Kosova

Alarmon Vuçiq: Walker po planifikon krijimin e “Shqipërisë së Madhe”

“Tani e gjithë bota ka dëshmi në dorë se William Walker është lobist shqiptaromadh dhe se edhe kur ishte shef i OSBE-së në Kosovë është angazhuar për realizimin e këtij projekti. Serbia në çdo vend dhe në çdo nivel do të prezantojë këtë dëshmi lapidare se Walkeri asnjëherë nuk ka pasur për qëllim të mbrojë të drejtat njerëzore në Kosovë por luftën kundër Serbisë dhe krijimin e “Shqipërisë së madhe”.

Kështu i ka deklaruar “Sputnjikut” Aleksandar Vuçiq, kryeministër aktual dhe presidenti i sapozgjedhur i Serbisë, duke reaguar ndaj deklaratës së djeshme të ish-shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker se ka një projekt “për unifikimin e shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë, por edhe në diasporë”, transmeton Koha.net.

Vuçiq ka thënë se ky “është lajm shumë i rëndësishëm dhe ai nuk do të duhej të trajtohet vetëm si ngjarje politike ditore”.

“Për këtë mesazh të Walkerit do të flasim më vonë. Madje në të gjitha vendet dhe nivelet në Evropë e në botë. William Walker nuk ia ka futur kot. Ai ka thënë se ka projektin, se ka planin për bashkimin e Shqipërisë, Kosovës dhe të të ashtuquajturës diasporë shqiptare. Domethënë, de fakto, ka planin për krijimin e “Shqipërisë së madhe””, është shprehur Vuçiq.

Kryeministri dhe presidenti i zgjedhur sqaron se pse mu mesazhi i Walkerit pas thashethemeve shumëditëshe mbi “Shqipërinë e madhe” është lajm i madh dhe i rëndësishëm për të gjithë:

“Ndaj këtyre mesazheve më duket se nuk kemi treguar kujdes të mjaftueshëm. Do të tregojmë! William Walker ishte dikush që përfaqësonte “misionin e pavarur dhe objektiv” të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim Europiane. Ose së paku kështu na kanë bindur për këtë. Mos harroni, rasti i Raçakut është fabrikuar. Pas tij edhe Millan Millutinoviq u akuzua për këtë, e më pastaj u pa se nuk ka pasur kurrfarë përgjegjësie, meqë nuk mund të dënohet dikush për rast të fabrikuar. Por, mos harroni, ky ishte shkaku, ishte shkas për konflikt të madh. Ky ishte shkak, ky ishte shkas për luftë. Çdo gjë nisi nga rrena e Wiliam Walkerit. Ky është ai njeriu i cili sot tregon haptas se në të vërtetë ai është lobist shqiptaromadh. Ky është po ai njeri për shkak të të cilit u bë agresioni mbi Republikën e Serbisë. Ky është i njëjti njeri! Ky është ai njeri i cili tani angazhohet për Shqipërinë e madhe dhe madje haptas e thotë. Ai këtë as që e fsheh më”, citon Koha.net deklaratën e Vuçiqit dhënë Sputnjikut.

“Pa ndaluni, Ahtisaarin e sollën si ndërmjetës ndërkombëtar që duhej të ishte i paanshëm, i cili duhej të ofronte diçka që do të ishte plan objektiv për zgjidhjen e problemeve të serbëve e të shqiptarëve, ndërsa sot edhe ai është në ekipin shqiptar të Prishtinës”.

“Çfarë na tregon e gjithë kjo. Kjo na tregon se çdo gjë që nga fillimi ishte e orientuar, jo kundër Sllobodan Millosheviqit ose së paku jo vetëm kundër tij. Por, para së gjithash kundër Serbisë. Tani për këtë kemi dëshmi të padiskutueshme. Kjo tani nuk është më vetëm shkrim i shtypit tonë Tani nuk është më çështje nëse dikush nga ne po mendon. Ata vetë kanë ofruar këto dëshmi, ia kanë ofruar gjithë botës si në shuplakë të dorës. E a do të thotë kjo se nesër sërish duhet të besojmë në gjoja organizatat objektive ndërkombëtare përfaqësuesit e të cilëve në mënyrën më të drejtpërdrejtë dhe më flagrante do të angazhohen për “Shqipërinë e madhe”. Raportet e tyre ishin casus belli për luftë. Për sulm më të drejtpërdrejtë ndaj Republikës së Serbisë”.

Kryeministri dhe presidenti i ardhshëm i Serbisë nuk mendon se së shpejti do të mund të kthejë gjerat pas e as të detyrojë Amerikën dhe 23 vende të Bashkimit Europian të tërheqin njohjen e Kosovës, por beteja e madhe diplomatike vazhdon.

“… Domethënë, ata që nga fillimi kanë pasur në kokën e tyre krijimin e Shqipërisë së madhe dhe jo për gjoja luftën kundër njëfarë regjimi. E gjitha ishte e trilluar. Çdo gjë ishte fiksion. Gjithë çka ishte vetëm shkas i mjaftueshëm i Labnicit për të sulmuar Serbinë dhe që t’i shkëputet asaj një pjesë e territorit. Kjo me Walkerin nuk do të kalojë ashtu lehtë! Nuk do të ketë vend në botë ku nuk do të flasim për këtë.

“… nuk mund të besoj dhe nuk ma kap mendja se një njeri që ishte shef i OSBE-së, e gjithë bota ishte angazhuar që ai të ishte në atë pozitë, që gjoja të kontrollojë se çfarë bën Serbia në Kosovë e Metohi. E çfarë ka bërë Serbia – ka kontrolluar, e çfarë ka bërë ai – ka krijuar “Shqipërinë e madhe”. Këtë e shohim tani dhe këtë fare nuk e fshehin. Kjo pafytyrësi shkon deri në ata kufij”, thuhet në deklaratën e kryeministrit e presidentit të ardhshëm të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, transmeton Koha.net.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button