Ekonomia

AK: Tregjet, funksionimi i tyre ka nevojë për procedura transparente

Në raportin që Autoriteti i Konkurrencës (AK) ka dorëzuar në Kuvend, ka marrë në skaner gjithë sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë. Pas thellimeve të hetimeve në energji, hidrokarbure, kasa fiskale, apo transport detar, AK shpreh rezervat e veta për funksionimin e tyre duke dhënë dhe rekomandimet përkatëse se si duhet të jetë funksionimi i tyre. Transparenca dhe lejimi i konkurrencës në tregje që sot janë monopol, konsiderohen si dy pika të rëndësishme që mund t’i bëjnë sektorët më funksionalë.

Tregu i energjisë elektrike

Komisioni i Konkurrencës me anë të vendimit nr. 388, datë 14.12.2015 “Për mbylljen e procedurës së hetimit të thelluar në “Tregun e blerjes së energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve në sistemin e shpërndarjes” dhe disa rekomandime për Entin Rregullator të Energjisë dhe Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike”, ka rekomanduar që gjatë procedurave të plotësimit të kuadrit nënligjor lidhur me modelin e tregut dhe rregulloret e posaçme për blerjen e energjisë nga OSHEE për mbulimin e humbjeve, të mbahen parasysh rekomandimet e përsëritura të Autoritetit të Konkurrencës lidhur me parimet e garës dhe transparencës së procedurave dhe zbatimin e rregullave të ankandit sipas praktikave më të mira të ofruara nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë dhe vendet anëtare; ndalimin e pjesëmarrjes së ndërmarrjeve të lidhura që i përkasin të njëjtit grup, apo kanë lidhje aksionerësh, të paraqiten me oferta të veçanta në procedurat e prokurimit apo të blerjes së energjisë elektrike.

Tregu i karburanteve dhe gazit të lëngshëm të naftës

AK ka dhënë gjithashtu disa rekomandime lidhur me mirëfunksionimin e tregut të prodhimit, importit dhe tregtimit me shumicë të karburanteve. Ndër këto rekomandime është krijimi i bazës ligjore dhe infrastrukturës administrative të nevojshme për një njësi të transparencës së çmimit të hidrokarbureve në të cilën ndërmarrjet që operojnë në tregun e prodhimit, importit dhe tregtimit me shumicë të karburanteve duhet të njoftojnë në kohë reale brenda 5- 15 minuta këtë njësi dhe Autoritetin e Konkurrencës për çdo ndryshim të çmimit të shitjes me shumicë; vlerësimin e zbatimit të marrëveshjes koncesionare në portin “Vlora 1” për respektimin e detyrimit të mos përfshirjes së koncensionarit në tregtimin e karburantit si dhe transferimin e së drejtës ekskluzive në tregjet e lidhura; ndërtimin e instrumenteve për të kontrolluar hyrjet dhe daljet e shpeshta brenda vitit financiar të ndërmarrjeve që operojnë në tregun e tregtimit me shumicë të karburanteve, të cilët gjenerojnë konkurrencë të pandershme. Nëpërmjet këtij vendimi është rekomanduar që ndërmarrjet që operojnë në tregun e hidrokarbureve të paraqesin pranë AK për vlerësim, marrëveshjet që ato lidhin për realizimin e importeve të përbashkëta apo përdorimin e logjistikës, për të përfituar përjashtimin individual të tyre.

 Tregu i transportit ajror dhe detar

AK rekomandon në lidhje me draft-amendamentin e Marrëveshjes së Koncesionit të lidhur më datë 15 Tetor 2004 ndërmjet Qeverisë dhe Tirana Internacional Aeroport SHPK” mos zgjatjen e afatit të ekskluzivitetit për fluturimet ndërkombëtare pavarësisht kushteve të vendosura nga koncesionari për rishikimin e marrëveshjes; liberalizimin e shërbimeve (ground handling) sipas anekseve të kontratës koncesionare: (i) Pagesës së Shërbimit në Tokë dhe e Uljes dhe e Ngritjes, (ii) Pagesës për Pasagjerët, (iii) Pagesës së Kargos, (iv) Pagesës së Parkimit të Avionëve dhe (v) Pagesës së ndriçimit të aerodromit. Nëpërmjet këtij vendimi është kërkuar edhe zbatimi i vendimit të  Komisionit të Konkurrencës nr. 308, datë 21.02.2014 “Për disa rekomandime për rritjen e konkurrencës në tregun e shërbimit të transportit ajror”, në mënyrë të veçantë: “Për shkak të pozicionit të kompanisë koncesionare si i vetmi ofrues i shërbimeve ndërkombëtare të transportit të pasagjerëve, OSHA të hartojë dhe aprovojë një metodologji/rregullore për vendosjen e tarifave të aeroportit, si edhe tarifat të jenë të orientuara drejt kostos”.

Tregu i ndërtimit/prokurimit publik

AK rekomandon që në ndarjen e loteve të mos krijojë mundësi për ndarje tregu sipas vëllimit të punimeve ndërmjet konkurrentëve dhe ndarje tregu gjeografik; të kryhet vlerësimi i plotë i kritereve ekonomike dhe financiare për të gjithë pjesëmarrësit apo bashkimet e kompanive pjesëmarrëse me qëllim që të sigurohet trajtim i barabarte dhe jodiskriminues ndërmjet pjesëmarrësve në procedura, si dhe; të shmangen format e paradhënies dhe vlerësimit preferencial ndaj ndërmarrjeve të ndryshme të cilat kufizojnë konkurrencën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button