Home / Ekonomia / Përmirësim Optimizmi në Davos: FMN sinjalizon përmirësimin e parashikimeve ekonomike

Përmirësim Optimizmi në Davos: FMN sinjalizon përmirësimin e parashikimeve ekonomike

Drejtuesit e bizneseve dhe zyrtarët e lartë të qeverive janë shprehur optimistë për ekonominë globale, në rrethanat kur Kina po heq kontrollet e Covid, SHBA-ja do të fillojë një bum investimesh të gjelbra dhe Europa Perëndimore po përshtatet me ndikimin e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Gita Gopinath, zëvendësdrejtuesja e FMN-së, sinjalizoi se fondi do të përmirësonte parashikimet e tij ekonomike. Në vend që të parashikonte një vit “më të vështirë” përgjatë 2023, ajo tani priste një “përmirësim” në gjysmën e dytë të vitit dhe në vitin 2024.

Të dhënat pozitive nga Europa dhe SHBA-ja gjatë javëve të fundit kanë rritur shpresat se ekonomia botërore do të shmangë një recesion këtë vit.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha për Bloomberg se ekonomia më e madhe e eurozonës do të shmangë një recesion, ndërsa instituti ZEW me qendër në Mannheim tha se indikatori i tij mujor për matjen e sentimentit të investitorëve ishte rikthyer në shifra pozitive për herë të parë që nga pushtimi rus i Ukrainës.

Daniel Pinto, kreu i bankës së investimeve të JPMorgan, e vuri theksin te qëndrueshmëria e ekonomisë globale. “Kemi kaluar një periudhë me luftë, me pandemi, si dhe normalizimin më të madh të politikës monetare në histori”, tha ai. “Duke marrë parasysh të gjitha gjërat që kanë ndodhur, bota është shumë më e mirë nga sa do të duhet të kishim pritur.”

Megjithëse rënia ekonomike në ekonomitë e përparuara nuk duket më aq e keqe sa mendohej, rritja ekonomike e Kinës është ngadalësuar, pasi Pekini shënoi një normë zhgënjyese prej 3 për qind për vitin 2022.

Gopinath paralajmëroi se viti 2023 do të ishte gjithsesi një “vit i vështirë”. Me inflacionin që është ende në shifra shumë të larta, bankat qendrore duhet të vazhdojnë të rrisin normat e interesit derisa inflacioni të bjerë në mënyrë të qëndrueshme, tha ajo.

Megjithatë, tregjet financiare janë përmirësuar për shkak të çmimeve më të ulëta të energjisë, reduktimit të vështirësive në zinxhirët e furnizimeve dhe përfundimit të politikës zero-Covid të Kinës.

Liu He, zyrtari më i lartë ekonomik i Pekinit, tha për forumin se ekonomia e Kinës do të rimëkëmbej. “Nëse punojmë mjaftueshëm, kemi besim se rritja ka shumë të ngjarë të rikthehet në trendin e saj normal,” tha ai. “Ekonomia kineze do të ketë një përmirësim të ndjeshëm në vitin 2023.”/ FT

One comment

  1. Po e thank ne Davos cdo gje ka marre fund.

Leave a Reply

%d bloggers like this: