AKEP shtyn tenderin – Brezi 800 Mhz, ofertat do të hapen në 3 dhjetor
Vendimi i Këshillit të Ministrave për rregullat e zhvillimit të tenderit publik për dhënien e të drejtës së përdorimit të frekuencave përcakton se, në rastin kur bëhen ndryshime në dokumentin e tenderit, afati i dorëzimit të ofertave duhet shtyrë me të paktën pesë ditë. Në rastin konkret, AKEP e ka shtyrë afatin me më shumë se dy muaj. Një shtyrje kaq e gjatë sigurisht që nuk justifikohet me saktësimin e bërë në dokumentet e tenderit. Për arsyet e vërteta të shtyrjes së garës mund të ngrihen hipoteza të tjera. E para është e natyrës teknike.
Siç vuri në dukje TV Scan javën e kaluar, brezi 800 Mhz ende përdoret për transmetime analoge në në qarqet e Tiranës dhe Durrësit. Vendimi i Autoritetit të Mediave Audiovizuale për shtyrjen e transmetimeve analoge, parimisht, pengon kalimin e këtij brezi në përdorim të operatorëve të komunikimeve elektronike. Një arsye tjetër për shtyrjen mund të jetë interesi i pakët i investitorëve.
Shuma dysheme e përcaktuar në tender për marrjen e një të drejte përdorimi është 7.44 milionë euro. Duke pasur parasysh momentin e vështirë që po kalon tregu i telefonisë celulare dhe komentet e operatorëve në konsultimin publik, nuk është e thënë që të gjithë të jenë të gatshëm të paguajnë një shumë të tillë.