AmCham-et e Ballkanit Perëndimor zhvillojnë dialog me Komisionin Evropian në Bruksel
Në Bruksel u organizua Tryeza e Rrumbullakët e Ballkanit Perëndimor, e cila mblodhi përfaqësues të Dhomave Amerikane të Tregtisë (AmCham) të rajonit dhe zyrtarë të rëndësishëm të Komisionit Evropian dhe CEFTA.
Zhvillimi i një dialogu shumëpalësh mbi integrimin në BE të Ballkanit Perëndimor u fokusua në harmonizimin e prioriteteve mbi reformat, integrimin ekonomik dhe përafrimin me acquis të BE-së.
AmCham Albania u përfaqësua nga drejtori ekzekutiv Neritan Mullaj. Gjatë diskutimit, Mullaj theksoi rëndësinë e përcaktimit të qartë të prioriteteve nga vendet e Ballkanit Perëndimor në funksion të përshpejtimit të integrimit të tyre në Bashkimin Evropian, si dhe të hartimit dhe zbatimit të politikave të qëndrueshme që mbështesin këtë proces.
Pjesë e kësaj tryeze që theksoi rolin që bizneset në rajon mund të luajnë përmes përvojës konkrete mbi ndikimin e rregulloreve të BE-së në operacionet dhe investimet, u bënë edhe kryetarja e Komitetit Ligjor, Albana Karapanco dhe Marin Gjonaj.
Pjesëmarrësit gjatë diskutimeve theksuan rëndësinë e lehtësimit të procedurave të tregtisë, reduktimit të barrierave jotarifore dhe adresimit të disa çështjeve rregullatore.
Tregu energjetik dhe integrimi i tij brenda tregut të madh të BE-së ishte një tjetër temë e rëndësishme e diskutimit mes AmCham-eve dhe përfaqësuesve të Komisionit Evropian.
Gjonaj, theksoi në fjalën e tij rëndësinë e menaxhimit të rregullave të taksës CBAM, e cila njihet si taksa e karbonit në kufi për energjinë e rinovueshme në fushën e shitjeve nga Ballkani Perëndimor drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Tryeza përcolli mesazhin e qartë se bashkëpunimi mes rajonit dhe Bashkimit Evropian, i mbështetur në prioritete të përbashkëta dhe koordinim institucional, është thelbësor në përparimin e Ballkanit Perëndimor drejt familjes evropiane.
/r.e/





Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.