Opinion

Murtaja e braktisjes së këtij vendi, e paprecedentë në histori

Nga Ndricim Kulla

Katastrofa e tmerrshme e shpopullimit nuk ka të ndalur. Kjo ka tronditur në mënyrë dramatike edhe Kishën Katolike Shqiptare si problemi më i madh social që ka mbërthyer Shqipërinë.

Ajo tashti është aq e prekshme sa që ndjehet në çdo moment  sapo del nga dera e shtëpisë për të shkuar në punë apo për të shkuar diku tjetër.

Tashmë nuk është më e nevojshme për të kërkuar shifra  apo statistika diku  për t’iu referuar trajtimit të saj, për të analizuar shkaqet dhe autorët e këtij erozioni të frikshëm që kërcënon qenien tonë ekzistenciale si komb.

Po jap një dëshmi të thjesht personale. Nga pallati im  ku unë banoj dhe deri në studion ku unë punoj çdo ditë që nuk është më shumë se 600 -700 metra, mbi dhjetë lokale që dikur punonin normalisht tani kanë  mbushur dyert dhe dritaret  me shpalljet e vëna, që kërkojnë kamarier, pastrues, banakier, shitës etj. etj.

Në dy- tre klubet që unë kam frekuentuar kafen e mëngjesit, vetëm apo me miqtë e mi. tashmë vëren një ndryshim domethënës: shërbimi ka filluar të kryhet nga vet  banakieri, që bën edhe rolin e kamarierit edhe të pastruesit.

Drejtuesit e fasonerive kanë kohë që kanë vënë alarmin  se dizenjatorët po iu avullojnë, punëtorët gjithashtu. Spitalet dhe qendrat shëndetsore po bëjnë organizime tepër  të sforcuara se infermierët dhe mjekët kanë ikur ose janë në procedura emigrimi. Vështirë të gjesh më dhe shoferë, mekanikë, hidraulikë, motorristë dhe profesione të tjera.

Të mbeturit, sytë i kanë andej ose janë në një dilemë ekzistenciale. Kjo është panorama më trishtuese e përshkrimit të Shqipërisë në çdo qytet dhe fshat të mbetur.Sorry, there are no polls available at the moment.

Ndërsa fillimi i këtij vitit të ri shkollor si në ciklin para universitar ashtu edhe në atë universitar  na prezantoi  qartësisht dramën  më rrëqethëse me një pikëpyetje të hidhur dhe të dyfishtë,  të dijes dhe shpopullimit: mbyllje  masive e shkollave fillore dhe nëntëvjeçare në fshatrat dhe qytetet e vendit, ndërsa në auditorët e universiteteve publike  në Elbasan,Vlorë, Fier, Durrës dhe Tiranë, regjistrimet treguan se nuk do ketë më programe frekuentimi për fizikë, kimi, matematikë, agronomi etj.  S’ka më nxënës dhe studentë.

Kanë ikur dhe të tjerë po vazhdojnë të ikin. Krizë në mësuesi, krizë në shkencat ekzakte, krizë në kopshte, krizë kudo. Nuk mund të gjesh një popull të arsyeshëm në botë që shkaqet e kësaj drame rrëqethëse të mos i adresonte tek Kryeministri dhe qeveria e tij.

Por  pabesueshmërisht, Kryeministri i kësaj masakre kombëtare, kryeministri më i papërgjegjshëm i historisë së vendit vazhdon lojën e  “piarit”, duke shpërndarë në rrjetet e tij  sociale që sundojnë kudo, figura me flutura  dhe imazhe të dezinjuara për një Shqipëri virtuale që s’ka lidhje me Shqipërinë e sotme të zymtë që i detyron njerëzit të  ikin.

Çfarë po ndodh kështu?!

Rreth 7-8 vite më parë nuk ishte kështu. Kishte probleme ekonomike, kulturore dhe demokratike Shqipëria, por ishte krejtësisht ndryshe. Madje shumë njerëz po riktheheshin në vendin e tyre duke kërkuar të ardhmen në tokën që kishin lënë disa vite më parë.

Shqipëria po zbrazet  e tëra nga fryma  e gjallë që mund ta mbajë në këmbë këtë vend.

Tanimë që duket sikur kemi arritur fundin, sikur po jetojmë dhe po shohim në sy ferrin, i kemi të gjitha shkaqet të shkundemi e të zgjohemi nga ëndrra e keqe e arratisë dhe të mendojmë se përveç ferrit, Shqipëria është edhe vend që duhet dhe mund të bëhet i jetueshëm. Nga të gjithë ne.

Është ai vendi i bukur, i mrekullueshëm që vështirë se mund ta gjejmë dot në mërgim. Është ajo sofra e varfër, ku shtrohet buka e ngrohtë e bujarisë dhe hahet kripa e shijshme e solidaritetit njerëzor, e njerëzve që flasin të njëjtën gjuhë e që kanë të njëjtat zakone.

Murtajën e zbrazjes së  Shqipërisë duhet ta  ndalim. Për këtë duhet të luftojmë të gjithë me çfarë të mundemi dhe si të mundemi me të gjitha forcat krijuese, fizike dhe mendore. Këtë duhet ta bëjë dhe e ka për detyrë ta bëjë me shumë forcë  dhe frymëzim opozita, që në çdo demokraci është dhe instrumenti i shpresës.

“Timonieri” famëkeq që sot ka tërë pushtetet e grabitura, me timonin dhe tepsinë e kastës së tij nëpër duar po e çojnë veten në parajsën e tyre,  ndërsa Shqipërinë në ferrin e saj.

Opozita e Lulzim Bashës për fat të keq  8 vjet me radhë  bëri balet politik, nuk iu dha njerëzve fuqi dhe shpresë. Busulla e saj si misionare që duhej të ishte, pati të njëjtin orientim me pushtetin.

Lufta e klasave ndaj atyre që nuk ishin në portalet e qeverisjes dhe që mendonin ndryshe nga “timonieri”, e lodhën shumicën dërrmuese  të tyre  duke e detyruar ta kërkonte mbijetesën jashtë atdheut të tyre.

“E çfarë ka se po ikin?! –  thotë kryeministri. – Kjo është normale në një vend demokratik. Fuqinë punëtore e sjellim nga Bangladeshi, Afganistani,India …” Dhe fajin  ciniku e gjen jashtë pragut të shtëpisë sonë të përbashkët, që atij i ka rënë në dorë ta qeverisë.

Duhet të shpejtojmë ta ndalim. Ne vërtet u mbijetuam shekujve, por ky pushtet duket më djallëzor se pushtuesit e huaj historikë që shkretuan disa herë trojet tona. Është më djallëzori, sepse ka të veshur mirë dhe bukur  sipas stilit ekstravagant mantelin e qeverimit shqiptar ndërsa projektet e duhura të qeverisjes dhe të prosperitetit të këtij vendi, janë shndërruar në  zbrazje, nga veriu në jug .

Njeriu dhe kombi janë dy kuptime që plotësojnë njëri-tjetrin. Njeriu përfaqëson të gjitha fuqitë e kombit të vet. Ëndrrat e tij janë ëndrra të kombit dhe shpresat e kombit janë shpresat e tij.

Nëse kombi i humb shpresat, i takon njerëzve të vet që t’i dhurojnë ëndrrat dhe shpresat e tyre. Dhe përsëri prej tij të marrin shpresë, sa herë të dëshpërohen.

Këtë gjë duhet të bëjmë sot ne shqiptarët për kombin tonë, pavarësisht se mund të duket paradoksale, pavarësisht se mund të duket një sakrificë shumë e madhe për t’u marrë përsipër.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button