Ahmetaj: Mbështetje sektorëve prodhues dhe partneritetit publik-privat
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Sipërmarrjes dhe tregtisë, Arben Ahmetaj i konsideroi bujqësinë dhe manifakturat dhe shërbimet si drejtimet kryesore, në të cilat po mbështetet zhvillimi ekonomik i vendit, nisur nga politikat mbështetëse të Qeverisë dhe impaktet pozitive që kanë arritur sivjet këto sektorë, ndërsa theksoi rëndësinë që po merr partneriteti publik-privat, si model i ri zhvillimi me ndikim në rritjen e ekonomisë shqiptare.
I pranishëm në Konferencën “Së bashku drejt BE-së”, organizuar nga Ambasada e R/F.Gjermanisë në Tiranë, GIZ dhe banka Kfë, Ahmetaj garantoi mbështetjen e mëtejshme të sektorëve, duke u përqëndruar tek prodhimi, që gjeneron punësim, rrit të ardhurat për qytetarët dhe eksportet.
“Qeveria po fokusohet tek inovacioni, që do të thotë stabilitet ekonomik në këta sektorë”, tha ministri, që renditi paketën mbështetëse për sektorin e industrisë fason, përfshirjen e biznesit në paketat për rritjen e punësimit, etj.
Duke renditur tregues si eksportet në 9 muaj që arritën vlerën 111 milionë usd, hapjen e 4300 vendeve të reja pune në sektorin e manifakturës, rritjen e prodhimit të mbyllur vendas dhe për eksporte, etj, ministri i MZHETS u ndal tek partneriteti publik-privat.
“Ne jemi duke listuar të gjithë sektorët e shërbimeve në bashkëpunim me ministritë e tjera, me qëllim që t’i përfshijmë si model zhvillimi”, tha Ahmetaj.
Duke theksuar se ministria e Zhvillimit Ekonomik, Sipërmarrjes dhe Tregtisë ka punuar fort për përmirësimin e klimës së biznesit, Ahmetaj tha: “ne paraqesim sot në qeveri Aktin e derregullimit me përmirësimin e 7 pikave në lehtësimin e klimës së biznesit”.
“Sfidat e ekonomisë nuk përfundojnë kurrë, ndaj duhet ndjekur rruga më e mirë”, tha Ahmetaj ku vecoi modelin gjerman në zhillimin e ekonomisë, si një shembull shumë pozitiv për t’u ndjekur në ekonominë shqiptare.
Ministri Ahmetaj tha se deri në fund të vitit pritet që Investimet e Huaja Direkte të arrijnë në kuotën rreth 1,4 miliardë usd, nisur nga vlera prej rreth 300 milionë usd që u arrtit në 3-mujorin e parë 2014.