Ekonomia

“100 fshatrat”, turizëm i qëndrueshëm rural në Fier

Turizëm të qëndrueshëm rural por edhe impakt të drejtpërdrejtë ekonomik pritet të sjellë zbatimi i programit “100 fshatrat” në bashkinë e Fierit.

Pojani, Libofsha dhe Cakrani janë tre fshatrat e përzgjedhur në kuadër të projektit “100 fshatrat” për bashkinë e Fierit.

Në një intervistë për ATSH-në, kryetari i kësaj bashkie, Armando Subashi ndalet te përfitimet që do të sjellë programi “100 fshatrat” për këto zona.

“Programit të 100 fshatrave, deri në përmbushje të qëllimit final i duhet të kalojë në shumë etapa të tjera shumë të rëndësishme. Etapa që nisin që nga analiza e situatës, studimi i mirëfilltë i zonave përkatëse në mënyrë shumë të detajuar, mbi të cilat do të bazohen projektet dhe ecuria e zhvillimit të infrastrukturës, bujqësisë, kulturës, turizmit, që së bashku do të sjellin zhvillimin ekonomik për banorët që jetojnë aty”, tha Subashi.

Për këtë arsye është konceptuar dhe si një rilindje për zonat rurale përmes zhvillimit të agroturizmit dhe projekteve të tjera inovatore.

Subashi shprehet se po punohet për hartimin e projekteve të plota që kanë në vetvete shumë plane të detajuara infrastrukturore, që nisin nga kanalizimet, ujësjellësi, infrastruktura rrugore, elementët urbanë, planifikimi i hapësirave publike, çlodhëse, gjelbërimin, vend pozicionimet më të favorshme agrokulturore, kultivuese etj, pa harruar dhe trajnimin e banorëve të këtyre zonave nëpërmjet formimit profesional që do t’u duhet për rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj turistëve.

Është një projekt madhor, që sipas Subashit, përbëhet nga shumë miniprojekte të tjerë. “Kemi përcaktuar prioritetet për ndërhyrje për çdo zonë, mbi bazën e të cilave po përgatisim projektet e plota, të cilat do t’i prezantojmë për financim”, tha ai.

Turizëm i qëndrueshëm rural

Nëpërmjet këtij programi, brenda një periudhe 4-vjeçare, Libofsha, Pojani dhe Cakrani do të jenë tri fshatra që do të ofrojnë gjithë infrastrukturën e nevojshme për një turizëm të qëndrueshëm rural.

Do të kemi një transformim të ekonomisë rurale të këtyre tri fshatrave, me rezultate lehtësisht të matshme, shprehet Subashi për ATSH-në.

Banorët e Libofshës, Pojanit dhe Cakranit do të kenë një infrastrukturë të përmirësuar publike: infrastrukturë rrugore, rivitalizim të hapësirave publike e ristrukturim të gjithë territorit urban, krijimin e infrastrukturës komunitare, shtimin e shërbimeve publike cilësore, kujdesin ndaj infrastrukturës mjedisore, krijimin e qendrave multifunksionale komunitare, etj.

“Janë një sërë elementesh ku duhet të ndalemi e mbi secilën prej tyre ndërtohen projektet. Krahas tyre një vend të rëndësishëm zë dhe fokusi i zhvillimit ekonomik, i cili synohet të kryhet nëpërmjet diversifikimit të aktiviteteve ekonomike: përmirësimin e potencialit turistik në hapësirat rurale, investimet në përmirësimin e shërbimeve tregtare, ekonomiko-financiare, turistike, e në agro-turizëm”, vijon Subashi.

Po ashtu, ai theksoi se synohet mbështetja për inkubatorë të produkteve rurale tradicionale, promovim dhe marketim të zonave rurale. Për këtë, tha Subashi, do të ndërtohet një kalendar i festave lokale, panaireve të ndryshme etj. Gjithçka do të jetë në funksion edhe të zhvillimit të kapitalit social dhe njerëzor.

Impakt ekonomik dhe përmirësim i jetës së komunitetit

Çdo gjë, sipas Subashit, do të jetë në funksion të një zhvillimi, që nis nga infrastruktura, mentaliteti, tradita deri tek ekonomia e mirë orientuar dhe me zhvillim të garantuar.Vëmendje maksimale do të ketë mbështetja për krijimin e rrjeteve rurale dhe shoqërinë civile në zonat rurale, trajnimi profesional për të rinjtë dhe gratë, mbështetja e trashëgimisë kulturore, mbështetja për promovimin e traditave dhe jetesës në fshat, etj.

Në kohën kur gjithçka do të përfundojë, sipas Kryetarit të Bashkisë, do të ketë rezultate të prekshme në punësim, turizëm, ngritjen e një rrjeti të tërë agro-turizmi.

Kështu krahas zhvillimit territorial dhe infrastrukturor, të nevojshëm për zhvillimin e turizmit, do të ketë edhe një shërbim dinjitoz dhe shumë të mira materiale të prekshme për komunitetet përkatëse.

Transformim dhe model i ri i zhvillimit rural

Vetë ‘Programi i 100 fshatrave’ është një model i ri i zhvillimit rural përmes një programi që përfshin infrastrukturë, agroturizëm, trashëgimi kulturore dhe nxitje të punësimit, përmes mbështetjes direkte për sipërmarrjen fermere.

Ai synon të adresojë sfidat me të cilat përballet sot fshati dhe hapësira rurale për t’i shndërruar ato në qendra të zhvilluara ekonomike nëpërmjet agroturizmit të qëndrueshëm rural.

“Ne kemi fituar 3 fshatra në bazë të profilit të prezantuar dhe potencialit të lartë të zhvillimit ekonomiko-social, agroturizmit dhe turizmit rural, natyrës, mjedisit si dhe të trashëgimisë kulturore.
Programi synon të koordinojë ndërhyrjet zhvillimore në hapësirën rurale, duke u shkëputur nga ndërhyrjet e copëzuara”, thekson Subashi.

Bashkia Fier, sipas tij, do të luajë rol të rëndësishëm në qëndrueshmërinë e investimeve dhe ndërhyrjeve të propozuara, kryesisht në mirëmbajtjen e tyre dhe ofrimin e modeleve të qëndrueshme të menaxhimit, në bashkëpunim me bizneset private dhe komunitetin lokal.

Potencialet që ofrojnë 3 fshatrat e përzgjedhur 

Kanë mundësi për maksimizimin e potencialeve të territorit, duke zhvilluar agro-turizmin si aktivitet ekonomik dhe një sërë aktivitetesh turistike të diversifikuara.Pojani, Libofsha dhe Cakrani, sipas Subashit, kanë potenciale natyrore e kulturore me karakteristika të veçanta që përbëjnë një atraksion turistik për vizitorët vendas dhe të huaj.

Po ashtu, kanë tashmë të ngritur aktivitete tradicionale të ekonomisë rurale si, prodhime ushqimore, artizanale, eno-gastronomi etj, të njohura në nivel lokal, rajonal dhe kombëtar.

Këto fshatra, kanë ndërlidhje dhe akses rrugor të lehtësuar me zonat e tjera përreth, si dhe janë zona me shtrirje relativisht të madhe në territor, krahasuar me zona të tjera të bashkisë.

Subashi thekson se “ato ofrojnë mundësi për të zhvilluar e zgjeruar aktivitete ekonomike nëpërmjet sigurimit nga njëra anë të aksesit të përmirësuar në shërbime (ujë, energji, transport), si dhe në produktet tipike lokale, duke zhvilluar tregjet ekzistuese dhe krijuar tregje të reja për të plotësuar zinxhirin e vlerave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button