë integritet i projektit tonë të madh europian, që nuk mund të lërë këto shtete të përjashtuara falë një vizioni tërësisht të verbër për të ardhmen.

TV5: Ju flisni me të drejtë për Ballkanin, që është sfiduar së fundmi nga një krizë e paprecedent refugjatësh. Shqipëria është pranë rrugëve të kalimit të këtyre emigrantëve. A është prekur Shqipëria nga kjo krizë refugjatësh dhe nëse po, në çfarë mase?

Kryeministri Edi Rama: Ne nuk jemi prekur në mënyrë direkte, por jemi shumë të prekur moralisht dhe gjithashtu psikologjikisht, sepse shohim që është e papranueshme ajo që po ndodh në Greqi dhe fakti që Greqia është lënë pothuajse e vetme e që Europa nuk mundi t’i japë ende një përgjigje europiane kësaj krize. Është një turp, ndaj ne kemi thënë gjithmonë që jemi të gatshëm të marrim përsipër përgjegjësitë tona. Edhe pse nuk jemi një vend anëtar, jemi gati të strehojmë të gjithë emigrantët që mund të na takojnë si përgjegjësi brenda një plani europiani. Por, nëse ky plan europian nuk ekziston dhe i lëmë të gjitha mbi shpatullat e Angela Merkelit e Greqisë, diçka nuk shkon. 

TV5: 300 mijë shqiptarë ose sa 10% e popullsisë flasin frëngjisht. Sa e rëndësishme është frankofonia strategjitikisht për Shqipërinë?

Kryeministri Edi Rama: Frankofonia është një prej burimeve të shkëlqyera të kulturës dhe qytetërimit tonë, është një instrument i pazëvendësueshëm për të pasur akses ndaj dritës së botës. Ne ndihemi të bekuar që jemi pjesë e këtij klubi dhe kërkojmë që të promovojmë frëngjishten sepse po, anglishtja është e bukur, por frëngjishtja i shton diçka tjetër të mrekullueshme, që e plotëson shumë më tepër.

TV5: Ju keni qenë një basketbollist profesionist dhe për të mbaruar, po ju shtroj një pyetje që ka lidhje direkt me sportin, me futbollin. Shqipëria ndodhet në grupin A, grupin më frankofon të kompeticionit pasi bën pjesë me Francën, Zvicrën dhe Rumaninë. Ndeshja e parë për kuqezinjtë tuaj luhet në Lens ndaj Zvicrës. Një parashikim?

Kryeministri Edi Rama: Nuk është vetëm grupi më frankofon, është edhe grupi më shqiptar sepse në ndeshjen e parë me Zvicrën, më shumë se gjysma e skuadrës së parë zvicerane janë shqiptarë. Janë dy vëllezër, me të njëjtit prindër, njëri luan me Zvicrën dhe tjetri luan me Shqipërinë. Në një aspekt, është një derbi mbarëshqiptar. Më pas është Franca dhe Rumania. Do të jetë e vështirë, por ne kemi përmbushur një ëndërr duke qenë në Francë, ku jemi pjesë e Bashkimit Europian të Futbollit dhe shpresojmë që nën shembullin e ekipit tonë të futbollit, të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian të vërtetë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button