Kryeartikull

A mbetet Partia Socialiste caku i fundit i Metës?!

Nga Ben Andoni

Do jetë e vështirë për presidentin Ilir Meta të bëjë diçka, të lartësisë së egos së vet, me mbarimin e mandatit si president i vendit. Ky nuk është ndonjë problem ekzistencial i një lideri kalibri, por thjesht shqetësimi i një qenie politike aktive në të gjithë zhvillimet politike post ‘90. Sot, paradoksalisht, janë harruar dhe po harrohen pak e nga pak personalitete politike me formime shumë më të madh intelektual të së njëjtës kohë, por jo ai. Kurrsesi. Jo thjesht për debatin e dyanshëm e pa sens me kryeministrin e vendit, gjoja për parime demokratike, por për dominim. Kjo është Shqipëria. Është harruar e gjithë legjislatura e fillim-viteve ’90, personalitetet e ndryshimit, intelektualë të ndryshëm, janë shmangur figura të njohura, që po mbyllin jetën të harruar, por ai mbeti. Aty në politikë, pak e nga pak, hera-herës vrullshëm duke njohur vetëm ngjitje, paçka se me kohë nuk gjeneron më pozitivitet ashtu si edhe energjinë konstruktive në mandatin e parë të tij dikur si kryeministër. Sadoqë sot anatemohet në të gjitha nivelet nga PS-ja, Partia që e nxori dhe kryetari i saj, Edi Rama, ai ngjiti pikun më të lartë të protokollit zyrtar të vendit (prej tyre) dhe në një farë mënyre është stacionuar sot në historinë politike shqiptare.

Gjithsesi, sfida nuk është rankimi me kredibilitet në këtë histori, por thjesht mbetja si protagonist i vërtetë. Më e afërta sfidë, është mënyra sesi do të sillet e do të pranojë verdiktin e popullit, nëse kryeministri Rama konfirmohet edhe për një mandat të tretë, e cila përbën edhe objektivin më të madh në demokraci të rivalit e shemrit të tij. Në fakt, në vendet demokratike më shumë sesa lidërshipi ka vend të sqarohet se vlerësohet mënyra sesi zgjidhet dhe rrugën demokratike që përshkon një individ. Ky rast klasik është i përjashtuar në historinë shqiptare dhe sidomos në rastin e Metës, ku kalkulimet e kujdesshme në vitet 2000 e bënë të ideojë një parti pa ideologji, por me pushtet të marrë nga fuqia e partive kryesore. Në muajt në vazhdim, ajo që do të kondicionojë atë është njohja e rezultatit të zgjedhjeve, nëse Rama do mbetet sërish në fuqi.

Përvoja jonë historike është e hidhur. Përveç rastit të ish-kryeministrit Fatos Nano, që bëri një tërheqje elegante dhe dinjitoze duke respektuar verdiktin popullor, pasardhësi i tij Berisha ka lënë shumë për të dëshiruar, ashtu si pasuesi i tij, Lulzim Basha. Përpjekja e Z.Berisha për t’u rizgjedhur si president i vendit ka qenë një nga më të hidhurit në vend, sfida e z.Rama, për mandatin e tretë, është një nga më të lodhshmet edhe më sfidueset, nëse ai nuk do të konsumohet krejtësisht, pa parashtruar në muajt në vazhdim një alternativë qeverisëse logjike dhe ndryshe.

Kohët kanë treguar se një pjesë e madhe e liderëve politikë në vend kanë angazhim të madh për të mbajtur pushtetin për aq kohë sa të munden, edhe pse kjo parimisht vlen më shumë për diktatorët sesa për udhëheqësit demokratikë. Dhe, jo më kot, kryetarët e partive tona zakonisht janë të pazëvendësueshëm. Heqja e demokracisë së brendshme dhe mosbërja e zgjedhjeve të strukturave, rasti i PS-së është evident, ashtu si i gjithë procesi shumë i përfolur i PD-së për kandidatët, është tregues i pagabueshëm. Dhe, vetë Ilir Meta nuk është pjesë por ideator i një precedenti, që krijesën e tij politike LSI-në e ka kthyer më shumë se partinë e familjes. Me këtë frymë po mundohet të përcjellë sot edhe ideologjinë e drejtimit, duke dashur të mbetet patjetër shumë aktiv në politikë, paçka se prej vitesh tregon mungesa të shumta në sensin e drejtësisë së drejtimit. Kuvendi, i drejtuar prej tij, ka qenë nga më të dobëtit, kurse presidenca, këtu falë dhe konfliktit me Ramën, ka qenë i pahonepsshëm. E paçka idealizimit tonë, ku ne kërkojmë shpesh sens drejtësie, nuk është se në Perëndimin demokratik nuk ka precedentë të tillë.  “Disa demokraci parlamentare kanë përjetuar mandate jashtëzakonisht të zgjatura të shefave të qeverive (të tilla si Kryeministri i Luksemburgut Jean-Claude Juncker, Kryeministri Australian Robert Menzies ose Kancelari gjerman Helmut Kohl, të cilët të gjithë shërbyen për më shumë se 15 vjet). Megjithatë, lista e udhëheqësve kombëtarë me qeverisjen më të gjatë është e përbërë tërësisht nga bartës të pushtetit në regjimet autokratike. Disa prej tyre kanë arritur mandatet prej gati 30 vjetësh e më shumë. Një nga arsyet më të dukshme të lidhura me regjimin për këtë mund të shihet në faktin se në të vërtetë nuk ka jetë pas politikës për shumicën e liderëve në regjimet autokratike”, citohet të shkruajë në një paper të tij të titulluar “Leadership succession in politics: The democracy/autocracy divide revisited” të Ludger Helms tek “The British journal of politics and international relations”. Po ndërsa autokratët përfundojnë në burgje, në eksil, apo më së shumti të vrarë prej kundërshtarëve, zyrtarët tanë veç kërkojnë struktura të përshtatin qeverisjen e tyre. Nga fjalët që thuhet dhe nga insistimi i Metës për të mbajtur pushtet dhe për ta krijuar atë edhe kur nuk mundet prej tagrit, kupton se tërheqja e tij është e pamundur.

Por kjo është pjesa teorike. Ilir Meta, në moshë më të re dhe Edi Rama në moshë pak më “të madhe” nuk mund të tërhiqen lehtë nga politika pa e kapur çdo nivel drejtimi të shtetit shqiptar me besimin se vetëm ata mund të drejtojnë. Për këtë të mjafton të shikosh mekanizmin e brendshëm të PS-së dhe LSI-së, ku të dy këta personazhe janë më shumë se të plotfuqishëm.

Në këto kushte, për Ilir Metën, që ka arritur i vetmi në majën e pushtetit politik pas Sali Berishës, mbetet i pakapshëm ende posti i kryetarit të Partisë Socialiste, që po artikulohet gjithnjë e më shpesh prej zërave që e njohin mirë. Ndërkohë që Edi Rama nuk ka prekur vetëm postin e presidentit të vendit, një post që lehtësisht mund të preket nëse do të ndjekë një logjikë normale të pazarit, që Meta me Ramën, mund të na e ofrojnë sërish në të ardhmen, ambalazhuar këndshëm, në kurriz së të tretëve.

PS-ja e pas Ramës do mund të jetë një strukturë që do të vuajë shumë gjetjen e identitetit gjatë transformimit të plotë prej kryeministrit aktual, ndërkohë që LSI-ja është një krijesë që mund të rehabilitohet pas çartjes shumë vjeçare po të futet në çadrën e familjes dhe mund t’i afrohet ideologjisë më klasike të tyre të një të Majte klasike shqiptare. Një qenie politike si Meta mund ta besojë dhe ta ketë si sfidë kryesimin e saj, në emër të identitetit të munguar, por në fakt që t’i përmbushë egon e tij të pashtershme. I gjithë skenari ndodh nëse PS-ja do të katandiset në formën amorfe, që po jeton sot partia kryesore kundërshtare, PD-ja. Pra të fusë në gjirin e saj LSI-në dhe kryetarit të saj real t’i besohet e ardhmja. Duket si utopi, në momentin që Rama e proklamon hapur fitoren, por individë si Meta, e bëjnë të pamundurën reale me magjinë e tyre të pazarit pa asnjë lloj skrupulli.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button