Ekonomia

“Skllevërit modernë” në kompanitë shqiptare

Sigurimet që paguhen mbi pagën minimale, kur ajo reale është më e lartë, vonesa në dhënien e rrogës, mosmarrje e pagës së plotë përmes bankës, mospërmbushje e standardeve të sigurisë në punë, paga edhe më të vogla se ajo minimale, punë me orare të zgjatura gjatë ditëve të festave e fundjavave, janë raste që hasen rëndom në kompanitë shqiptare, sidomos në sektorin e industrisë së rëndë, përpunuese e ndërtimit.

Një sondazh i fundit i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), në kuadrin e projektit “Promovimi i Standardeve të Punës në Shqipëri” mbështetur nga Olof Palme International Center në Shqipëri nëpërmjet financimit të Qeverisë Suedeze, është përqëndruar në zbatimin e standardeve të punës në tre sektorë: sektori i minierave dhe guroreve, sektori i ndërtimit dhe sektori fason, përfshirë dhe ndërmarrjet publike. Kampioni përfundimtar ka 1000 punonjës, në një shpërndarje gjeografike që mbulon 9 qarqe të vendit.

Nga sondazhi rezulton se ka një informalitetit të madh të punës, ku niveli më i lartë është në ndërtim, ku vetëm 44% e të punësuarve e marrin pagën e plotë përmes bankës. Gjetje të tjera janë parregullsia në marrjen e pagës, ku më i prekur është fasoni, me 32% të të anketurave që raportojnë vonesa. 14% e të anketuarve në këtë sektor gjithashtu raportojnë se marrin pagë reale nën atë minimale të përcaktuar zyrtarisht, në një shkelje të hapur të ligjit. (sipas legjislacionit shqiptar, vlera e pagave duhet të jetë në përputhje me vendin e punës që mban punëmarrësi, por në çdo kohë jo më pak se paga minimale ligjore e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave).

Problematika të tjera janë puna me orare të zgjatura, ku kryeson ndërtimi, masat e dobëta të sigurisë në punë, ku sërish ndërtimi është më i prekur, shkelja e të drejtave të punës, ku bie në sy dhe mungesa e informimit të punëonjëste për të drejtat e tyre, përhapja e fenomenit të marrjes në punë të fëmijëve nën moshën 18 vjeç, sidomos në ndërtim e fason, trajtim i padrejtë i grave shtatzëna, ku 15% e të ankeuarve në sektorin fason ankohen për mosmarrje të lejes së shtatzanisë, etj.

Informalitet i lartë në tregun e punës

Nga sondazhi rezulton se marrja e pagës është një nga standardet më problematike në terren, veçanërisht në sektorin e ndërtimit dhe fason, duke reflektuar informalitetin me pagat (fshehjes së pagës në tregun e punës), që nga marrja e pjesës më të madhe të pagës reale nëpërmjet bankës deri tek pagesa nëndorë me zarf.

Anketa zbulon se vetëm rreth 3 në 5 punonjës në sektorin fason (59%), pak më shumë se gjysma (54%) në sektorin minerar dhe rreth 44% e punonjësve në sektorin e ndërtimit, e marrin të gjithë pagën nëpërmjet bankës.

Nga ana tjetër, 28% e punojësve në sektorin e ndërtimit, 26% në sektorin fason dhe 14% në sektorin minerar deklarojnë se marrin pjesën më të madhe të pagës së tyre nëpërmjet bankës. Ndërkohë që, nga ana tjetër, 14% e punonjësve në sektorin minerar dhe 6% dhe 2% e punonjësve në sektorin e ndërtimit dhe fasonit, respektivisht deklarojnë se e marrin pagën tërësisht me zarf dhe jo nëpërmjet bankës.

GRAFIKU Pagesa nëpërmjet sistemit bankar, sipas sektorëve (%)

grafiku-ndarja sipas sektoreve te punesit

Parregullsia në marrjen e pagës, fasoni problematik

Të dhënat e anketimit tregojnë se punonjësit në sektorin e fasonit priren të raportojnë më tepër parregullsi  në dhënien e pagës nga punëdhënësi në krahasim me sektorët e tjerë.  Kështu, gjatë 12 muajve të fundit më pak se rreth 1/3 e punonjësve në fason deklarojnë se kanë pasur probleme me marrien e pagave, pasi paga u është dhënë në formë të rregullt rrallë ose anjëherë. Gjithashtu, të njëjtën situatë ndajnë pak më shumë se 1 në 5 punonjës (22%) në sektorin e ndërtimit(shiko grafikun 10). Siç pritej, ky problem nuk është shqetësues në ndërmarrjet publike ku rreth 87% e të anketuarve deklaron se e marrin pagën rregullisht thuajse gjithmonë.

GRAFIKU Rregullshmëria e punëdhënësit në dhënien e pagave, sipas sektorëve (%)

rregullshmeria e pagesave

Pagat nuk rriten, madje ulen

 

Në sondazhin e IDM-së, punonjësit të cilët kishin më shumë se 1 vit në të njëjtin vend pune , u pyetën mbi ndryshimet nominale në nivelin e tyre të pagës nga viti i kaluar. Analiza përshkruese tregon se vetëm 1 në 5 punonjës në sektorin minerar dhe fason kanë përjetuar rritje në nivelin e pagës nga viti i kaluar, në krahasim kjo me 13% në ndërtim. Ndërkohë, nga ana tjetër, një pjesë e vogël e kampionit raporton madje edhe zvogëlim të nivelit të pages (6% në miniera, 5% në ndërtim, 2% në fason). Në total, 74% e të ankëtuarve në miniera, 82% në ndërtim dhe 78% në fason deklarojnë se pagat e tyre nuk janë rritur vitin e fundit.

GRAFIKU Ndryshimi i pagës nga viti i kaluar, sipas sektorëve (%)

ndryshimet ne page nga viti i kaluar

 

14% e të anketuarve në fason, paga më të ulëta se minimalja

14% e punonjësve të anketuar në sektorin minerar dhe 11% në sektorin e ndërtimit deklarojnë se nuk u paguhen kontributet e sigurimeve nga ana e punëdhënësit, kjo në krahasim me 4% të punonjësve të sektorit fason. Nga ana tjetër, një pjesë e punonjësve nuk janë as në dijeni nëse iu paguhen kontributet ose 14% e punojësve në sektorin e ndërtimit dhe 11% në sektorin fason.

Të anketuarit të cilët deklaronin se u paguheshin kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, më tej u pyetën mbi bazën e këtyre kontributeve dhe nëse kjo bazë korrespondonte me pagën e tyre reale. Gjetjet pasqyrojnë evazionin e kontributeve të sigurimeve shoqërore si një abuzim të përhapur përgjatë sektorëve në konsideratë duke përbërë kështu rrezik për mbrojtjen sociale të këtyre punonjësve kur të mos jenë më ekonomikisht aktivë në tregun e punës. Pjesa më e madhe e kampionit deklaron se paguhet në bazë të pagës minimale ose rreth 74% e punojësve të anketuar në sektorin minerar, 66% në sektorin e ndërtimit dhe 68% në sektorin fason edhe pse në pjesën më të madhe kjo nuk korrespondon me pagën reale. Ndërkohë, 14% e punonjësve në sektorin fason deklarojnë se edhe pse kontributet u paguhen në bazë të pagës minimale, paga reale e tyre është më e vogël – ata paguhen nën pagën minimale. Të njëjtën dukuri raportojnë dhe 4% e punonjësve në sektorin e ndërtimit.

Baza ku paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, sipas sektorëve (%)

baza e pagesave

Orare të zgjatura pune

Nga sondazhi rezulton se është e zakonshme puna me orë të zgjatura dhe jashtë normës standarde “ 5 ditë dhe 40 orë në javë”,  ku më i prekur është sektori i ndërtimit. Pjesa më e madhe e tyre ose rreth 66% punojnë mbi 48 orë në javë – pragu i “mbipunës apo overëorking” sipas Direktivës Europiane.

Nga ana tjetër, edhe punonjësit në fason dhe sektorin minerar raportojnë orë të zgjatura pune. Kështu, punonjësit në sektorin fason punojnë mesatarisht 47 orë  dhe punonjësit në sektorin minerar 44 orës në javë. Nga ana tjetër, kohëzgjatja reale javore në ndërmarrjet publike raportohet të jetë mesatarisht 42 orë.

Sondazhi nxjerr në pah angazhimin më të madh në kohë të punonjësve në sektorin e ndërtimit dhe sektorin fason gjatë ditëve të pushimit dhe fundjajave. Kështu, më shumë se 8 në 10 punonjës të anketuar në sektorin e ndërtimit punojnë rregullisht dhe ditën e shtunë, në krahasim me 6 në 10 ose rreth 59% dhe 58% në sektorin fason dhe minerar, respektivisht. Ndërkaq, më pak se gjysma ose rreth 47% e punonjësve në sektorin e ndërtimit punojnë rregullisht ose ndonjëherë dhe të dielave, krahasuar me  më shumë se 4 në 10 punonjës në sektorin fason punojnë të cilët punojnë rregullisht ose ndonjëherë 7 ditë në javë.

Ndryshimet e reja në Kodin e Punës saktësojnë se nuk lejohet kompensimi në para i pushimit vjetor, me përjashtim të rastit kur përfundon marrëdhënia e punës. Ndërkaq, edhe pse sipas legjislacionit, kohëzgjatja e pushimeve vjetore për punonjësit nuk duhet të jetë më pak se 4 javë kalendarike gjatë vitit të punës në vazhdim,  gjetjet tregojnë se gjatë 12 muajve të fundit punonjësit kanë pasur probleme me marrjen e pushimeve vjetore të paguara përgjatë të tre sektorëve të përzgjedhur, sipas raportit të IDM. Më shumë se gjysma, nuk ka përfituar në një mënyrë apo tjetër nga mundësia për katër javë pushime vjetore të paguara, në një interval nga 53% në sektorin minerar në 57% në sektorin fason.

Trendet e vrojtuara në kohëzgjatjen e punës me shuma gjasa i atribuohen një kombinimi të kërkesës për punë, produktivitetit të punonjësve dhe ndryshoreve që formëzojnë marrëveshjet e punës së bashku me kontekstin e tregut të punës. Psh, në sektorin e ndërtimit, 75% e atyre që punojnë mbi 48 orë në javë kanë të ardhura mujore individuale nga 22,001 deri në 35,000 lekë dhe 69% e familjeve të tyre i plotësojnë me vështirësi apo vështirësi të madhe nevojat e zakonshme të familjes. Mosha e punonjësve nuk është parashikuese e kohëzgjatjes së punës.

Masa të dobëta sigurie në punë

Të anketuarit u pyetën të vlerësojnë në një shkallë nga 1 në 5 nivelin e rrezikut për sigurinë dhe shëndetin e tyre në vendin e punës, ku shkalla 1 përfaqëson një rrezik shumë të ulët dhe shkalla 5 një rrezik shumë të lartë. Pjesa më e madhe ose rreth 76% e punonjësve në sektorin minerar vlerësojnë se punojnë në një vend pune më rrezik të lartë ose shumë të lartë, në krahasim kjo me 54% në sektorin e ndërtimit dhe 29% në sektorin fason.

Edhe pse në 70% të rasteve punonjësve të ndërtimit u kërkohet gjithmonë të përdorin pajisje apo të veshin veshje mbrojtëse, vetëm rreth 51% e tyre i përdorin në realitet.

Rreth 58% e punonjësve në sektorin minerar kanë pësuar apo kanë qenë dëshmitar të një aksidenti në vendin e punës gjatë 12 muajve të fundit.

Në sektorin e ndërtimit, 11% e punonjësve kanë pësuar aksident dhe rreth 22% kanë qenë dëshmitar të një aksidenti në vendin e punës.

39% e punonjësve në sektorin minerar shprehen se sugjerimet e punëtorëve për përmirësimin e rregullave të sigurisë merren parasysh rrallë ose asnjëherë.

Në rastet e aksidenteve, të pyetur nëse në dijeninë e tyre u morën përgjithësisht masat e duhura, 30% e punojësve në sektorin minerar dhe 28% e punonjësve në sektorin e ndërtimit nuk mendojnë se janë marrë masat e duhura. Ndërkohë, 19% në sektorin fason dhe 17% në sektorin e ndërtimit shprehen se nuk janë në dijeni për këtë.

GRAFIKU Aksidentet në vendin e punës në 12 muajt e fundit, sipas sektorëve (%)

aksidentet ne vendet e punes

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button