8-mujori i OSHEE Humbjet në rrejt zbresin në 24.4%, arkëtimet u rritën me 1.1 mld lekë
Sipas treguesve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike reduktimi i humbjeve arrin në 3.1% më pak në raport me 8-mujorin e vitit 2017, ku ky tregues ishte 27.5%.
Kjo ulje i adresohet kryesisht rritjes së investimeve në rrjetin e shpërndarjes, ndërkohë që paralelisht OSHEE raporton edhe rritje të të ardhurave për 8- mujorin. Sipas të dhënave gjatë periudhës janar-gusht u arkëtuan 43.7 miliard lekë apo 1.1 miliard lekë më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave gjatë 8-mujorit 2017 u arkëtuar 42.6 miliard lekë apo 2.8% më pak se viti aktual. Aktualisht kompania e shpërndarjes është duke realizuar ndarjen në 3 kompani, ndërsa ka hapur edhe një tender me objekt inventarizimin dhe vlerësimin e aktiveve materiale afatgjata, një procedurë që i hap rrugën ndarjes financiare të kompanisë.
Aktualisht është zyrtarizuar vetën ndarja ligjore e saj, duke qenë se pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit janë regjistruar 3 kompanitë e reja. Ndërkohë që, për të finalizuar të gjithë procesin do të nevojitet pikërisht ndarja financiare dhe ajo e aseteve që disponon kompania.
Ndarja e OSHEE-së është një detyrim që lind nga ligji që rregullon sektorin e energjisë dhe ka për qëllim menaxhimin më efecient dhe shërbimin më cilësor ndaj klientëve.