Kronika

Arrestimi i babait të Arbër Çekajt, avokati: S’ka asnjë provë! Është aktivitet kriminal nga mafia ndërkombëtare

Avokati i Selim Çekajt, babait të Arbër Çekajt,  pas seancës për vleftësimin dhe caktimin e masës së sigurisë sqaroi për mediat se nuk ka asnjë provë që ai është pas 49 kilogramëve kokainë të gjetura në kontejnerin me banane në Durrës një ditë më parë.
Ai theksoi se është një aktivitet kriminal që luhet diku tjetër dhe është piketuar një kompani e pambrojtur nga mafia ndërkombëtare për t’i hedhur ushqim shtetit dhe për t’i hapur rrugë sasive të tjera.

“Midis Selim Çekajt dhe kompanisë nga Ekuadori ka një kontratë, e cila në mënyrë eksplicite shkruhet në nenin 7 që përgjegjësinë nga kontejneri deri në futjen në magazinë e mban shitësi, kurse blerësi ose pritësi ka të drejtë të kontaktojë me kontejnerin vetëm kur futet në magazinë, nuk ka asnjë përgjegjësi tjetër. Nuk ka asnjë provë që ky njeri të jetë marrë me atë porosi apo të ketë telefonuar, ai është njeri i nderuar nuk di as anglisht as kompjuter, si u lidh ai ndërkohë që ai kontejner ka dy muaj që vërvitet në Marok në Turqi në Greqi e në fund në Shqipëri?! U kontrollua magazina ndërsa në port u deshën mjete të sofistikuar për ta hapur. Ndërsa në magazinë nuk u gjet asnjë mjet se si ai do ta hapte atë kontejner. Është një marrëzi por këta janë gjyqtarë pa asnjë dinjitet. Nuk kanë as humanizëm e as drejtësi as moral se s’mund t’i vësh gishtin një plaku të sëmurë.  Jemi të bindur që është një aktivitet kriminal që luhet diku tjetër dhe është piketuar një kompani e pambrojtur nga mafia ndërkombëtare për t’i hedhur ushqim shtetit dhe për t’i hapur rrugë sasive të tjera. Kemi të drejtën të vëmë në dyshime të gjitha provat  se shteti nuk ka asnjë provë, zero”, tha avokati.

Gjykata vendosi arrest në burg pa afat për Çekajn, ndërsa mbrojtja e tij gjatë seancës gjyqësore paraqiti dhe kontratën e shitblerjes së mallit, sasisë së bananeve, ku përcaktohet qartë se përgjegjësia për çfarë ka në kontejner për aq kohë sa ai është brenda portit nuk është e porositësit të mallit, por e dërguesit. Pasi dëgjoi palët,  gjyqtari Rexhep Bekteshi vendosi ta lërë në qelitë e paraburgimit 72-vjeçarin për aq kohë sa do të vazhdojnë hetimet, ndërsa Çekaj pritet të ankimojë këtë vendim.

Ai u arrestua një ditë më parë, pas gjetjes së 49 kg kokainë të fshehura në kontejnerin me banane të ardhur për llogari të kompanisë së tij me qendër në Maminas. Ndaj arrestimit të babait ka reaguar edhe Arbër Çekaj, i dënuar me 14 vjet burg për trafikun e 613 kg kokainë 3 vjet më parë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button