Kronika

PD: PS, akte dhune në Sukth. Policia shpall në kërkim dy persona

Dega e Partisë Demokratike në Durrës ka denoncuar dhunën e ushtruar, sipas saj, në fshatin Kullë të këtij qarku.

Shtabi elektoral i kandidates Grida Duma bëri të ditur se sekretari i seksionit të PD-së dhe njëkohësisht kryeplak në Kullë, Isuf Demiri, dhe tre punonjës të Bashkisë së Sukthit, Xheladin Lusha, Afrim Zeqiraj dhe Daut Lila, janë dhunuar nën presionin e armëve nga dy persona, që sipas shtabit, njëri është koordinator i PS-së për Sukthin dhe tjetri kandidat socialist për këtë bashki, në vitin 2011.

Incidenti ka ndodhur në lokalin “Taverna e Kullës”, ku dy ditë më parë u zhvillua një aktivitet me të rinjtë.

Ndërkohë, Policia e Durrësit njoftoi se dy shtetas, inicialet e të cilëve nuk përkojnë me emrat e denoncuar nga të dhunuarit, kanë kanosur dhe goditur me sende të forta dy punonjës të INUV-it të Bashkisë së Sukthit.

Sipas policisë, dy të dëmtuarit ishin në Hamallaj ku kanë konstatuar një ndërtim pa leje në një kabinë elektrike, dhe gjatë kthimit në fshatin Kullë, makina e tyre është goditur nga pas nga një tjetër automjet. Më pas, konflikti është zhvendosur në ambjentet e një lokali.

Pa dhënë identetet e tyre të plota, policia tha se ka shpallur në kërkim shtetasit G.D dhe B.K. me banim në Sukth.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button