Ekonomia

Nafta bruto, ndryshojnë procedurat e shitjes

Tregu i hidrokarbureve pëson ndryshime. Nafta bruto që shitet në ankand do të monitorohet nga Albpetrol. Me urdhrin e hyrë dje në fuqi për disa ndryshime Në urdhrin nr. 83, datë 10.2.2012, “Për rregullat dhe procedimet e shitjes së produkteve hidrokarbure (naftë bruto)”, të ndryshuar, pika e parë e tij riformulohet  “shoqëria “Albpetrol” sh.a. Patos është përgjegjëse për shitjen me ankand me anën e procedurës së hapur të produkteve hidrokarbure”, duke u përcaktuar qartësisht rregullat se kur bëhet ankandi dhe cila është sasia e naftës që duhet ketë shoqëria para se të bëhet pjesë e ankandit. Nëse në urdhrin e parë ishte e përcaktuar vlera, tashmë sipas udhëzimit të ri saktësohet se “procedura e shitjes së produkteve hidrokarbure do të fillojë, kur shoqëria të ketë të depozituara 20 000 (njëzetë mijë) deri në 30 000 (tridhjetë mijë) tonë produkte hidrokarbure (naftë bruto), pavarësisht se kjo sasi është krijuar nga vetë prodhimi i shoqërisë apo nga përfitimi që shoqëria merr nga marrëveshjet hidrokarbure (prodhimi paraekzistues dhe pjesa e shoqërisë “Albpetrol” sh.a. Patos)”. Po kështu sipas këtij urdhri pas krijimit të kësaj sasie, në sasinë e produkteve hidrokarbure që do të shiten mund të përfshihen dhe sasi të produkteve hidrokarbure që parashikohen të prodhohen nga shoqëria “Albpetrol” sh.a. apo nga përfitimi që shoqëria merr nga marrëveshjet hidrokarbure gjatë një periudhe jo më të madhe se një vit; të përcaktuara në programin e zhvillimit për vitin në vazhdim dhe për 5 vitet pasardhëse, sasitë e gazit natyror dhe/ose gazit shoqërues që do të disponojë për tregtim. Me krijimin apo përcaktimin e sasisë së produkteve hidrokarbure, në përputhje me pikën 2 të këtij urdhri, titullari i shoqërisë “Albpetrol” sh.a. Patos, njofton Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë (MEI), si dhe pret miratimin e saj për fillimin e procedurës së shitjes. Pas miratimit nga MEI, titullari i shoqërisë nxjerr urdhrin për shitjen me ankand me anën e procedurës së hapur të këtyre sasive të produktit hidrokarbur naftë bruto apo gaz natyror.

Si do të bëhet shitja e naftës

Shitja e produktit hidrokarbur naftë bruto për tregun vendas me qëllim përpunimin e tyre dhe/ose për eksport, do të bëhet sipas çmimit të bursës ndërkombëtare për naftën bruto (Bursa Ndërkombëtare “Brent”).  Shitja e produktit hidrokarbur gaz natyror për tregun vendas dhe/ose për eksport do të bëhet sipas çmimit të bursës ndërkombëtare për gazin natyror (Bursa Ndërkombëtare “TTF – Title Transfer Facility”). Për rastet e transmetimit dhe/ose shpërndarjes së sasive të gazit natyror që do të shiten nëpërmjet sistemeve të transmetimit apo të shpërndarjes, të cilët janë pajisur me licencat përkatëse nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), shoqëria “Albpetrol” sh.a. duhet të publikojë edhe tarifat e transportimit dhe të shpërndarjes së gazit natyror në këto rrjete, sikurse janë miratuar nga ERE.

Cili do të jetë çmimi

Çmimi/njësi minimal fillestar i shitjes së produktit hidrokarbur naftë bruto, përcaktohet nga autoriteti shitës, nëpërmjet çmimit të produktit të publikuar në bursë për brentin, në momentin e përllogaritjes, duke marrë në konsideratë koeficientin e konvertimit të këtij çmimi, sipas cilësisë së produktit të prodhuar dhe përcaktohet gjithmonë përpara fillimit të procedurës së shitjes. Çmimi/njësi minimal fillestar i shitjes së produktit hidrokarbur gaz natyror përcaktohet nga autoriteti shitës, nëpërmjet çmimit të produktit të publikuar në bursë për “TTF – Title Transfer Facility”, në momentin e përllogaritjes, duke marrë në konsideratë koeficientin e konvertimit të këtij çmimi, sipas cilësisë së produktit të prodhuar dhe përcaktohet gjithmonë përpara fillimit të procedurës së shitjes. “Në rast se çmimi/njësi minimal fillestar i shitjes së produkteve hidrokarbure rezulton më i ulët se çmimi i shitjes i programuar nga “Albpetrol” sh.a. për vitin përkatës, ky çmim miratohet paraprakisht nga këshilli mbikëqyrës i shoqërisë, si dhe vihet në dijeni MEI.”, thuhet në udhëzim.  Zbatimin e këtij urdhri do ta bëjë shoqëria “Albpetrol” sh.a. Patos, Drejtoria e Politikave dhe Zhvillimit të Hidrokarbureve, si dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Mbështetëse në MEI.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button