Administrimi i paligjshëm i provave digjitale
(Letër publike drejtuar Gjykatës së Lartë)

E nderuar Gjykatë e Lartë,
Po ju drejtohem publikisht për një çështje që prek drejtpërdrejt të drejtat e qytetarëve dhe rregullsinë e procesit penal në Shqipëri: mënyrën se si mblidhen, sekuestrohen, administrohen dhe ekzaminohen provat digjitale.
Neni 32, pika 2, i Kushtetutës sanksionon: “2. Askush nuk mund të deklarohet fajtor mbi bazën e të dhënave të mbledhura në mënyrë të paligjshme.”
Ekziston një opinion i gjithëpranuar se nenet 208/a dhe 209 të Kodit të Procedurës Penale nuk i përgjigjen më si duhet realitetit të sotëm teknologjik. E ka shprehur GJK në arsyetimin e saj me vendimin për çështjen E. Qyno (prill 2025). E deklaroi edhe kreu i SPAK në raportimin vjetor në KLP para pak ditësh.
Shqetësues është edhe fakti se standardet e Konventës së Budapestit (ratifikuar me ligjin 8888), sidomos ato që lidhen me masat procedurale për provat digjitale, nuk po zbatohen në praktikën e drejtësisë penale. Një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar nga Kuvendi prevalon edhe ndaj KPrP-së.
Edhe vendimi njësues i dhjetorit 2021 i Gjykatës suaj për çështjen Lapsi.al nuk duket se po respektohet si standard i qartë orientues. Ndërkohë, dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2025, në çështjet E. Qyno dhe O. Ymeraj, nuk e kanë zgjidhur plotësisht këtë problem.
Ja si po e zbaton SPAK vendimin 44/2025 të GJK-së (në vijim pjesë nga një kërkesë): ________________________________________ “Nga analizimi i të dhënave të ruajtura në këto pajisje të sekuestruara vlerësohet se mund të gjenden të dhëna si më poshtë: • Të dhëna në lidhje me aktivitetin e përdoruesit në internet (historia e navigimit në internet, shkarkime nga interneti, logime në internet, kërkime të kryera në internet, kërkime të kryera në hartat Google etj.); • Postime/komente/statuse në rrjetin social Facebook; • Komunikime në aplikacione të ndryshme të instaluara në aparatet; • Skedarë multimedia (audio, fotografi dhe video); • Të dhëna nga posta elektronike (e-maile) të plota dhe në formë të pjesshme dhe skedarë (multimedia dhe dokumente) të shkëmbyer si skedarë bashkëngjitur (attachments) e-maileve; • Dokumente të formateve të njohura si Excel, PowerPoint, Word (Open Office), PDF etj.; • Artefakte të aktivitetit të përdoruesit në kompjuter (si pajisjet USB/hard disk/CD/DVD të lidhura me kompjuterin, historiku i skedarëve dhe dokumenteve të hapura apo të aksesuara në kompjuter, programet e instaluara dhe përdorimi i tyre etj.).”
“Në lidhje me materialin që duhet kërkuar dhe përzgjedhur për këqyrjen e të dhënave, Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj nr. 44, datë 29.07.2025, ka vendosur një standard të ndryshëm nga ai që është zbatuar deri më sot, në lidhje me kërkimin dhe analizimin e të dhënave të gjetura në pajisjet kompjuterike.” “Ndër fjalët e kërkimit mund të përdoren, por pa u kufizuar në to, janë:” “Gjithashtu, në rast se gjatë kërkimit si më sipër do të merret njoftim në mënyrë rastësore mbi fakte penale të tjera, që nuk i shërbejnë objektivave të hetimit në kuadër të procedimit penal xxxx, që mund të japin njoftim mbi fakte dhe rrethana që lidhen me ndonjë vepër tjetër penale, të ndryshme nga ato që po hetohen në kuadër të procedimit xxxx, kërkojmë gjithashtu vijimin e mbajtjes nën sekuestro, duke u urdhëruar ruajtja kompjuterike nëpërmjet kopjimit në një pajisje të veçantë dhe ruajtja dokumentare e këtyre të dhënave kompjuterike, duke u dokumentuar ky evidentim në procesverbalin përkatës.” ________________________________________
Së fundi, kreu i SPAK, në raportimin vjetor në KLP, deklaroi se “prokuroria ka ngritur edhe një grup pune të posaçëm për të bërë një Udhëzim të Përgjithshëm me qëllim për të rregulluar nga ana juridike situatën se si ne duhet t’i bëjmë veprimet, por edhe për të unifikuar veprimet e prokurorëve.”
Një udhëzim i përgjithshëm i drejtuesit të SPAK nuk ka sesi të jetë mbi KPrP-në apo një vendim njësues/unifikues të GJL-së. Është mëse normale që, përtej vullnetit të mirë, prokuroria të jetë jo e paanshme në udhëzimin e saj.
Në praktikën penale, vazhdojnë të miratohen masa kontrolli, sekuestrimi dhe ekspertimi me formulime tepër të gjera, të cilat lejojnë ndërhyrje të thellë në jetën private të njerëzve, madje edhe kur bëhet fjalë për persona që nuk kanë asnjë status të veçantë procedural. Deri më sot, nuk shihet një reagim institucional i mjaftueshëm që t’i japë fund kësaj praktike.
KLGJ, KLP dhe ILD nuk kanë arritur të frenojnë procesin e parregullt ligjor lidhur me administrimin e provave digjitale. Kuvendi i Shqipërisë nuk e ka trajtuar këtë çështje në raportimet vjetore të institucioneve të pavarura të drejtësisë. Avokati i Popullit duket se, për momentin, ka agjendë të ngjeshur ndërkombëtare.
Po sjell një rast konkret. Në një vendim për kontroll banese dhe personi, thuhet se lejohet sekuestrimi i: “Pajisje elektronike, si kompjuter, laptop, hard disqe, USB, servera për pamje filmike, aparate telefoni, pavarësisht nëse iu përkasin personave që kontrollohen, familjarëve apo personave të tjerë”.
Ky formulim është tepër i gjerë. Ai nuk bën dallim të qartë midis personit që hetohet, familjarëve të tij dhe personave të tretë. Praktikisht, ai hap rrugën që të sekuestrohen pajisje që përmbajnë të dhëna private të njerëzve që nuk janë fare palë në procedim. Dhe kur një vendim i tillë nuk ka mjet ankimi, pyetja është e thjeshtë: kush i vendos kufi kërkesave të tilla të prokurorit dhe miratimeve të tilla të gjyqtarit?
Shqetësimi bëhet edhe më i madh në fazën e ekspertimit. Sipas raportit publik të SPAK, në faqen 77, thuhet se në katër vitet e fundit janë ekzaminuar rreth 2000 pajisje digjitale. Ky është një numër shumë i madh. Pikërisht për këtë arsye, publiku duhet të dijë se cilat garanci ligjore dhe teknike zbatohen gjatë këtij procesi. Nga sa bëhet e ditur, këto ekzaminime kryhen nga laboratori i ekspertizës i SPAK. Në këto kushte, lind natyrshëm nevoja për transparencë të plotë, standarde të verifikueshme dhe mundësi reale kontrolli nga mbrojtja dhe nga personat e prekur.
Sot nuk ka informacion publik të mjaftueshëm për një çështje thelbësore: a është i akredituar laboratori i ekspertizës i SPAK dhe cilat standarde ISO të “digital forensic” zbaton? “ISO/IEC 27037 (collection/preservation), ISO/IEC 27042 (analysis/interpretation), and ISO/IEC 17025 (laboratory competence)”
Nga korriku 2025 deri në janar 2026, mbrojtja ime ligjore i ka drejtuar SPAK katër kërkesa për informacion mbi akreditimin dhe standardet ISO, por deri më sot nuk ka marrë përgjigje. Kjo heshtje e përligj edhe më shumë shqetësimin.
Problemi nuk qëndron vetëm te mungesa e transparencës. Problemi qëndron edhe te vetë përmbajtja e vendimeve të ekspertimit. Në një vendim të tillë caktimi eksperti urdhërohet: “Nga aparati celular i markës ‘IPHONE 14 Pro Max’ i sekuestruar, përshkruar më hollësisht në pjesën konstatuese, të nxirren të gjitha të dhënat si numra të regjistruar në aparat, thirrjet hyrëse dhe dalëse, SMS apo MMS, mesazhet nga aplikacionet e ndryshme, fotografitë, videot, regjistrimet audio, dokumente në formate të ndryshme etj. Të dhënat që disponohen në këtë aparat, si dhe ato të fshira, nëse mund të rikuperohen”.
Në thelb, ky është një urdhër për të marrë gjithçka. Nuk ka kufij të qartë. Nuk ka ndarje sipas periudhës kohore. Nuk ka kufizim sipas objektit të hetimit. Nuk ka filtër për të dhënat e personave të tretë. Dhe kur një vendim i tillë nuk i njoftohet personit të interesuar, ky i fundit mbetet praktikisht pa asnjë mjet efektiv kundërshtimi.
Në epokën digjitale, telefoni, kompjuteri apo hard disku nuk janë thjesht sende. Ato përmbajnë komunikime, fotografi, dokumente, marrëdhënie personale, kujtime familjare dhe sekrete profesionale. Prandaj, sekuestrimi i një pajisjeje nuk mund të kuptohet automatikisht si leje për të hyrë pa kufi në të gjithë përmbajtjen e tij.
Mund të jetë e nevojshme edhe ndërhyrja e ligjvënësit për të përmirësuar Kodin e Procedurës Penale.
Por deri atëherë, në përmbushje të rolit të saj për unifikimin e praktikës gjyqësore, Gjykata e Lartë do të duhet të japë një standard të qartë. Ky standard do të duhet të sqarojë, pa ekuivok, kur lejohet sekuestrimi i pajisjeve të personave të tretë, nëse sekuestrimi i pajisjes lejon automatikisht kontrollin e plotë të përmbajtjes së saj, cilët janë kufijtë e ligjshëm të një urdhri ekspertimi për të dhënat digjitale dhe si garantohet njoftimi dhe e drejta e kundërshtimit për çdo person të prekur.
Sa më gjatë të vazhdojë kjo paqartësi, aq më shumë procese penale do të zhvillohen mbi prova të marra në kushte të dyshimta ligjore.
Sa më shumë të vonohet vendosja e standardeve të qarta, aq më i madh bëhet rreziku për të drejtat themelore të qytetarëve. Për këtë arsye, mendoj se është koha që Gjykata e Lartë të ndërhyjë me një vendim të ri unifikues apo njësues, ose të plotësojë standardet e vendimit të saj të dhjetorit 2021 në çështjen Lapsi.al.
Një ndërhyrje e tillë do t’u shërbente jo vetëm palëve në procese konkrete, por sigurisë juridike në Shqipëri.
Me konsideratë,
Ilir Beqaj



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.