Ekonomia

2016-2018, qeveria do të financojë 90% të borxhit të ri në tregun e brendshëm

Financimi i borxhit të ri do t’i rikthehet tregut të brendshëm dhe pak huave në tregun ndërkombëtar sipas planifikimeve më të fundit të Ministrisë së Financave për huamarrjen në dy vitet ne vijim.

Skenari bazë i qeverisë për menaxhimin e borxhit në dy vitet në vijim referon se, financimi i brendshëm për periudhën 2016-2018 do të jetë në nivelin e 90%-92% të totalit të financimit, ndërkohë që financimi nëpërmjet titujve afatgjatë do të synojë të rritet deri në 30%-32% në vitin 2018, nga 17% që vlerësohet në vitin 2015.

Financimi i huaj do të jetë në nivelin 8-10% të totalit të financimit dhe do të mbështetet kryesisht tek financimi i projekteve ekzistuese si edhe i projekteve të reja zhvillimore për të cilat Qeveria është angazhuar, ndërkohë që në vitin 2016 financimi i huaj do të plotësohet edhe nga mbështetja buxhetore e akorduar në kuadër të marrëveshjes me partnerët ndërkombëtarë si BB dhe FMN.

Trendi i viteve të fundit ishte huamarrja në tregun e jashtëm, por ministria e Financave arsyeton se, tregu i brendshëm është më i lehtë për tu aksesuar, kërkon më pak procedura dhe eviton ekspozimin ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.

Megjithatë, huazimi i vazhdueshëm në tregun e brendshëm ka implikime, të cilat rrjedhin nga niveli relativisht i lartë i borxhit që rifinancon qeveria në harkun kohor të një viti (mbi 350 miliard lekë), nga baza e ngushtë e investitorëve që përbëhet në më shumë se 58% nga sistemi bankar dhe nga tregu jo plotësisht i zhvilluar i instrumenteve financiare, për shkak të mungesës së një tregu sekondar të mirfilltë.

Duke marrë parasysh këta faktorë rezulton se kërkesa e lartë për financim nga ana e qeverisë në tregun e brendshëm shoqëruar me nivelin e lartë të kredive që nuk performojnë mirë mund të uli kreditimin e sektorit privat, i cili është faktor mjaft i rëndësishëm përsa i përket rritjes ekonomike të vendit, uljes së papunësisë strukturore, si edhe rritjes së produktivitetit dhe konkurueshmërisë në rajon e më gjerë.

Nga ana tjetër, rritja progresive e borxhit që duhet shërbyer në monedhë të huaj është në nivele të konsiderueshme dhe sigurimi i valutës në tregun e brendshëm valutor është i kufizuar dhe mund të krijojë implikime në ruajtjen e qëndrueshmërisë së kursit të këmbimit të monedhës vendase kryesisht kundrejt monedhës Euro. Tregu i jashtëm ofron burime të palimituara të financimit dhe është lehtësisht i aksesueshëm nga Shteti Shqiptar.

Sigurimi i financimit nëpërmjet burimeve të huaja është një alternativë shumë e mirë për të mos ezauruar burimet e brendshme dhe për të stimuluar kreditimin ndaj sektorit privat, refron Ministria e Financave. Megjithatë edhe huamarrja në tregjet e huaja mund të ketë implikime që lidhen me faktorë që janë jashtë kontrollit dhe influencës së politikave fiskale dhe monetare të vendit tonë, të tilla si normat e interesit dhe kursi i këmbimit që varen kryesisht nga politikat fiskale të vendeve të tjera dhe politikat monetare të BQE dhe Rezervës Federale.

Këta faktorë mund të përshkallëzojnë rritjen e kostove të borxhit, zgjerimin e defiçitit dhe si rrjedhojë edhe rritjen e pavullnetshme të borxhit. Nga ana tjetër, rritja e stokut të borxhit kur nuk shoqërohet me rritje të eksporteve ose rezervave valutore mund të vërë vendin në vështirësi për të likuiduar detyrimet në valutë, duke rrezikuar qëndrueshmërinë e monedhës vendase dhe indikatorëve të tjerë makroekonomikë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button