Kosova

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Hovenier: Të nisin urgjentisht negociatat për Asociacionin

“Duhet të ketë në tryezë një propozim për Asociacionin”, tha Hovenier, duke theksuar se ai nuk duhet të jetë diçka që nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Në një takim me gazetarët në ndërtesën e Ambasadës amerikane në Prishtinë, Hovenier po ashtu i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Për më tepër, tha ai, Qeveria e Kosovës nuk duhet të nisë me gjobitjen e shoferëve që ngasin makina me targa të tilla.

Hovenier tha se e ka kërkuar një gjë të tillë direkt nga Qeveria.

I pyetur nëse ajo u është përgjigjur kërkesave të tij, Hovenier tha:

“Mendoj se ju e dini, ashtu sikurse unë, se si po u përgjigjet Qeveria kërkesave aktualisht. Por, unë jam diplomat, dhe kjo do të thotë se unë gjithmonë kërkoj rrugë pozitive përpara. Më duhet të besoj se mund të gjejmë një rrugë të përbashkët përpara, që është në interes të të gjithëve dhe në interes të paqes dhe sigurisë”.

Ai tha se ka pasur kontakte të vazhdueshme me Qeverinë e Kosovës, por shtoi se “nuk mund të konfirmoj se Qeveria ka ndërmarrë veprimet që ia kemi kërkuar”.

Hovenier theksoi se nga këndvështrimi i SHBA-së, Qeveria e Kosovës ka të drejtë në zbatimin e planit të saj, por, sipas tij, ekzistojnë “shqetësime reale për mënyrën e zbatimit”. Qeveria e Kosovës më 1 nëntor nisi zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, me gjithë insistimin e mëhershëm të komunitetit ndërkombëtar që ta shtyjë zbatimin e tij.

Janë rreth 9.000 makina me targa të tilla që qarkullojnë në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – që nga paslufta, më 1999.

Qeveria e Kosovës kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës. Plani i saj parashihet të zbatohet në tri faza: e para, qortimi i shoferëve; e dyta, dënimi i shoferëve me 150 euro gjobë, dhe e treta, shpërndarja e targave provuese.

Shumica e serbëve në veri, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, e kundërshtojnë planin, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të tij, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës. Ata kanë thënë se nuk do të rikthehen, nëse Qeveria e Kosovës nuk e themelon Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe nuk e tërheq vendimin për riregjistrimin e makinave.

“Të gjithë jemi të shqetësuar për situatën në veri”, sepse ajo ka “potencial për të eskaluar”, tha ambasadori Hovenier.

Kosova tani “është në krizë”

I pyetur se si i komenton shkrimet e disa mediave se ministres së Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, i është refuzuar viza për një vizitë zyrtare në SHBA, Hovenier tha se “nuk sheh ndonjë rrethanë” për diçka të tillë.

Megjithatë, shtoi ai, Kosova tani “është në krizë”. “Jemi shumë të fokusuar në këtë krizë. Ne besojmë se kjo Qeveri është shumë e fokusuar në këtë krizë. Dhe kështu, kjo nuk është domosdo koha më e përshtatshme që ministrat të udhëtojnë në SHBA për takime zyrtare, marrë parasysh krizat që duhet të trajtohen këtu. Këtë po ua komunikojmë zyrtarëve të ndryshëm në Qeveri”, tha Hovenier.

Ambasadori amerikan, gjithashtu, tha se Qeveria e Kosovës duhet të bisedojë me komunitetin serb, duke shfaqur shpresën se përfaqësuesit e tij do të kthehen në institucionet e Kosovës. “Shpresojmë që kjo gjë të jetë e përkohshme”, tha Hovenier duke komentuar dorëheqjet e zyrtarëve serbë.

“Ne besojmë se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale”, shtoi ai. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi më 7 nëntor presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për destabilizmin e situatës në veri të Kosovës.

Ai tha se kjo po bëhet për shkak të, siç u shpreh, refuzimit të planit franko-gjerman nga pala serbe. Ky plan, siç është raportuar më herët, parasheh zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë. Sipas Kurtit, Vuçiq është duke i përdorur pjesëtarët e strukturave ilegale serbe në veri të Kosovës për destabilizim të situatës. Për Kosovën, sipas Kurtit, plani franko-gjerman është “hap në drejtimin e duhur”.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se propozimi franko-gjerman parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza.

“Një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, kurse një pjesë shumë e vogël – që ata thonë se është 1 për qind – do të liheshin për një periudhë të mëvonshme”, ka thënë Bislimi, pa specifikuar më shumë.

Vuçiq ka thënë, muajin e kaluar, se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë që Kosova të anëtarësohet në organizata dhe institucione ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të integrimit më të shpejtë të saj në BE.

I pyetur nga gazetarët për këtë plan, ambasadori Hovenier tha se tash për tash është “shumë i përqendruar” në krizën aktuale.

“Pres me padurim kohën kur mund t’u kthehemi bisedave në nivel strategjik rreth propozimit për normalizimin [e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë]”, tha ai. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Më 2015, palët kanë nënshkruar Marrëveshjen mbi parimet për formimin e këtij asociacioni. Po atë vit, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se disa pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen. BE-ja dhe SHBA-ja vazhdimisht bëjnë thirrje që Kosova të bëjë hapa drejt krijimit të këtij asociacioni. Por, Kurti ka deklaruar disa herë se është kundër formimit të ndonjë asociacioni njëetnik. Serbia, në anën tjetër, insiston që asociacioni të formohet dhe të ketë kompetenca ekzekutive.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button