Albin Kurti: Marrëdhënia ime me Ramën dhe pse kemi nostalgji për Enverin
Intervistoi Andrea Danglli
Deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurti, tregon në një intervistë për gazetën “TemA” gjykimin e tij për një sërë temash të nxehta si ajo e tensioneve Kosovë-Serbi, bashkimi-kombëtar, vdekja e mistershme e aktivist Astrit Dehari por edhe marrëdhëniet me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.
I pyetur në lidhje me fajtorët e vdekjes së aktivistit Dehari muaj më parë, deputeti liston një sërë emrash konkretë për të cilët thotë se do të japin llogari shumë shpejt para drejtësisë.
Kurti sjell në vëmendje edhe njëherë tezën e bashkimit kombëtar ku shpreson se mes një referendumi mbarë popullor do të bëhet i mundurbashkimi demokratik dhe paqësor mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Ai iu përgjigjet edhe akuzave pse Vetëvendosje shpesh konsiderohet si një parti komuniste dhe që mbështetet në islamin radikal.
Kush është Albin Kurti, nga mund të fillojmë?
Mund të fillohet me fëmijërinë, ku prindërit nga klasa e mesme ngadhënjejnë mbi lojën me çunat e lagjes, ose nga studimet dhe protestat ku matematikës dhe politikës iu duhet të bashkohen, ose nga lufta dhe burgu, ku vuajtjes dhe mendimit iu duhet të ndahen, ose nga ky shekulli i ri ku njëherë si protestues zëvendësoj deputetin e pastaj si deputet protestues zëvendësoj popullin që duhet të vetëvendosë. Deputet do të thotë zë-vendës. Me fjalë të tjera, mund të fillojmë kudo sepse betejat më të rëndësishme janë ato që ende nuk kanë ndodhur.
Në bazë të një sondazhi mes të rinjve, jeni shpallur si lideri më i preferuar në Kosovë. Çfarë mund të na thoni për këtë?
Andrea, bota rritet nën këmbët e të rinjve.Të rinjtë e duan të ndryshmen dhe ndryshimin. Pyetja që e ka degraduar këtë gjë më kërkesën për emër të përveçëm njeriu, ka rezultuar me mua si përgjigje.
A ekziston ndonjë mundësi që ju të mund të jeni sërish lideri i “Lëvizjes Vetëvendosje”? Nëse do ta kërkojë anëtarësia do të riktheheshit?
Nuk ia vlen ta mendoj. Jemi me fat që e kemi Visarin. Gjithmonë duhet ta shohim se kush, ku e sa i kontribuon të mirës dhe dobisë së përgjithshme në organizatë. Besoj që jam produktiv në punën që bëj nga pozita që kam.
Analistët politikë gjykojnë se Vetëvendosje mund të ishte edhe më e fortë nëse ju do kishit vazhduar të qëndronit në krye të saj. Ju vetë si gjykoni, a do të ishte Vetëvendosje edhe më e fortë me ju në krye të saj?
Jo, Vetëvendosje do të ishte njësoj e fortë, sepse gjithnjë e fortë. Në njërën anë, sigurisht se duhet të rritet numri i aktivistëve që prijnë, që organizojnë dhe që përfaqësojnë. Në anën tjetër, para çdo prijësi e mbi çdo prijës, karakteri i subjektit tonë si Lëvizje dhe orientimi ynë kombëtar e shoqëror e mban të fortë Lëvizjen tonë.
Zgjedhjet po afrohen më shpejt se duket. Çfarë po pritni, pse nuk e krijoni qeverinë (kushtimisht nën hije) alternative dhe përmes saj t’i paraqitni alternativat qeverisëse për të gjitha resorët?
Programi ynë i miratuar qysh në gusht të vitit 2013 quhet pikërisht ashtu: Alternativë Qeverisëse. 20 kapituj janë të përfshirë në tri shtylla: Shteti i së Drejtës, Shteti Zhvillimor dhe Shteti Social. Ka ende kohë për emra të posaçëm për ministrat e ardhshëm. Duam të afirmojmë shumë më tepër çështjet dhe idetë. Sepse duam që popullin ta angazhojmë në kauzë para se t’ia testojmë shijet me personalitete.
Disa forca politike apo analistë mediatikë, e konsiderojnë Vetëvendosjen si parti komuniste, pse e bëjnë këtë? Çfarë lidhje keni me këto rryma?
Mbase nga ndonjë pozicion fashist edhe dukemi ca si komunistë. Nuk kemi faj ne. Lëvizja VETËVENDOSJE! e do shtetin republikan për drejtësi e bashkim. Dhe, socialdemokracinë për barazi e zhvillim.
Si e gjykoni revanshin e populistëve në Evropë? A është Vetëvendosje një parti e tillë?
Jo. Populistët në Evropë janë ekstremi i djathtë që konsiston te nacionalizmi autoritar për liri hegjemonikee i cili shpie në fashizëm. Nacionalizmi ynë është çlirimtar për barazi e që shpie në socialdemokracinë e shtetit të mirëqenies. Pra, liri përmes çlirimit drejt barazisëmidis popujve dhe njerëzve e jo liri për dominim mbi të tjerët. Fundja, pa barazi, s’ka as liri. E thoshte Sami Frashëri:“Jeta e një shteti dhe lumturia e një kombi sigurohet vetëm me bashkim dhe barazi. Zhdukja e barazisë shkakton humbjen e lirisë. Privilegjet janë shokë të tiranisë.”
Mendoni se Vetëvendosje është duke u kopjuar si forcë politike nga partitë në Tiranë? Ju keni vërejtur ndonjë ngjashmëri?
Nuk e di. Ndoshta kemi frymëzuar dikë nganjëherë. Mirëpo, mënyrat dhe mjetet e Lëvizjes sonë janë të lidhura me qëllimet dhe synimet tona. Po u shkëputën nga to, dalin imitime efemere që nuk mbijetojnë mirë as të tashmen.
Disa media e akuzojnë Vetëvendosjen si një levizje që po mbështetet tek islami radikal. Sa e vërtetë është?
E thanë ashtu sepse vetëm edhe ajo akuzë u kishte ngelur ende pa e provuar. Natyrisht se nuk është e vërtetë.
Sondazhet e kryera së fundmi tregojnë një nostalgji të madhe për diktatorin shqiptar Enver Hoxha. Ju si mendoni, pse gjithë kjo nostalgji për ish-liderin komunist?
Në diktaturë njerëzit ishin lodhur nga barazia pa liri (që ta kujton burgun) e tash në demokraci janë lodhur nga liria pa barazi (që i ngjan xhunglës). Aq më tepër që kjo liri për një çerek shekulli na doli të jetë shumë më tepër liri e tregut dhe e kapitalit sesa liri e njeriut dhe e qytetarit. Shqiptari e ka kombin historikisht si përkatësi kulturore e shpirtërore, por shqiptari nuk e ka shtetin aktualisht si garantues të drejtësisë dhe sigurisë. Prandaj edhe nostalgjia…
Flitet shumë për korrupsionin në Kosovë dhe ju e keni pasur disa herë në fokus gjatë fjalimeve tuaja në parlament. Si do ta luftoni nëse vini në pushtet?
Para se moszhvillimi të jetë pasojë e korrupsionit, fillimisht është korrupsioni pasojë e moszhvillimit. Dhe, korrupsioni është sistem qeverisjeje e jo kulturë popullsie. Me privatizime të egra të industrisë, pa mbështetje për prodhimin vendës e me iluzione për investimet e jashtme, u pamundësua zhvillimi ekonomik i vendit dhe u zhvillua korrupsioni nga tenderët e kurdisur shumëmilionësh deri te ryshfeti i imët nëpër sportele. Nëse shiten ndërmarrjet publike pse të mos shiten edhe postet publike?! Korrupsioni duhet të luftohet me zhvillim ekonomik të bazuar në prodhimtari dhe me drejtësi të pavarur tëçliruar nga ekzekutivi. Mund të ketë zhvillim pa drejtësi, por s’mund të ketë drejtësi pa zhvillim. Në parim e përgjithësisht, drejtësia gjyqësore pa drejtësinë sociale është ajo qëMichelFoucault e përshkruante si fabrikim të delikuencës. Shteti i së Drejtës pa Shtetin Social mund të jetë shtet por jo edhe i drejtë. Drejtësi duhet patur jo vetëm në salla gjyqi, por edhe në jetë e shoqëri. Drejtësia sociale vjen nga sigurimi shoqëror dhe tatimi progresiv. Në Kosovë nuk i kemi asnjërën.
Po kërkoni të vendoset drejtësi mbi vdekjen e Astrit Deharit, duke thënë se e vrau shteti kriminal. Nëse Vetëvendosje vjen në pushtet, cilët emra do të çonte konkretisht para drejtësisë pasi fjala “shtet” është shumë e gjerë?
Vdekja e Astrit Deharit është humbje e madhe për Kosovën dhe popullin shqiptar. Aktivist i palodhshëm, patriot i pa epur e student i shkëlqyeshëm. Ende nuk e kemi marrë veten, nuk e dimë nëse jemi më shumë të tronditur, të pikëlluar apo të zemëruar. Na e kanë goditur shembullin e brezit të ri të Lëvizjes sonë. Kosova është bërë shtet i kapur ku të rinjtë opozitarë që arrestohen padrejtësisht edhe mund të mos dalin të gjallë prej andej. Duket se ky ishte mesazhi i pushtetit. Por ne nuk ndalemi në kërkimin e drejtësisë për Astritin. Nevojitet një hetim i pavarur e i paanshëm. Familja e Astrit Deharit, shoqëria civile dhe Lëvizja jonë kanë kërkuar dorëheqjen e ministres së drejtësisë, Dhurata Hoxha, dhe të ministrit të brendshëm, Skënder Hyseni. Dhe, pastaj, edhe të hierarkisë sipas përgjegjësisë: drejtorit të Policisë, Shpend Maxhuni, drejtorit të Njësisë Kundër Terrorizëm, Fatos Makolli, drejtorit të përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala, redaktorit në RTK Ridvan Berisha, zëvendësdrejtorit të Njësitit Kundër Terrorizmit, Luan Keka, prokurorit të Prokurorisë Speciale, Abdyrrahim Islami, gjyqtarit të procedurës paraprake Vehbi Kashtanjeva, Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha, prokurorit, Metush Biraj, Komandantit të Policisë Rajonale në Prizren, Nexhmi Krasniqi. Të gjithë fajtorët do t’i zbardhte vetëm një hetim i pavarur në të ardhmen.
A mendoni se qeveria e Kosovës, që në krye të bisedimeve në Bruksel me Serbinë duhet ta kishte zgjidhur çështjen e urdhër-arresteve? Ku qëndron përgjegjësia e klasës politike për arrestimin e Haradinajt?
Me Serbinë në Bruksel Qeveria e Kosovës ka negociuar pa asnjë kusht për Serbinë dhe gjithnjë për çështjet e brendshme të Kosovës. Prandaj, Kosova në ato bisedime ishte shumë më tepër temëe bisedimeve sesa palë në bisedime. Serbia e ka të kaluarën kriminale në Kosovë kurse të tashmen armiqësore ndaj Kosovës. Duke biseduar pa kushte për Serbinëështë biseduar sipas kushteve të Serbisë: të mos diskutohet për të kaluarën thua se jemi të barabartë aty, dhe, të diskutohet vetëm për çështjet e brendshme të Kosovës thua se nuk e kemi shpallur shtetin e pavarur. Me premisa të gabuara nuk mund të arrish konkluzione të drejta.
Cila është sot pozita e Kosovës në agjendat ndërkombëtare?
Kosova e pavarur vazhdon të jetë protektorat ndërkombëtar. Shpallja e pavarësisë na ka zhvendosur nga administrimi ndërkombëtar i UNMIK-ut te protektorati ndërkombëtar i EULEX-it me KFOR-in dhe ambasadat e Quintit (SHBA, Gjermani, Britani, Francë, Itali) si konstantë. Prandaj, agjendat ndërkombëtare për Kosovën nuk janë thjesht ndërkombëtare por edhe vendëse. Brukseli dëshiron të tregohet si lojtar global në menaxhimin e krizave përmes dialogut Kosovë-Serbi duke i dhënë Serbisë gjëra të Kosovës për ta mbajtur Serbinë sa më larg Rusisë. Kjo situatë nuk është më e qëndrueshme. Rusia refuzon të mbahet larg Ballkanit, Serbia e do Rusinë tradicionalisht e aktualisht kurse populli i Kosovës nuk duron më që qeveria e Kosovës t’i bëjëkoncesione Serbisë. Në aspektin ekonomik, investimet e huaja në Kosovë janë veçse në asfalt autostradash super të shtrenjta e në banka që na rjepin porsi fajdexhinjtë më mizorë.
Cilat parakushte do të duheshin plotësuar që të pranoheshin bisedat me Serbinë?
Serbia duhet të ndryshojë. Të kërkojë falje për krimet nga e kaluara, të tregohet e gatshme që ta pranojë pavarësinë e Kosovës e ta paguajë dëmshpërblimin për vuajtjet e humbjet që na i ka shkaktuar. Paqja dhe stabiliteti afatgjatë në Ballkan arrihet vetëm atëherë kur të kemi një Serbi të DimitrijeTucoviqit e kurrsesi me këso Serbie të NikolaPashiqit.
A ka menduar ndonjëherë Vetëvendosje për shkëmbim territoresh me Serbinë, ta zëmë Leposaviqi dhe Zubin Potoku t’i jepen Serbisë në mënyrë që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja t’i kthehen Kosovës? Ka pasur ndonjë ide të kësaj natyre në tryezën e Vetëvendosjes?
Jo. Serbia dëshiron që ne të dëshirojmë diçka të atillë. Sepse automatikisht kjo do të nënkuptonte që ne hoqëm dorë nga veriu i Kosovës teksa Serbia nuk ta jep Preshevën, Medvegjën e Bujanocin.
Ju e keni çuar më tej tezën e bashkimit kombëtar, të Kosovës me Shqipërinë. Nëse do vini në pushtet si keni menduar ta realizoni? Cili do të ishte çmimi?
Çmimin jemi duke paguar tashmë që jemi të ndarë. Bashkimi është shpagim. Ndarja e Kosovës nga Shqipëria është bërë prej lart dhe jashtë, pa demokraci dhe paqe. Bashkimin do ta bënim në mënyrë demokratike dhe paqësore nëpërmjet referendumit. Vullneti i popullit është për bashkim, interesi i tij është për bashkim, si interesi ekonomik po ashtu edhe ai i sigurisë. Nëse liderët politikë i prijnë popullit për shumëçështje, për bashkimin kombëtar liderët duhen veçse ta ndjekin popullin
Çfarë marrëdhënie keni sot me kryeministrin shqiptar Edi Rama, kundër të cilit gjatë dhe pas vizitës së tij të fundit në Beograd, në Kosovë u hodh shumë “baltë“ ?
Kemi marrëdhënie të mira me kryeministrin Rama dhe Partinë Socialiste. Jo gjithnjë pajtohemi andaj jo rrallë edhe kritikohemi. Por, besojmë në kritikën si thelb të progresit.
Nëse do vini në pushtet, jeni i gatshëm të bashkëpunoni me të për të realizuar bashkimin kombëtar?
Pa dyshim dhe patjetër.