AmCham i kërkon qeverisë të ulë normën e tatim-fitimit
Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe Industrisë, AmCham i kërkoi qeverisë pak ditë para paraqitjes së paketës fiskale që do të zbatohet për vitin 2015, rishikimin e normës së tatim-fitimit mbi të ardhurat personale nga paga, në mënyrë që të ketë një trajtim të barabartë të të ardhurave personale, pavarësisht nëse ato janë të krijuara nga puna, aktiviteti i biznesit apo kapitali. Niveli i taksës së tatim-fitimit u rrit duke nisur nga 1 janari 2014, nga 10 në 15%. Ulja e këtij tatimi, sipas Amcham-it, do të nxiste rritjen ekonomike nëpërmjet riinvestimit të të ardhurave më të larta “në duart” e bizneseve; do të ulte shkallën e evazionit fiskal, e cila qartësisht dhe lehtësisht evidentohet në treg në shumë sektorë të ekonomisë, si dhe do të rriste interesin për IHD-në, duke e barazuar ose sjellë në nivele të ngjashme me vendet e rajonit.
Një tjetër sugjerim i Dhomës është mosaplikimi i tatimit mbi fitimin i kompanive (rimbursimi i tatimit mbi fitimin) në rastin kur fitimet vjetore të tyre nuk shpërndahen në formë dividenti, por riinvestohen nga kompania. Kjo do të sillte rritjen e interesit nga biznesi për të riinvestuar të ardhurat vjetore, duke rritur në mënyrë të drejtpërdrejtë investimet në ekonomi, vende të reja pune, ulje të informalitetit etj. Nuk do të kishte kosto të lartë në buxhetin e shtetit në raport me përfitimet në periudhën afatmesme.
AmCham i kërkon qeverisë marrjen e masave nga administrata tatimore për uljen e evazionit fiskal dhe formalizimin e ekonomisë, jo vetëm nëpërmjet fushatave informuese, por edhe nxjerrjen dhe zbatimin e masave shtrënguese në përputhje me legjislacionin fiskal në fuqi. Në këtë kuadër, sugjerohet të gjendet një mënyrë për mbledhjen e kuponave tatimorë nga konsumatorët, në mënyrë që më pas të njihen si shpenzime të zbritshme apo të ofrohen lehtësi të tjera fiskale. Kjo do të ndihmojë formalizimin e ekonomisë dhe konkurrencën e ndershme, duke vënë bizneset informale përpara përgjegjësisë.
Nga AmCham-i kërkohet dhe rritja e periudhës kohore për mbartjen fiskale të humbjeve nga 3 vjet që është aktualisht në 5 ose 7 vjet. Kjo gjë, sipas tyre, do të përmirësonte situatën, sidomos të atyre tatimpaguesve që kryejnë investime të konsiderueshme dhe është praktikë e njohur në botë dhe e aplikuar me sukses edhe në vendet e rajonit.
Një tjetër kërkesë e Dhomës është që pagesa e detyrimit dhe e interesave të vendosur nga organet tatimore të kryhet vetëm pas dhënies së një vendimi të formës së prerë (nga drejtoria e apelimit apo gjykata), pasi në mjaft raste edhe vendosja e një garancie për ndjekjen e procedurës së apelimit rezulton e pamundur nga bizneset dhe nga ana tjetër mund të nxisë abuzimin e administratës tatimore për arkëtime detyrimesh tatimore në një afat të shkurtër. Në kushtet e funksionimit të rregullt të gjykatës administrative (me shkurtimin e kohës së nevojshme për çështjet gjyqësore administrative), është shumë më e lehtë marrja në konsideratë e kësaj kërkese.
Dhoma ka sugjeruar që Drejtoria e Apelimit Tatimor të bëhet një drejtori e veçantë brenda Ministrisë së Financave, me qëllim rritjen e pavarësisë së kësaj Drejtorie. Aktualisht, vetëm Drejtori i Drejtorisë është i varur nga Ministria e Financave, ndërkohë që inspektorët emërohen dhe largohen nga detyra me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.
Sugjerohet të ndryshohet dispozita mbi amortizimin e aktiveve afatgjata të biznesit, duke iu përshtatur zhvillimeve të reja ekonomike dhe teknologjike. Metoda aktuale (mbi vlerën e mbetur) nuk reflekton me realitetin ekonomik, duke sjellë një shtrembërim edhe në aspektin e raportimit financiar. Sugjerimi i AmCham-it është aplikimi i metodës lineare në bazë të vlerës historike (pa marrë parasysh amortizimin kontabël) në normat e mëposhtme:
– Për ndërtesat 5%
– Për linjat teknologjike dhe makineritë 10%
– Për pajisje informatike 33.3%
– Për të tjerat 20%
Ky ndryshim do të ndikonte në cilësinë e raportimit kontabël, duke e çliruar këtë të fundit nga ndikimet që ka legjislacioni tatimor mbi të. Po ashtu, normat e propozuara janë më afër realitetit teknologjik dhe do të ndikonin në rritjen e investimeve në aktive afatgjata.
Sugjerohet që në ligjin “Për Taksat Kombëtare”, taksa për ambalazhet njëpërdorimshe të prodhuara me material të ricikluar nga mbetjet plastike të gjeneruara në vend, të jetë 1 (një) lekë/kg, një vlerë kjo simbolike dhe që mund të përdoret për efekt statistikor.
Dhoma ka pohuar se data 5 e deklarimit të librave të Blerjeve dhe të Shitjeve është shumë e shkurtër dhe krijon vështirësi për shoqëritë. Kjo datë kaq e afërt nuk ka pasur ndonjë efekt në uljen e evazionit në lidhje me lëshimin e faturave fiktive të shitjes. Si rrjedhim, ajo sugjeron që kjo datë të njehsohet me deklarimin e TVSH-së, pra edhe deklarimi i librave të Blerjeve dhe të Shitjeve të bëhet në të njëjtën datë me deklarimin e TVSH-së ose të bëhet pas 5 ditësh pune (jo në datën 5 të muajit), ose brenda datës 10, sepse është një kohë e pamjaftueshme në rastet kur fillimi i muajit koinçidon me fundjavën ose me festa zyrtare.
Me qëllim përmirësimin e konkurueshmërisë së industrisë vendase si dhe rritjen e atraktivitetit të vendit për investimet e huaja direkte, sugjerohet anullimi i akcizës dhe taksës së karbonit mbi lëndët djegëse, në linjë me direktivat e BE-së (Direktiva e BE-së 2003/96/KE e datës 27 tetor 2003), e cila ristrukturon kuadrin ligjor të Komunitetit për taksimin e produkteve të energjisë dhe energjinë elektrike), në rastin kur ato nuk përdoren si lëndë djegëse për mjete motorike apo për ngrohje.
Nga ana tjetër, duke konsideruar kontributin e rëndësishëm të këtyre taksave në buxhetin publik, zgjidhje të tjera alternative mund të gjenden për të rivendosur konkurencën e drejtë pa impakt në financat e shtetit si psh. rritja e TVSH-së së aplikueshme për produktet e çimentos dhe/ose aplikimi i një takse tjetër ekuivalente në shitjen e produktit final (çimento), ose anullimi i akcizës ekuivalente dhe taksës së karbonit për sasitë e eksportuara nga prodhuesit vendas dhe aplikimi në import i një detyrimi doganor prej 2.5 – 3 euro/ton.