Ekonomia

1030 ndërmarrje “zotërojnë” gjysmën e ekonomisë, qarkullojnë mbi 6 miliardë euro

Në total, shitjet e realizuara nga bizneset në 2015-n arritën në rreth 13 miliardë euro, sipas të dhënave nga INSTAT, por ndarja e tortës së shitjeve, nxjerr në pah dobësitë strukturore të ekonomisë shqiptare…

Janë rreth 1000 ndërmarrje në vend, të cilat realizojnë rreth 46% të totalit të shitjeve në ekonomi, sipas të dhënave nga Anketa Strukturore e INSTAT. Ndonëse këto përbëjnë më pak se 1% të totalit të bizneseve në vend (në total ka 104.5 mijë ndërmarrje në vend) ato kanë një peshë shumë të rëndësishme në grumbullimin e parave që shqiptarët shpenzojnë për konsum. Në vitin 2015, ato kanë realizuar shitje prej 840 miliardë lekësh, apo rreth 6.1 miliardë euro.

Por këto ndërmarrje zënë një peshë të rëndësishme edhe në punësim, teksa në to punojnë gati 40% e të punësuarve në sektorin privat, ose 169 mijë persona.

Edhe ndërmarrjet me 10-49 të punësuar, kanë peshë të rëndësishme në qarkullimin e parasë, duke zënë 30.3% të shitjeve neto në 2015-n.

Në pjesën më të madhe këto janë sipërmarrje pa vlerë të shtuar në ekonomi, që janë të fokusuara në tregtimin e karburanteve apo, shitjen me shumicë. Sipas të dhënave që Monitor ka publikuar më parë, në kuadër të renditjes së 200 kompanive më të mëdha në vend për vitin 2015, Në listën e 200 më të mëdhenjve për vitin 2015 mbizotërojnë kompanitë me aktivitet tregtar, që në pjesën më të madhe janë financues direkt të importeve, me 43 të tilla, të ndjekura nga bizneset e naftës që arrijnë në 24. Ndërtimi ka 17 kompani të tilla në listë. Ndërsa ka vetëm 19 sipërmarrje në industrinë përpunuese e prodhuese. Në qarkullimin e parasë në vend dominojnë pikërisht kompanitë e naftës, që kanë deklaruar rreth 1.5 miliardë euro të ardhura për vitin 2015.

Ekonomia shqiptare gjithsesi karakterizohet nga shumë ndërmarrje të vogla, me 1-4 të puënsuar, që përbëjnë 89% të numrit të bizneseve active, apo rreth 93.4 mijë biznese, por që në pjesën më të madhe thjesht mbijetojnë dhe sigurojnë të ardhura minimale. Shitjet e realizuara nga këto 93 mijë biznese përbënin vetëm 13.8% të totalit, apo rreth 252 miliardë lekë (rreth 1.8 mld euro). Por, ato janë shumë të rëndësishme në vetë punësim, pasi në to punojnë një e treta e të punësuarve, ose rreth 145 mijë persona. Këto biznese vitet e fundit po ndiejnë presionin e frenimit të konsumit dhe ndryshimeve strukturore të ekonomisë, ku qendrat tregtare dhe supermarketet po I çojnë subjektet e vogla tregtare drejt falimentit, një dukuri e trajtuar dhe më herët nga Monitor.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button