AKU për helmimin e studentëve: Mostra të produkteve janë pranë laboratorit, në pritje të rezultateve të analizave
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar se po vijon hetimet lidhur me rastin e dyshuar të helmimit të 56 studentëve në Akademia e Sigurisë.
Sipas AKU-së, menjëherë pas marrjes së informacionit për incidentin, janë ndërmarrë masa të koordinuara me institucionet ligjzbatuese për verifikimin e plotë të rastit.
Institucioni bëri të ditur se janë marrë mostra të produkteve ushqimore dhe të ujit të rrjetit, të cilat janë dërguar për analiza laboratorike pranë ISUV, ndërsa po kryhen edhe testime mikrobiologjike dhe kontrolle për higjienën e ambienteve ku përgatitet ushqimi.
AKU theksoi se është në pritje të rezultateve dhe raportit epidemiologjik për të identifikuar burimin e infeksionit dhe për të parandaluar raste të tjera të ngjashme.
Njoftimi i plotë:
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon me hetimin hap pas hapi të rastit të pak ditëve më parë, ku pas komunikimit ndërinstitucional me Akademinë e Sigurisë në Sauk u informuam mbi rastin e dyshuar për helmim të disa kursantëve pranë kësaj akademie.
Në bashkëpunim me institucionet e tjera ligjzbatuese, u morën masa të menjëhershme për verifikimin konkret të rastit. Janë marrë mostra të produkteve, të cilat janë dërguar për analizim pranë laboratorit të ISUV dhe aktualisht jemi në pritje të rezultateve.
Përpos lëndëve të para dhe produkteve gati për tu ngrënë, të dyshuara, u krye dhe kampionimi i ujit të rrjetit, i cili do t’i nënshtrohet analizimit mikrobiologjik. NJVKSH në këtë situatë, është ende duke kryer verifikimet e nevojshme.
Për të plotësuar kuadrin hetimor, ISHP ka marrë mostra për testimin e higjienës së ambienteve të punës, ku përgatitet ushqimi. Rezultatet e të cilave, do të bëhen me dije, në përfundim të procesit.
Aktualisht vijon komunikimi i ngushtë me ISHP dhe NJVKSH, nga të cilët pritet raporti i hetimit epidemiologjik, një element thelbësor për identifikimin e burimeve të infeksionit, dhe ndalimin e transmetimit të mëtejshëm.
AKU inkurajon praktikat e mira higjienike, në garantim të sigurisë ushqimore, si një masë esenciale në parandalimin e infeksioneve dhe problematikave të tjera.
Trupat inspektuese dhe stafi AKU janë në gatishmëri për ndjekjen e këtij rasti dhe të gjithë situatave ku preket siguria ushqimore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.