Ekonomia

720 milionë euro kredi të pakthyera; Kreditë me probleme ulen lehtë në 18.23% në janar

Pas rënies së fortë në nëntor dhjetor të vitit të kaluar, kreditë me probleme arritën në 18.23% në janar, duke u ulur lehtë në raport me 18.27% që u mbyll viti 2016.
Të dhënat e reja për dhjetorin 2016 dhe janarin 2017 u publikuan sot nga Banka e Shqipërisë.
E njëjta sjellje u konstatua edhe vitin e kaluar, ku kreditë me probleme zbritën në 18.22% në dhjetor 2015, por më pa filloi sërish rritja graduale, që kulmoi në gusht 2016, në 21.44%.
Një rënie e treguesit të huave me probleme ishte e pritshme pasi muajt e fundit të vitit shënojnë përgjithësisht një proces të fshirjes së kredive që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen në banka. Ndonëse ato fshihen nga bilancet, kredia vijon të klasifikohet e keqe dhe ajo vazhdon të mblidhet, ndonëse nuk figuron më në librat e bankave.
Në total, në janr 2016 janë rreth 99 miliardë lekë, apo rreth 720 milionë euro, për të cilat bizneset apo individët i kanë vonuar pagesat e kësteve në banka për më shumë se tre muaj (periudha kur një hua fillon e klasifikohet si e keqe). Kjo shumë ka mbetur pothuajse e pandryshuar nga janari i një viti më parë, çka tregon se pavarësisht fshirjes, hua të tjera problematike i janë shtuar sistemin përgjatë 2016-s. Më e madhja prej tyre është Kurum, që shpalli falimentin në shkurt 2016 dhe që sipas Gjykatës, ka një kredi në bankat shqiptare prej 42 milionë euro, përfshirë dhe interesat.
Banka e Shqipërisë prej më se dy vitesh ka hartuar një plan për uljen e kredive me probleme, ku në fokus është ristrukturimi apo falimenti i 35 korporata më të mëdha, që kanë rreth 60% të kredive me probleme. Por, ky plan nuk është zbatuar plotësisht për shkak të vonesave në ligjin e ri të falimentin, që përfundimisht pritet të hyjë në fuqi në maj të këtij viti.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button