Për një vlerësim objektiv sa më realist të zhvillimeve të ekonomisë sonë

Tani që po thuajse kanë dalë shumica e treguesve ekonomikë fiskalë të tremujorit të parë, është bërë evidente nevoja e një vlerësimi sa më realist e i studiuar objektivisht i zhvillimit ekonomik të vendit.
Kjo si për faktin se gota e mbushur për gjysmë mund të lexohet gjysmë bosh apo gjysmë plot, pra duke evidentuar të njëjtën gjë, por duke e interpretuar secili sipas mendimit dhe qëndrimit të vet, është e do të mbetet objekt dialogu, diskutimi, debati e pse jo anatemimi. Por ajo merr një rëndësi të veçantë sidomos në kushtet e ngjarjeve ndërkombëtare në Hormuz apo Ukrainë dhe sa e si pritet të vijojnë ato gjatë javëve, muajve, vitit.
Pa u mbyllur muaji prill dhe pa dalë rezultatet e tij, që më 22 prill Kryeministri z. Edi Rama, në bisedën me Alexis Papahelas, kryeredaktor i gazetës Kathimerini, deklaroi: “… sapo pashë shifrat e katërmujorit të parë, jemi në rreth 300 milionë euro më shumë të ardhura, krahasuar me vitin e kaluar dhe rreth 100 milionë mbi vlerën e planifikuar dhe nuk është vetëm rritje, por është edhe ngushtimi i hapësirës së ekonomisë informale, sepse kemi futur në veprim edhe inteligjencën artificiale, gjurmimin digjital…”
I dëgjon këto dhe nuk mund të mos të lindë pyetja: pse kjo eufori!? Në datën 21 prill Ministria e Financave kishte publikuar “Përmbledhje e Performancës Paraprake të të Ardhurave dhe Shpenzimeve për Janar-Mars 2026” dhe rezultatet e të ardhurave buxhetore, me një shtesë prej 24.1 miliard lekë ose një rritje prej 13.3%, në fakt janë mjaft të larta, mjaft të mira. Vetëm ai që mendon: “përse t’i bëhet mirë atij apo këtij, ndonëse mua nuk më bëhet ekonomikisht keq, se përfitoj realisht edhe unë?!” mund të mos kënaqet nga kjo ecuri. Ndërkohë lind pyetja: çfarë herezie do të ishte nëse kryeministri do deklaronte se vetëm në tremujorin e parë të këtij viti ka patur një shtesë prej 250 milion euro të ardhura buxhetore më tepër se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ose gati sa dyfishi i ritmit të rritjes!? Natyrisht, asnjë herezi. Por me sa duket është një sinjal se gota për gjysmë duhet lexuar jo vetëm gjysmë plot, por të shmanget çdo lexim realist i saj. Ndryshe mund të përjashtohesh nga partia.
Për hir të së vërtetës, në fakt ky qëndrim euforik nxit dhe ushqen sa bindje të verbër brenda radhëve të mazhorancës, aq edhe mosbesim e zhgënjim tek të tjerët, qoftë dhe votues të mazhorancës e jo thjesht tek opozitarët.
Kjo për faktin se ndërkohë shpenzimet gjithsej të planifikuara për tremujorin e parë nuk janë realizuar, ose kanë rezultuar 11.9 miliard lekë më pak, ose -7.1% më pak, ndërsa shpenzimet kapitale 4.5 miliard më pak, ose me një rënie prej -47.4%, dhe gati 3 miliard lekë ose -36.0% më pak se realizimi i tyre vitin e kaluar. Vërtet që bilanci i buxhetit të qeverisë rezultoi për tremujorin e parë me një suficit 49.2 miliard lekë, që do të thotë se afro ¼ e gjithë të ardhurave buxhetore mbetën pa u shpenzuar, kur deficiti vjetor parashikohet -63.7 miliard lekë.
Mosrealizimi i shpenzimeve kapitale në këto përmasa dhe “kursimi” i tyre gjatë gjithë vitit, kur ato janë parashikuar në buxhet në masën e 179.8 miliard lekëve, pavarësisht nga etiketa dhe qëndrimi se çdo kursim i buxhetit e për rrjedhojë dhe shpenzimeve për investime do të shkojë në dobi të krijimit të fondit të kompensimit të të ardhurave mujore të pensionistëve për vitin e ardhshëm 2027, de facto do të thotë realizim i praktikës së atij fshatari që u përpoq ta mësonte gomarin pa ngrënë. Ka ngjarë, pa u rrëfyer.
Mbytja e çdo zëri për të menduar, gjykuar e artikuluar, qoftë brenda mazhorancës, është një element tjetër domethënës se praktika e mësipërme e fshatarit ka për t’u ndodhur, të paktën për t’u dobësuar.
Ndërkohë ka për të ndodhur që mbështetësit e zjarrtë të alternativës së fundit, për të mundësuar rritjen e të ardhurave të pensionistëve jo nga rritja reale e qëndrueshme ekonomike afatgjatë e vendit, por nëpërmjet kompensimit të të ardhurave mujore të pensionistëve, nuk do të mungojnë të prezantojnë një shifër që rezulton nga pjesëtimi midis stokut të borxhit publik në lek në fund të tremujorit të parë dhe PBB-së së planifikuar për gjithë vitin 2026: 48.79% të PBB-së. Pra, borxhi publik ka rënë dukshëm krahasuar me vitet paraardhëse. Kjo në vetvete nuk ka gabim aritmetik, veç asaj se stoku i borxhit në tremujorin e parë duhej të pjesëtohej me PBB-në e tremujorit të parë dhe jo atë të gjithë vitit 2026. Natyrisht, kur ta marrë vesh kryeministri, nuk do të mungojë ta trumbetojë këtë arritje tepër të madhe.
Kjo metodë e prezantimit të realitetit nga z. Rama është shfaqur dukshëm edhe kur ka lexuar ecurinë e numrit të turistëve për muajin mars dhe për tremujorin e parë të këtij viti. Ritmi i rritjes së turistëve gjatë tremujorit të parë ka qenë një rritje modeste, rreth 3 përqind. Por në muajin mars, me shpërthimin e ngjarjeve në Hormuz, paradoksalisht numri i turistëve në vendin tonë është shtuar mbi 10 përqind. Kjo në vetvete, duke qenë fakt, nuk mund të mos gëzojë jo vetëm përfituesit e drejtpërdrejtë nga shtimi i turistëve, por mbarë qytetarët.
Por kjo nuk përjashton që, duke krijuar të gjitha kushtet për këtë oportunitet, nuk është herezi të paktën të lexohet dhe rekomandohet ajo që shkruan e thotë Banka Botërore: “Turizmi është mundësia e artë e Shqipërisë, frytet e së cilës ekonomia po i merr prej disa vitesh me një efekt zinxhir edhe në industri të tjera të lidhura me të, por njëkohësisht ky sektor është edhe pika e dobët.”
Kjo, për mendimin tim, do të thotë që ithtarët e kryeministrit Rama, krahas evidentimit të rritjes së të ardhurave buxhetore gjatë tremujorit të parë, krahas trumbetimit të rënies së nivelit të stokut të borxhit publik në lek në fund të tremujorit të parë, t’i bëjnë me dije publikut disa fakte të tilla, p.sh. se niveli i çdoganimit të karburanteve për tremujorin e parë të këtij viti ka qenë 155.7 mijë tonë, nga 158.7 mijë ton në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar — pra ka stanjacion. Por ndërkohë qytetari kërkon të dijë se sa ishte çmimi për një litër (ton) i karburantit në mars 2026 dhe sa ishte ai në mars 2025, cilat ishin vlerat e arkëtuara nga importi i karburanteve, cilat ishin të ardhurat buxhetore vetëm nga karburanti për marsin e këtij viti dhe efekti i ndryshimit në rritje të çmimit të tij.
Mungesa e kësaj transparence është jo e drejtë, e pasaktë e papranueshme për një qeverisje të mirë dhe sidomos për një ecuri të qëndrueshme afatgjatë të ekonomisë.
Po kështu qytetari do të dijë se shtesa e të ardhurave buxhetore nga taksat lokale ishte në tremujorin e parë 10 miliard e 773 milion lekë; cilat janë taksat konkrete nga të cilat është realizuar kjo shtesë gjithsej, apo se cila është pritshmëria e Ministrisë së Financave dhe Këshillit të Ministrave për ecurinë e të ardhurave buxhetore të pushtetit vendor për gjithë vitin, kur për tremujorin e parë kjo shtesë ka qenë 12.1 miliard lekë më shumë, ndërkohë që për gjithë vitin 2026 është parashikuar që ato të shtohen prej 3.2 miliard lekësh. Një panoramë e plotë dhe rritje e mundshme e realizuar edhe si rrjedhojë e rivlerësimit të banesave do të gëzonte jo vetëm kryeministrin, Ministrinë e Financave, pensionistët përfitues të kompensimit të të ardhurave mujore, por shumicën dërrmuese, përfshi shkruesin e këtyre radhëve.
Po ndërkohë qytetarit i duhet bërë me dije se, ndërsa shtesa e stokut të kreditit bankar në mars të 2026 ndaj muajit dhjetor 2025 ishte 14.8 miliard lekë, në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ishte 30.6 miliard lekë.
Rënia e shtesës së stokut të kredisë, e karburanteve në njësi fizike, e shpenzimeve kapitale, më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, natyrisht kanë efektet e tyre në rritjen reale të Produktit të Brendshëm Bruto. Për rrjedhojë, nuk është rastësi që Banka Botërore ka ulur pritshmërinë e ritmit të rritjes ekonomike të vendit tonë për vitin 2026.
Për rrjedhojë, le të “vazhdohet” të mbytet çdo zë i mazhorancës që përpiqet të gjykojë e shpalosë mendimin e vet, le të mos dëgjohet zëri i çdo ekonomisti shqiptar, por të paktën le të lexohet raporti i Bankës Botërore i prezantuar dje: “Përshtatja ndaj goditjeve, mobilizimi i potencialit të pashfrytëzuar”, të reflektohet prej argumenteve të tij dhe të lexohet sa më objektivisht dhe realisht realiteti.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.