Ekonomia

Balluku: Bursa Energjetike, operacionale në tregun e lirë në 3-mujorin e dytë të vitit

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku në një deklaratë të përbashkët me drejtorin e Sekretariatit të Energjisë, Artur Lorkowski, tha se “qeveria shqiptare prej vitesh ka punuar me një strategji të qartë për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë elektrike”.

“Iniciativa për parqet fotovoltaike, ku sot kemi dy kontrata të rëndësishme atë të Kravastasë dhe të Spitallës, por ndërkohë edhe interesi i shtuar për investime të reja në këtë sektor, janë një hap i shënuar”, tha Balluku.

Ministrja vuri në dukje se një punë e mirë e MIE në bashkëpunim me donatorët është bërë edhe në drejtim të investimeve për parqet eolike. “Me mbështetjen e BERZH është ideuar projekti për ndërtimin e parkut eolik në det”, theksoi Balluku, teksa shtoi se ” Shqipëria ka bërë një reformë të thellë në sektorin energjetik që ka dhënë frytet e saj, pavarësisht krizave”.

“Për sa i përket objektivit për energjinë e rinovueshme ne parashikojmë që brenda vitit 2022 të kemi mundësinë për plotësimin e direktivës europiane”, u shpreh ministrja.

Balluku theksoi se lajm shumë i mirë është fakti që qeveria, pavarësisht situatës së vështirë ka marrë në mbrojtje kontratat me abonentët familjarë dhe bizneset e vogla, që të mos preken nga rritja e çmimit të energjisë. “Ndërsa në 3-mujorin e dytë të 2022-it, Bursa Energjetike do të jetë operacionale në tregun e lirë”, tha Balluku.

Gjithashtu tha ministrja gjatë fjalës së saj, me Lorkowski-n, “kemi diskutuar faktin se Shqipëria është rreshtuar si vendi i parë që ka përmbushur planin kombëtar për energji me klimën, që në dhjetor 2021 dhe sigurisht duke u kthyer kështu në një model dhe për vendet tjera.

“Me ndihmën e Sekretariatit dhe mbështetjen e tyre, ne do të vazhdojmë të gjitha angazhimet që kemi marrë ndaj BE-së dhe vitin tjetër, kur Shqipëria do të ketë dhe Presidencën e Sekretariatit të Energjisë të jemi të përgatitur me kapacitetet njerëzore për t’u përballur me këtë sfidë të re”, deklaroi Balluku.

Nga ana e tij, drejtori i Sekretariatit të Energjisë, Artur Lorkowski, u shpreh i kënaqur për vizitën e tij të parë zyrtare në Tiranë, pasi ka marrë detyrën e drejtorit.

“Shqipëria është një shtet shumë i rëndësishëm kontraktues i energjisë i cili po përgatitet për Presidencën e radhës. Diskutimi i sotëm është vetëm fillimi i një diskutimi intensiv në të ardhmen”, tha ai.

Lorkowski shprehu përgëzimet më të mira për qeverinë shqiptare në realizimin e reformave veçanërisht atë energjetike, pasi siç tha ai, “janë shënuar hapa konkretë edhe në krijimin e tregjeve, njohjen e marrëveshjeve reciproke midis enteve rregullatore kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës”.

“Shqipëria duhet të përgëzohet pasi ka arritur 45% të konsumit final të energjisë nga burimet e rinovueshme dhe duhet nënvizuar se Shqipëria është i vetmi vend i familjes së komunitetit të energjisë, me një sasi të burimeve të rinovueshme në sektorin e transportit  mbi 10%. Kështu që gjej rastin t’ju përgëzoj zonja Balluku, kjo nuk është rastësi por pasojë e politikave të qeverisë dhe punës tuaj”, theksoi ai.

Gjithashtu, Lorkowski përgëzoi punën e MIE për ankandet e investimeve në parqet fotovoltaike.

“Sa i përket rritjes së çmimeve, duhet të gjendet një mënyrë për të lehtësuar pasojat. Siç theksuam krijimi i bursës shqiptare të energjisë do të jetë një hap i rëndësishëm dhe shpresojmë që ky do të jetë një hap historik sa i përket energjisë në vend”, deklaroi Lorkowski, ndërsa vuri në dukje se, diskutimi i sotëm u fokusua edhe mbi situatën e krijuar dhe rritjen e çmimeve të energjisë dhe instrumentet për mbrojtjen e qytetarëve dhe bizneseve.

“Referuar situatës në Shqipëri dhe rajon, është me rëndësi të implementohet stoku i emergjencës së naftës, pasi ky nuk është vetëm një detyrim nga traktati, por edhe një garanci për qytetarët”, deklaroi Lorkowski.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button