Ekonomia

Tregtia e jashtme, rritet ndikimi kinez në Shqipëri

Shqipëria po shënon ndryshime të konsiderueshme në përqindje, të balancave të shkëmbimeve tregtare, si me vendet e rajonit, ashtu edhe me vendet të tjera joeuropiane.

Referuar raportit të INSTAT për tregtinë e jashtme për muajin nëntor 2016, rezulton se Shqipëria ka shënuar një rritje të lartë të shkëmbimeve me Kinën, raporton Tv Scan.

Këtë vit Shqipëria ka shënuar, një rritje prej 137.8 % të eksporteve me këtë vend, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. E sa i përket importeve, ato janë ulur me -14.1 për qind.

Por ky ndryshim i raporteve, gjatë muajit nëntor, ka ndodhur edhe vendet e rajonit.

Referuar të dhënave të INSTAT, gjatë muajit nëntor 2016 Shqipëria ka shënuar rritje të eksporteve me Kosovën me 10.1 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë e një ulje të importeve me Serbinë me -35.1 %.

Ndërkohë, sa i përket Italisë, që është edhe partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, edhe gjatë muajit nëntor, eksportet kanë shënuar rritje me 12.7 për qind.

Ndërkohë, sa i përket importeve gjatë këtij muaji janë shënuar rritje me Turqinë (2,5 %), Greqinë (12,7 %) dhe Gjermaninë (0,6 %).

Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia me (-9,5 %), Kina me (-14,1 %) dhe Serbia me (-35,1 %).

Në muajin Nëntor 2016 eksportet e mallrave arritën vlerën 23 mld lekë, duke u rritur me 17,4 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 5,4 % në krahasim me Tetor 2016.

Importet e mallrave në muajin Nëntor 2016 arritën vlerën 49 mld lekë, duke u rritur me 0,6 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u ulur me 1,0 % në krahasim me Tetor 2016.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 26 mld lekë, duke u ulur me 10,5 %, krahasuar me Nëntor 2015 dhe me 6,0 % në krahasim me Tetor 2016.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button