Kronika

Ndahet nga jeta Selim Muça, ish-kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, opinione të politikanëve

Presidenti Bujar Nishani shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-kreut të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Selim Muça.

“Me hidhërim të thellë mësova sot lajmin e dhimbshëm të ndarjes nga jeta të besimtarit të devotshëm e të përkushtuar, të drejtuesit të mençur, largpamës, paqedashës dhe të urtë të komunitetit të besimtarëve të fesë islame, të mikut të mirë në ditë të mira e në ditë të vështira, të prindit të mrekullueshëm, Selim Muça”, shkruan Nishani, në mesazhin e tij të ngushëllimit.

Presidenti shprehet se “kontributi i tij i pazëvendësueshëm për ndriçimin e rrugës së besimit të besimtarëve gjatë të gjithë jetës së tij dhe, në mënyrë të veçantë gjatë periudhës që ai ka drejtuar Komunitetin Mysliman Shqiptar, e vendos atë në mesin e personaliteteve më të shquara të  vendit tonë që kanë kontribuar për fe e për atdhe”.

“Duke ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e këtij personaliteti të shquar të besimit, të kulturës dhe të shoqërisë shqiptare, u përcjell ngushëllimet më të thella e të sinqerta të gjithë drejtuesve të Komunitetit Mysliman Shqiptar, të gjithë besimtarëve të komunitetit mysliman që ai i udhëhoqi me aq devotshmëri e përkushtim, të gjithë bashkëpunëtorëve të tij dhe, në mënyrë të veçantë, të gjithë familjarëve dhe të afërmve të tij”, shkruan Presidenti.

Meta: Selim Muça, punoi fort për ringritjen e besimit mysliman në Shqipëri

Kryetari Kuvendit, Ilir Meta, njëheraz dhe Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, shprehu hidhërimin e tij për ndarjen nga jeta të Haxhi Selim Muçës. Meta i dërgoi një telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Selim Muçës, Komunitetit Mysliman Shqiptar.

“Me hidhërim të thellë mësova për lajmin e ndarjes nga jeta të Haxhi Selim Muçës. Haxhi Selim Muça ishte një nga pionierët që punuan fort‎ e me përkushtim për ringritjen e besimit mysliman në Shqipëri. Duke nisur që nga fillimet e viteve ‘90, duke vazhduar me detyrat e ndryshme që ka mbajtur në strukturën e komunitetit mysliman e deri në Kryesinë e tij si kryetar, Haxhi Selim Muça ka qenë një shembull për t’u kujtuar, i punës, i fjalës dhe i besimit”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit.

j, vlerëson Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. “Haxhi Selim Muça ishte një njeri që madhështinë e gjente tek besimi dhe përkushtimi në besim. Ikja e tij ka dëshpëruar të afërmit dhe familjarët e ngushtë, miqtë e bashkëpunëtorët e tij të shumtë, ‎sepse është ikja e një njeriu të mirë. Komuniteti Mysliman, besimtarët myslimanë, por dhe miqtë e shumtë të të gjitha besimeve do ta ndiejnë mungesën e tij.‎ Ngushëllimet e mia më të sinqerta për të gjithë ata dhe për familjarët e tij të afërt”, shkruhet në telegramin e Kryetarit të Kuvendit.

Rama: Selim Muça, kontribut për bashkëjetesën fetare

Kryeministri Edi Rama shprehu ngushëllimet të dielën për ndarjen nga jeta të Selim Muçës, i cili sipas tij, “e udhëhoqi për shumë vite Komunitetin Musliman Shqiptar, me urtësinë e kthjelltësinë e një lideri të butë por të vendosur, në mbrojtjen e esencës paqësore të porosive të Profetit dhe të thesarit të bashkëjetesës harmonike mes feve në Shqipëri”.

“E paç siç e ke ëndërruar udhëtimin pas ndarjes nga kjo botë, miku im i respektuar Selim Muça”, shkruan Kryeministri, në një postim në rrjetet sociale.

Basha: Selim Muça udhëhoqi besimtarët myslimanë vendosmërisht me vlerat e duhura

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u shpreh se “ndarja nga jeta e ish- kryetarit te Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Selim Muça është një lajm i hidhur për të gjithë”.

“Ngushëllimet e mia për bashkëshorten e tij Ziza, femijët Almën, Ermalin dhe Arjanin dhe të afërmit e miqtë e tij të panumërt. Selim Muça foli me punën e me veprat e tij në shërbim të komunitetit dhe Atdheut dhe udhëhoqi besimtarët myslimanë vendosmërisht me vlerat e duhura”, shprehet Basha.

Sipas Bashës, “për komunitetin mysliman e mbarë shoqërinë kjo është një humbje e dhimbshme”. “Por modeli i tij i përulësisë, i shërbimit ndaj njerëzve, i besimit të pastër, i dashurisë dhe mirësisë, është një vlerë e gjallë për të cilin ka shumë nevojë vendi ynë”, shkruan Basha.

Klosi: Selim Muça la pas një vepër të vyer

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi vlerësoi se Selim Muça la pas një vepër të vyer jo vetëm për besimtarët musliman. “Përkushtimi i tij ndaj besimit qe po aq i vlerësuar sa ai ndaj harmonisë fetare. Kontributi disavjeçar i tij për ringritjen e besimit dhe respektit për çdo religjion, në kohët e vështira post komuniste, është nderi i madh që i bëri shqiptarëve, duke e kthyer atë në emrin e nderuar të kësaj fushe. Ikja e këtij njeriu të mirë, na trishton po aq shumë sa na ka gëzuar devotshmëria e punës së  tij”, shkruan Klosi ndërsa i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, Komunitetit Musliman e gjithë shqiptarëve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button