Aeroporti i Vlorës – Negociatat e qeverisë me 3 kompanitë turke nisin pas 15 ditësh
Diskutimet mund të nisin brenda 45 ditësh nga hyrja në fuqi e ligjit, ndërsa objekti i tyre do të jetë projektimi, ndërtimi, operimi, mirëmbajtja dhe menaxhimi i këtij aeroporti, i cili planifikohet të ndërtohet në zonën e Akërnisë.
Procedura e negocimit për lidhjen e kontratës do të kryesohet nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe në përbërje të tij do të ketë anëtarë, përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Avokatura e Shtetit, Autoriteti i Aviacionit Civil dhe përfaqësues nga institucione të tjera që gjykohen të nevojshme. Ndërkohë që, pas dakordësimit kontrata finale do të shkojë për miratim në qeveri e më pas në parlament.
Në janar të këtij viti, kryeministri Edi Rama njoftoi marrjen e kërkesës zyrtare për ndërtimin e këtij aeroporti, ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri me dije se investimi do të jetë privat dhe jo me para të buxhetit të shtetit.
Ndërkohë që, gjatë diskutimit të projektligjit në Kuvend, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj tha se kosto buxhetore për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës do të 2.5 milion USD në vit, pasi qeveria shqiptare do të mbajë vetëm riskun e kërkesës, që lidhet me numrin e pasagjerëve. Ndërsa, sipas ministrit Damian Gjiknuri ndërtimi i tij është domosdoshmëri, pasi ka një dyfishim të kërkesës për transport ajror.