Politika

Rama: Reforma në drejtësi do ta shkëpusë përfundimisht Shqipërinë nga tranzicion

Kryeministri Edi Rama deklaroi të martën se reforma në drejtësi do ta shkëpusë përfundimisht Shqipërinë nga e ashtuquajtura fazë e tranzicionit.
“Shqipëria prej kohësh ka nisur një proces jetik për të ardhmen e saj europiane në formën e një reformë në drejtësi, një reformë shumë radikale që tashmë është duke u përgatitur, një  reformë mbi të gjitha reformat dhe që do t’i japë vendit tonë ritmet e nevojshme për t’u shkëputur përfundimisht nga e ashtuquajtura faza e tranzicionit”, deklaroi kryeministri Rama në fjalën e mbajtur në një aktivitet rajonal kushtuar luftës kundër terrorizmit.

Rruga e gjatë e integrimit, vërejti kreu i qeverisë, është e mërzitshme me 35 kapitujt që çdo vend kandidat duhet të negociojë me BE-në. Puna nuk fillon me kapitullin e parë, por nga kapitujt 23-24 që lidhen me drejtësinë, sistemin gjyqësor, të drejtat themelore etj, theksoi ai.
Pavarësisht kritikës që ushtrojnë shqiptarët ndaj vetes, me reformën në drejtësi ne jemi shumë pranë prerjes së nyjes gordiane, u shpreh Rama.

Duke u ndalur në çështjet e sigurisë kryeministri shqiptar theksoi se siguria kombëtare është e lidhur me nevojën e një sigurie të përbashkët. “Sfidat, kërcënimet, rreziqet dhe sulmet e rënda na bëjnë të diskutojmë rreth nevojës së një sigurie të përbashkët”, tha ai.

Rama nënvizoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit rajonal në fushën e shkëmbimit të informacioneve për terrorizmin dhe krimin e organizuar. Përvoja e dekadës së fundit, theksoi kryeministri, ka provuar se e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur nga terrorizmi është përgatitja për përballje të pashmangshme me të.

“Ajo që mund të bëjmë ne është të parandalojmë shndërrimin në terroristë të individëve që kanë prirje të tilla”, tha Rama.
Duke u ndalur tek projekti i qeverisë për të futur në shkolla mësimin mbi fenë, kryeministri ripërsëriti idenë për ngritjen e një qendre rajonale me seli në Tiranë, për të luftuar ekstremizmin.

Kjo qendër rajonale, sipas tij, do të ishte një investim risi, jetëgjatë dhe me dobi të shumëfishtë, nisur dhe nga toleranca fetare në Shqipëri, një përparësi kjo për vendin tonë.
Luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, Rama e cilësoi ‘një virus’ që mund të vritet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button