Home / Nga Facebook / Kiko dekripton funksionin e satelitëve!

Kiko dekripton funksionin e satelitëve!

Lutfi Dervishi

Majmuni Kiko i quajti majmunllëqe kritikat për shpenzimin e 6 milionë dollarëve për të ngritur dy satelitë. Informacionet e të ashtuquajturve ekspertë që thonë se google earth pro, një aplikacion që është falas ofron pamje më të qarta mbi territorin, Kiko i quajti thjesht FAKE NEWS.

Shoh në këtë vend një alergji ndaj shkencës në përgjithësi dhe ideve novatore në veçanti, shkroi në ditarin e tij Kiko. Satelitët janë një mrekulli e shkencës. Bota nisi të kuptojë se çfarë është bota vetëm 60 vjet më parë, kur lëshoi satelitin e parë.
Nuk e kuptoj se çfarë kanë me satelitët. Reagojnë sikur të jetë hera e parë që dëgjojnë për satelitin. Po të mendohen pak njerëzit, do të kuptojnë që i njohin mirë satelitët. Toka është satelit, se rrotullohet rreth diellit, hëna është satelit se rrotullohet rreth tokës. PS është satelit se rrotullohet rreth Ramës. Rama është satelit se rrotullohet rreth oligarkëve. Oligarkët rreth fondeve publiket etj etj. Çfarë të keqe ka nga satelitët?
Ja për shembull, do të vijë së shpejti situata me zjarret. Ju do të thoni se zjarret i shohim me sy, çfarë na duhen satelitët. E vërtetë që zjarret i shohim me sy, edhe tymin që del nga zjarri e shohim me sy, por siç thonë në gazetari për të verifikuar një ngjarje, duhen të paktën dy burime. Ku ka më mirë se një burim ta kesh në tokë dhe një burim në hapësirë, apo në hava siç thonë turqit.
E njëjta gjë vlen edhe për një shërbim tjetër të vyer që do të sjellin satelitët. Ata do të na informojnë në kohë reale për trafikun në Tiranë. Trafiku ndikon në jetën e çdo banori të kryeqytetit, por tashmë trafiku do të verifikohet nga tre burime: një nga vetë qytetari, dy nga aplikacioni falas google map dhe e treta që është më e besueshme se edhe paguhet na vjen nga satelitët.
Por arsyeja e vërtetë e thirrjes në skenë të satelitëve është kriza që ka ardhur si pasojë e luftës në Ukrainë. Dhe dy satelitët do të pikasin në kohë reale, nëse pikat e Karburantit e ngrenë çmimin më lart se ç’e ngre Bordi i Transparencës. Duke ditur që është dikush që sheh lart, askush nuk do të guxojë më të bëj lojra me çmimin e naftës.
Jemi para dimrit të madh, dimrit të vështirë, dimrit të tmerrshëm dhe energjia apo më mirë kursimi i saj është çështje e të gjithëve. Dy satelitët do të na njoftojnë në kohë reale, nëse ndonjë gjysh gjumash ka harruar televizorin ndezur, apo ndonjë amvisë e ka graduar lavatriçen për të larë rrobat në 35 gradë dhe jo 30 gradë siç e thotë shumë qartë udhëzimi i Ministrisë së të Vërtetës.
Me satelit do të monitorojmë cilësinë e ujit në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit. Ti mund të futesh në det dhe të konstatosh që uji është i ndotur, por është krejt tjetër gjë kur këtë konstatim e mbështet edhe me një provë shkencore si “pamjet satelitore”
Meqë satelitët që ngrihen rrotullohen përreth tokës dhe dikush do të thotë se vetëm 1 minutë mund të fotografojnë Shqipërinë, po ia bëj të qartë se nuk është 1 minutë, por janë afro 60 sekonda, por për më tepër në epokën e globalizimit na duhet që të marrim vesh se çfarë ndodh rrotull nesh dhe t’i dalim të keqes përpara.
Ja përshembull- është koha që shqiptarët të tregojnë më shumë dinjitet. Nuk ka pse të varemi nga informacionet e partnerëve për të kapur 2200 tonë nafta kontrabandë në portin e Durrësit. Me satelit, do të jemi ne që do të informojmë partnerët. Po ashtu e njëjta gjë me kontenierët me banane. Do të jemi ne që do të informojmë partnerët për ngarkesat me “pluhur llokumi” që do të zhdoganohen në Durrës.
Por, sateliti do të edukojë shqiptarët me idenë e shtetit ligjor. Askush nuk do të guxojë të pijë më cigare në ambiente publike se do të pikaset nga sateliti. A do të guxonte të ndërtonte kotecin pa leje, Lefkotheia nëna 82 vjeçare në Nartë po të dinte se aty lart është dikush që po e sheh gjithë kohën? Jo. Inspektorët do ta kapnin paligjshmërinë që në themele dhe nuk do lejonin kurrsesi që kotecit t’i vendosej çatia. A do të guxonin ndërtuesit të ndërtonin pa leje në sheshin Skënderbej në Tiranë po të ishte sateliti i ngritur? Jo dhe Jo.
A do të guxonte kopshti i fëmijëve në Tiranë të shkelte në mënyrë flagrante ligjin nëse Satelitet do të ishin në punë? Kurrsesi.
A do të guxonin oficerë policie të bëheshin bodigarde të personave në kërkim nëse Satelitet do t’i kishim ngritur me kohë e me vakt?!
Ndërsa pyetjes pse duheshin dy satelitë, Kiko iu përgjigj duke i thënë se, njëri, sateliti Albania 1 do të raportojë dhe Sateliti Albania 2 do të kontrollojë të parin.
Ndërsa shqetësimit se iranianët mund të marrin kontrollin e satelitëve, Kiko iu përgjigj duke fërkuar putrat: aq më mirë, ata nuk kërkojnë pagesë për transparencën që bëjnë.
Po satelitin e dytë kush do t’a kontrollojë?
Satelitin 2 do ta kontrollojnë dronët që do të blihen dhe ashtu si në tokë ju kërkoni që një ngjarje ta verifikoni me dy burime, edhe në hava çdo gjë do të verifikohet nga dy burime, – mbylli i bezdisur shpjegimet Kiko.
P.S. Kiko ka vetëm një merak shtesë: mos patronazhistët do të na bëhen xhelozë për konkurrencën e satelitëve dhe do të bëjnë gjithçka për t’i sabotuar?! Se fundja sateliti është një patronazhist robot

Leave a Reply

%d bloggers like this: