Politika

Alibeaj nga Këlcyra: Berisha u fut nën sqetullën e Metës

Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj zhvilloi sot një takim në Këlcyrë, në mbështetje të kandidatit për kryetar bashkie, Adriatik Spahiu.

Në fjalën e tij në çeljen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 majit në Këlcyrë, Alibeaj tha se më 15 maj, bashkia Këlcyrës do të gdhihet blu, me kryetar Adriatik Spahiun.

“Është një moment shumë i rëndësishëm për Këlcyrën, për qytetarët e Këlcyrës, por është një moment i rëndësishëm edhe për vetë Shqipërinë. Ky është një moment shumë i rëndësishëm ku vërtetë patriotizmi dhe historia më e lavdishme e këtij vendi, ku këtu në Këlcyrë në fakt ka rrënjë të thella. Do të duhet që përsëri të dalim e t’i vendosim shpatullat Shqipërisë së drobitur. Këlcyrës që lëngon, të cilës sot e prej 10 vitesh nën qeverisjen e Edi Ramas, e 12 vitesh nën qeverisjen lokale të Partisë Socialiste, ia ka marrë shpirtin këtij vendi, këtyre qytetarëve”, theksoi Alibeaj.

‘Shpopullimi, gjendja e keqe ekonomike, papunësia, lëngata, ndrydhja, çmimet, torturat, shantazhi, presioni, asfiksia që po vuajnë shqiptarët sot kudo, e më shumë se në çdo vend tjetër këtu në Këlcyrë, që teksa po vija, ky vend i bekuar nga Zoti, të jetë në një situatë kaq të rëndë. Është kjo situatë që duhet të na bëjë të gjithëve ne të reflektojmë”, tha ai.

Po ashtu, Alibeaj foli për situatën e krijuar në Partinë Demokratike, pas sulmeve nga Sali Berisha.

“Prej një viti e gjysmë PD është në agresion. Agresion nga jashtë, të majtët, Partia Socialiste, Edi Rama, regjimi, i gjithë shteti në fakt i është hedhur në grykë Partisë Demokratike për ta asgjësuar. Jemi ndodhur nën agresion nga Sali Berisha. Jemi ndodhur nën agresion edhe nga njeriu që e kemi pasur dy herë president, dy herë kryeministër, e kemi adhuruar si lider historik, ka përfituar shumë nga PD”, tha ai.

Alibeaj tha se, Berisha bashkoi demokratët me Ilir Metën.

“E vazhdoi në 6 mars, shkoi u fut nën sqetullën e Ilir Metës, duke ia bërë të pamundur Partisë Demokratike fitoren në 6 mars. E vazhdoi në prill, për ta përçarë PD. E vazhdoi në tetor, me procesin e primareve dhe neve i thamë, po more neve nuk duhemi me njëri-tjetrin, por po ua shtrimë dorën këtyre demokratëve, atyre demokratëve: hajde të dalim me një kandidat. Më të mirin, fituesin. Sepse e keqja më e madhe në këtë vend quhet Edi Rama. Askush nuk duhet të bëjë veprime për t’ia zgjatur ymrin Edi Ramës. Ishte njerëzore, ishte fisnike. 3 mars, pasi na zvarritën 1 vit e ca nëpër gjyqe, e na lodhën e na telikosën, 3 mars kur u sqarua gjithçka, i thashë kandidatëve të Foltores, mos shkoni tek LSI-ja, mos shkoni tek partia e majtë, mos shkoni tek një pazarxhi politik si Ilir Meta. Hajdeni tek shtëpia juaj, hajdeni tek kjo sigël, sepse keni detyrime tek kjo sigël. Jeni bërë personazhe politike prej Partisë Demokratike, ia keni detyrim. Po e gëlltis unë krenarinë, po e lë mënjanë se çfarë kemi bërë në një vit e gjysmë, por vetëm për të mirën e demokratëve hajde të dalim me një kandidat para së keqes së madhe që quhet Edi Rama. E refuzuan. Jo vetëm e refuzuan, por shkuan u bënë një me Ilir Metën”, tha ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button