AKEP dorëzohet, do të ulen tarifat e celularëve
Autoriteti: Ka dominim dhe bllokim. Tarifat e shumicës të ulen më 31 dhjetor 2014, ndërhyrje edhe në tregun e pakicës
Tarifat – “Operatorët celularë jo gjithmonë kanë reflektuar reduktimet e tarifave të terminimit në tarifat e thirrjeve drejt rrjeteve të tjera”
Kyçja – Sipas AKEP-it, negativ shfaqet dhe fenomeni i kyçjes së përdoruesve në përdorim të ofertave dhe jo të paketave tarifore standarde
Propozimi – AKEP-i, bazuar në rekomandimet e AK-së, gjykon se: duhet të vendoset detyrimi për mosdiskriminim në tarifa me pakicë (on-net dhe off-net)
Ofertat – Duhet të ketë një kufizim të ofertave, me qëllim rritjen e përdorimit të paketave standarde dhe përfitimeve prej tyre
Kufizimi – Ofertat të kenë afat të përcaktuar qartë që në fillim dhe jo më të gjatë se dy muaj, përndryshe të përfshihen në paketa standarde
Nga Zamir Alushi
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) pranon më në fund se tregu i telefonisë celulare është i bllokuar dhe i dominuar. “Vodafone”, AMC dhe “Eagle” duhet të ulin tarifat e terminimit (tregu i shumicës) në nivelin e 1.48 lekë/min, por edhe të heqin diferencimet e çmimeve me pakicë mes thirrjeve brenda me ato jashtë rrjetit. Kjo duhet të bëhet deri më 1 janar 2015. Kështu, AKEP-i bindet të ndërhyjë në tregun celular pas ankesave ligjore të operatorëve dhe të rekomandimeve të Autoritetit të Konkurrencës (AK). Nga analiza e tregut, e përfunduar nga AKEP-i, dalin këto konkluzione: pozitë dominuese të dy operatorëve kryesorë; efekti klub sjell një peshë të lartë të thirrjeve brenda rrjetit, rreth 93%, duke rrezikuar deri daljen nga tregu të operatorëve të vegjël, si rrjedhojë e tarifave shumë të lira të tarifave brenda rrjetit kundrejt atyre jashtë rrjetit; mosreflektim nga operatorët i ndërhyrjeve të AKEP-it në tregun e shumicës (tarifat e terminimit).
Analiza e tregut
AKEP-i ka publikuar për këshillim publik dokumentin “Analizë e tregut celular: tregjet më shumicë të terminimit dhe tregu me pakicë i shërbimeve publike në rrjetet e telefonisë së lëvizshme – Këshillim Publik”. Kjo fazë këshillimi do të zgjasë 60 ditë. Dokumenti përmban analizën e tregut për FNT (fuqi të ndjeshme në treg) për tregjet përkatëse, si dhe detyrimet e propozuara për këto tregje të analizuara. Sipas AKEP-it, “është një dokument rregullator shumë i rëndësishëm dhe masat rregulluese që do të merren në varësi të gjetjeve për FNT, pas procesit të këshillimit publik, kanë një ndikim të rëndësishëm në tregun e komunikimeve elektronike në Shqipëri”. Dokumenti ndahet në dy pjesë: tregjet me shumicë të terminimit të thirrjeve në rrjete publike telefonike individuale të lëvizshme; tregu me pakicë i shërbimeve celulare. Lidhur me analizën e tregut për FNT, AKEP-i referon që të katër operatorët celularë (“Vodafone”, AMC, “Eagle”, “Plus”) përmbushin kriteret për fuqi të ndjeshme në tregjet përkatëse të terminimit të thirrjeve zanore në rrjetet e tyre celulare. Në mungesë të ndërhyrjes rregullatore, çdo operator do të ishte në gjendje t’u impononte operatorëve vendas tarifa të larta për terminimin e thirrjeve në rrjetin celular që zotëron.
Masat rregulluese
Propozimi i AKEP-it është për masa rregulluese fillimisht për tregjet me shumicë të terminimit të thirrjeve në rrjetet celulare dhe më pas për problematikën on-net/off-net. Sipas AKEP-it, në bazë të parashikimeve të ligjit, neni 34: “Nëse AKEP-i përcakton se një ose disa sipërmarrës kanë fuqi të ndjeshme në treg, pra nuk ka konkurrencë efektive, atëherë ajo vendos ndaj tyre një, disa ose të gjitha detyrimet e veçanta të nevojshme”. AKEP-i, bazuar në gjetjet e analizës së tregut dhe rekomandimet e Autoritetit të Konkurrencës, gjykon që të bëjë disa ndryshime në tarifat e terminimit të përcaktuara më 13.03.2013. Ndryshimet synojnë që: Tarifa e terminimit e “Vodafone”, AMC dhe EM të reduktohet më 01.01.2015 ose në dhjetor 2014 (në varësi të kohës së marrjes së vendimeve finale për FNT), në nivelin 1.48 lekë/minutë, që përbën tarifën mesatare benchmark për vendet anëtare dhe kandidate në BE që kanë aplikuar këtë sistem në 2013; tarifa e terminimit në rrjetin “Plus Communication” të qëndrojë 6.52 lekë/minutë deri në një vendim tjetër të AKEP-it. Reduktimet e mësipërme për tre operatorët e mëdhenj, më të hershëm në treg, sipas AKEP-it, kryhen me qëllim përshpejtimin e eliminimit të diferencave në tarifat on-net/off-net dhe si një ndër masat më efikase për këtë problematikë. Operatorëve më të vegjël u reduktohen ndjeshëm kostot për thirrjet off-net dhe në këtë mënyrë kanë mundësi më të mëdha replikimi dhe konkurrimi të ofertave, paketave tarifore të operatorëve më të mëdhenj.
Mosdiskriminimi i brendshëm
Një mënyrë e reduktimit të problemit të diskriminimit on-net/off-net, sugjeron raporti, është vendosja e detyrimit të mosdiskriminimit të brendshëm (internal non-discrimination) në nivel me shumicë për terminimin e thirrjeve në rrjetet e operatorëve celularë. Ky detyrim, sipas raportit të AKEP-it, mund të formulohet si më poshtë: “Operatori X ndalohet të aplikojë tarifa me shumicë të terminimit (transfer price) për pjesën e vet retail (thirrjet on-net) më të ulëta se tarifa e terminimit e aplikuar për operatorët e tjerë konkurrentë”. Eliminimi i diskriminimit on-net/off-net apo mosdiskriminimi i brendshëm mund të arrihet duke vendosur në mënyrë më të thjeshtë detyrimin që tarifat brenda rrjetit të jenë të barabarta me tarifat jashtë rrjetit, theksohet në analizën e AKEP-it.
Krahasimi me rajonin, loja me ofertat në Shqipëri
Nga të dhënat e nivelit të tarifave celulare në vendet e rajonit, sipas AKEP-it, vihet re se edhe aty ka oferta, promocione me tarifa shumë të lira me parapagim dhe me kontratë, por niveli i tarifave në programe standarde me parapagim është shumë më i ulët se në Shqipëri; në shumicën e rasteve nuk ka dallim për tarifa on-net dhe off-net, dhe këto janë të barabarta si te përdoruesit me parapagim dhe me kontratë, ndërsa shportat e minutave zakonisht janë gjithëpërfshirëse (on-net/off-net); programet me kontratë, me konsum të ngjashëm në Shqipëri, kushtojnë shumë më tepër se në vende të tjera (krahasimet e operatorëve celularë të të njëjtit grup ndërkombëtar celular). Këto dallime vihen re në Mal të Zi, Maqedoni dhe Rumani. Tarifat e thirrjeve në programet standarde me parapagim në Shqipëri janë në nivele 29-39 lekë/minutë dhe 14-17 lekë/SMS, të cilat vihet re se janë shumë më të larta se ato në vendet fqinje. Në kushtet kur tarifat standarde janë shumë të larta, përdoruesi drejtohet për përdorim kryesisht tek ofertat/promocionet, dhe kjo duket se është bërë normë në Shqipëri, duke lidhur përdoruesit me operatorin përkatës dhe duke e bërë të pandjeshme ndaj çmimeve standarde. Përdoruesit që nuk janë shumë të dhënë pas ofertave (për arsye nga më të ndryshmet) detyrohen të paguajnë tarifat standarde që janë shumë më të larta se ofertat. Skontot shumë të mëdha për thirrjet brenda rrjeteve/grupeve dhe tarifat e larta standarde çojnë në lidhje me operatorin celular dhe mbajtjen e shumë kartave SIM për përfitim nga tarifat on-net shumë të lira.