Opinion

Nesër pushim, pasnesër prap pushim

Nga Lutfi Dervishi 

Në një njoftim që nuk hidhëroi askënd, kryeministri shpalli 15 Marsin ditë pushimi!

Ky vendim, i mbuluar me po aq mister sa edhe aksionerët e vërtetë të incineratorëve i ka lënë shqiptarët pak të hutuar për motivet!

“Me këtë vendim të Këshillit të Ministrave, u japim mundësi të gjithë punonjësve të shtetit që nuk janë pjesë e funksioneve kritike, të marrin një ditë më shumë pushim mes Ditës së Bukur të Verës dhe fundjavës që gjithsesi e kanë pushim! Gëzuar Ditën e Verës,” thotë postimi i KM në Instagram.

Teoritë për motivet pas kësaj dhuratë të papritur janë të shumta. Disa sugjerojnë se Kryeministri, në një moment frymëzimi artistik, ka menduar se tashmë që e enjtja është pushim, e shtuna dhe e diela është fundjavë, administrata do të bëj më shumë dëm se dobi duke shkuar në zyra
.
Reporterët që cicërojnë kur flasin për qeverinë thonë se tashmë që qeveria ka avancuar me programet e Inteligjencës Artificiale, nuk ka pse të punojnë njerëzit. “Boll ka punuar administrata, ka ardhur koha të punojnë robotët”-
Analistë pranë kryeministrit flasin për një takim të fshehtë ku ministrat, pasi panë filxhanët e kafesë, yjet në qiell dhe rreshtimin e planetëve, arritën në përfundimin se 15 Marsi ishte ditë e mallkuar, dhe mënyra e vetme për të shmangur fatkeqësitë është qëndrimi në shtrat mundesisht duke fjetur.

Lajmëtarët e zymtë nxituan të flasin për një variant tjetër. Burime nga INSTAT bëjnë me dije se kryeministri u brengos shumë sot nga lajmi se 21 mijë të rinj kanë ikur nga puna dhe vendin e tyre e kanë zënë 27 mijë pensionistë. Sigurisht që një ditë pushimi më shumë të lodh se të shlodh, kjo është arsyeja që duhen 4 ditë rresht pushim, për të nderuar floket e bardhë.

Por një variant tjetër thotë se Kryeministri vendosi 15 Marsin pushim si mirënjohje për mbylljen me marrëveshje të revolucionit që do ta përmbyste atë.

Megjithatë, mes spekulimeve, nuk mund të injorohet ndikimi i thellë i këtij vendimi. Studiuesit që dekodojnë komunikimin politik të Kryeministrit flasin për një “Doktrinë të Ditëve të Pushimit” dhe për një plan që Shqipëria të kthehet në një vend lider sa i takon ditëve të pushtimit.
“Një vend që feston me të njëjtën entuziazem si festat (e shumta) fetare ashtu edhe ato pagane, natyrshem që i takon të pushoje me shume – tha një diplomat perendimor nga Brukseli.

Punonjësit e administratës të kapur në befasi, po planifikojnë si të shpenzojnë këtë dhuratë që i erdhi nga lart fare. Idetë variojnë nga nisja e udhëtimeve shpirtërore brenda kufijve të dhomës së ndenjes deri te ekspeditat te frigoriferi më i afërt dhe kthimi mbrapsht për të vijuar shikimin e NETFLIX-it.

Në një vend ku befasia është kthyer në rutinë, dhe vija ndarëse midis realitetit dhe satirës zbehet si skajet e një faqeje të dashur romani shpallja e një dite shtesë pushimi gjithsesi është pritur me entuziazëm.
Për momentin, populli shqiptar, liridashës, paqedashës dhe punëdashës do të flerë pak më gjatë, do të ëndërrojë pak më thellë dhe ndoshta, në mes endrrës dhe zhgëndrrës, do të pyesë: mirë e mërkura, e enjtja, e premtja, e shtuna dhe e diela janë ditë pushimi, po e hëna a është ditë pune?

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button