Ekonomia

Aeroporti i Rinasit, fitime mbi normën. Negociata për uljen e tarifave?

Koncesioni i Aeroportit të Rinasit rezulton me disbalanca ekonomike, në disfavor të shtetit shqiptar. Top Channel ka mësuar se “BDO Albania” ka përfunduar auditimin ekonomik të kontratës koncesionare për aeroportin e vetëm ndërkombëtar të vendit.

Gjetjet e hollësishme të auditimit pritet të bëhen publike vetëm pasi raporti t’u jetë dorëzuar të dyja palëve, pra qeverisë dhe kompanisë koncesionare të aeroportit.

Por, Top Channel ka mësuar se nga auditimi i treguesve financiarë, për të gjithë jetëgjatësinë e koncesionit, ka rezultuar se kompania koncesionare ka fituar më shumë të ardhura nga sa ishte parashikuar në skenarin fillestar.

Prej vitesh, “Tirana International Airport” rezulton një nga koncesionet me fitimet më të larta në Shqipëri. Sipas bilancit zyrtar, për vitin 2017 kompania realizoi një normë fitimi prej 22 milionë eurosh, ose 46 për qind mbi të ardhurat bruto.

Në kontratën koncesionare të nënshkruar në vitin 2004 ekziston një pikë, e cila i jep të drejtë secilës nga palët të kërkojë rishikim të pavarur të pozicionit ekonomik të koncesionit. Kjo ishte hapësira që shfrytëzoi qeveria shqiptare verën e vitit të kaluar, për të kërkuar auditimin e koncesionit nga një ekspert i pavarur.

Por, çfarë ndodh tani?

Pas auditimit nga eksperti i pavarur, qeverisë i lind e drejta të nisë negociatat me kompaninë koncesionare për të kërkuar rikthimin e balancës ekonomike të koncesionit, ose e thënë ndryshe për të kërkuar kompensim.

Sipas parashikimeve në kontratë, ky kompensim mund të vij në disa rrugë, duke përfshirë pagesën direkte në buxhet, ose uljen e tarifave aeroportuale, gjë që do të çonte automatikisht në uljen e çmimit të biletave për qytetarët.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button