Ahmetaj: Reformat po konsolidojnë rritjen ekonomike
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj mori pjesë sot në Konferencën e Katërt Financiare organizuar nga Banka e Shqipërisë, me pjesëmarrjen e partnerëve financiarë ndërkombëtarë dhe përfaqësuesve të bankave të nivelit të dytë në vend.
Në fjalën e tij, ministri përmendi disa nga masat kryesore të ndërmarra nga qeveria në 3 vitet e fundit me qëllim garantimin e rritjes ekonomike të qëndrueshme, duke përmirësuar në të njëjtën kohë produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e vendit.
“Për më tepër, këtë vit projektojmë një suficit primar prej +0,5% duke i qëndruar nga ana tjetër angazhimit tonë për të ulur borxhin publik në raport me PBB nga 72% në 2015, në poshtë nivelit të 60%. Përmes implementimit të reformave strukturore kemi mundësuar një progres të rëndësishëm në drejtim të menaxhimit të financave publike. Ne presim një përmirësim të mëtejshëm të balancës primare, në funksion të uljes së borxhit dhe kostove të tij”, tha Ahmetaj.
“Kemi provuar se i qëndrojmë fjalës së dhënë dhe jemi seriozë në përpjekjet tona për realizimin e reformave të rëndësishme dhe të vështira, për të cilat qytetarët shqiptarë kanë sakrifikuar në tre vitet e fundit, me qëllim që ekonomia shqiptare më në fund ta linte krizën mbrapa dhe të niste një kapitull të ri të konsolidimit dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike”, tha Ahmetaj.
Sa i takon risqeve në sektorin financiar, Ahmetaj tha se së bashku me Bankën e Shqipërisë, Bankën Botërore dhe FMN, janë ndërmarrë një sërë nismash të rëndësishme me qëllim krijimin e një sektori financiar të shëndetshëm dhe mirëfunksional.