Opinion

Marrëdhëniet seksuale në zyrë, 2 vjet burg për ish kryebashkiakun socialist Gjici

Në Shqipëri Gjykata e Posaçme dënoi të mërkurën me 3 vjet burgim dhe 5 vjet heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike, ish kryebashkiakun socialist të Kukësit Safet Gjici. Ai u arrestua qershorin e vitit të kaluar, një javë pasi në rrjetet sociale u publikua një video në të cilën ai shfaqej në zyrën e tij, duke kryer marrëdhënie seksuale me një grua, Alma Kaçin. Kjo e fundit po ashtu përfundoi në arrest shtëpie. Gjykata e dënoi atë me 2 vjet burgim. Që të dy përfituan uljen me një të tretën e dënimit. Për pasojë zotit Gjici, nga 2 vjet dënim përfundimtar, i mbetet të vuajë pak më shumë se 1 vit në qeli, ndërsa ka qëndruar në paraburgim për gati 8 muaj, periudhë e cila i llogaritet si e barabartë me 1.5 ditë burgim. Ndërsa Alma Kaçit, pas përllogarijes së paraburgimit i mbetet të qëndrojë në burg, gati dhe 1 muaj.

Prokuroria kishte kërkuar dënimin e ish kryebashkiakut me 4 vjet e gjysëm burgim nën akuzën e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë”, dhe 3 vjet burgim për Alma Kaçin, për “Korrupsion aktiv”. Sipas Prokurorisë, zonja Kaçi, është personi që i ka ofruar përfitime në formën e favorit seksual kryebashkiakut, i cili më pas i ka premtuar dhe ka pranuar ta ndihmojë, me projektin e saj të mbrojtjes së qenve dhe ta paraqiste më tej në mbledhje të Këshillit Bashkiak të Kukësit. Por gjykata në vendimin e saj ndryshoi akuzat për të dy, duke dënuar zotin Gjici për “Shpërdorim detyre”, ndërsa zonjën Kaçi për “Prostitucion

Gjatë seancës gjyqësore, si ish kryebashkiaku i Kukësit ashtu dhe avokati i tij kërkuan pafajësinë, duke akuzuar prokurorinë se kishte shmangur hetimet rreth lidhjeve, sipas tyre, të zonjës Kaçi me ish kreun e Këshillit të qarkut Kukës, kundërshtarin e tij politik Abedin Oruçi. Ky i fundit, sihet nga zoti Gjici, si porositësi i materialit video. Zoti Gjici u shpreh se ai kishte patur përplasje të vazhdueshme me Uruçin, pasi nuk e kishte lejuar të zaptonte terrene publike apo se kishte pengar ndërtime pa leje të kryera prej tij. Ai deklaroi po ashtu se projekti për qentë, për të cilin kishte disktuar me zonjën Kaçi, nuk ishte shtruar për diskutim në Këshillin bashkiak të Kukësit dhe se Bashkia që ai drejtonte nuk ka patur asnjë fond për një projekt të tillë, duke nënvizuar se dënimin më të madh, atë moral ai e kishte marrë tashmë.

Publikimi i videos, në qershor të vitit të kaluar, mori një vëmendje të lartë. Zoti Gjici, i sapo rizgjedhur, dha menjëherë dorëheqjen nga posti. Po në të njejtën ditë, Qeveria njoftoi shkarkimin e tij nga detyra, por për arsye që nuk morën ndonjëherë shpjegim, vendimi u botua në Fletoren zyrtare duke marrë kështu fuqi ligjore, vetëm pas 10 ditësh.

Ish kryebashkiaku u shpreh në deklaratën e tij të dorëheqjes, se “prej disa kohësh kam një marrëdhënie intime me vajzën në fjalë”, duke pretenduar nga ana tjetër, se kishte rënë pre e një kurthi të organizuar nga kundërshtarët e tij politik.

Gjatë vitit të kaluar, të paktën 7 kryebashkiakë apo ish kryetarë socialist të bashkive, socialist u hetuan, shkuan për gjykim osë u dënuan. Për disa të tjerë, ka patur po ashtu kallzime për të cilat vijojnë verifikimet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button