Kosova

Asambleja e OKB-së, rast i mirë për lobim

asambleja-e-okb-s-euml-rast-i-mir-euml-p-euml-r-lobim_hd (1)Njohësit e diplomacisë dhe të drejtës ndërkombëtare kanë vlerësuar se sesioni i sivjetmë i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është rasti shumë i mirë për të lobuar për njohje të reja.

Ish-ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, por edhe profesori i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, Afrim Hoti, kanë deklaruar për “Epokën e re” se gjatë këtij forumi vjetor të shteteve delegacioni i Kosovës ka mundësi të vendosë kontakte të shumta me vendet që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.

Ndërsa zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, është ka shprehur optimizëm në këtë drejtim.

“Asambleja e Përgjithshme e OKB-së është padyshim rast i veçantë vjetor, ku Kosova ka mundësi të takojë numër të madh udhëheqësish, presidentë, kryeministra dhe ministra të jashtëm nga e gjithë bota. Natyrisht se ky është një rast i veçantë të cilin Kosova do të duhej ta shfrytëzonte në mënyrë që të vendosë kontakte, sidomos me ato vende që nuk e kanë njohur Kosovën. Nuk do mend se prania e Kosovës në Nju Jork gjatë Asamblesë së Përgjithshme është e rëndësishme”, ka deklaruar ish-ministri i jashtëm, Skënder Hyseni.

Sipas tij, është e gabueshme që vetëm presidentja të jetë gjatë kësaj kohe në Nju Jork.

“Me sa di unë, tani në Nju Jork është vetëm presidentja e vendit, ndërsa mungon ministri i Jashtëm. Konsideroj se ky është gabim. Ministri i Jashtëm do të duhej të ishte atje ose të paktën do të duhej të ishte dikush nga Ministria e Jashtme që do të zhvillonte takime jo vetëm ceremoniale dhe protokollare siç mund t’i zhvillojë presidentja, por takime pune me homologët e ndryshëm nga ato vende që nuk e kanë njohur Kosovën ende”, është shprehur Hyseni.

Më tutje, ai ka bërë me dije se ngërçi politik i vendit mund të reflektojë edhe në diplomaci.

“Gjendja aktuale e brendshme është e pafavorshme dhe mund të ndikojë keq edhe në përpjekjet për lobim që mund t’i bëjë qoftë edhe presidentja atje, sepse nuk është referencë e mirë nëse thuhet se në Kosovë ka bllokadë të konstituimit të institucioneve pas zgjedhjeve të qershorit”, ka deklaruar Hyseni.

Ish-shefi i diplomacisë ka thënë se gjatë kohës sa ka drejtuar politikën e jashtme të Kosovës është shfrytëzuar mjaft mirë ky forum.

“Gjatë viteve që unë kam qenë ministër i Jashtëm, Asambleja e Përgjithshme është shfrytëzuar maksimalisht. Nuk e di nëse është bërë e njëjta gjë edhe më pastaj. Sido që të jetë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së është rast i mirë për t’u shfrytëzuar sepse grumbullohen liderët nga e gjithë bota”, është shprehur ai, dujke shtuar se vetë prania e Kosovës në këso ngjarje tregon shumë.

Edhe profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti, mendon se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së është një rast i veçantë të cilin Kosova duhet ta shfrytëzojë maksimalisht.

“Asambleja e Përgjithshme e OKB-së është forumi më i madh botëror, i cili mbledh krerët dhe delegacionet e të gjitha shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara. Kjo për ne do të thotë se është një mundësi e jashtëzakonshme që brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore dhe me shpenzime sa më të vogla të takosh burrështetas të vendeve të ndryshme të botës. Pra, është një mundësi e mirë për të lobuar dhe për të marrë ndonjë njohje të re”, ka deklaruar Hoti.

Megjithatë, ai është shprehur skeptik se Kosova do të arrijë ta shfrytëzojë mirë këtë rast.

“Jam shumë skeptik dhe pesimist se do të arrihet diçka, sepse nga informacionet që kam, Kosova nuk do të përfaqësohet nga nivelet më të larta. Kështu që, mungesa e autoriteteve më të larta të Kosovës në këtë forum është një dështim i madh dhe si pasojë e kësaj vjen edhe mungesa e shtetit. Pra, nuk pres ndonjë befasi nga ky forum”, ka thënë Hoti.

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare ka treguar se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së është shfrytëzuar vetëm në vitet e para pas shpalljes së pavarësisë.

“Mendoj se në vitet e para të pas pavarësisë e kemi shfrytëzuar mirë këtë mundësi dhe kemi pasur suksese, sepse atje kanë qenë autoritet më të larta, të cilat kanë qenë shumë aktive. Në vitet e fundit është parë një zbehje e jashtëzakonshme e aktiviteteve lobuese dhe si rrjedhojë kemi pasur mungesë të njohjeve”, ka vlerësuar ai.

Në këtë kontekst, Hoti ka shtuar se shteti i Kosovës duhet ta ndryshojë strategjinë e lobimit.

“Gjithsesi duhet të ndërrohet strategjia e lobimit. Strategjia dhe fjalomania e deritashme kanë qenë vetëm retorikë luksoze. Nuk kemi parë asgjë konkrete në politikë të jashtme. Argumenti më i mirë që dëshmon këtë është dështimi në marrjen e njohjeve për Kosovën. Krejt ato që na janë ofruar deri më tash janë strategji joadekuate të përcjella me staf joadekuat, po ashtu edhe veprimet krejtësisht kanë qenë të pakoordinuar me fuqitë e mëdha”, ka deklaruar Hoti.

Ndërsa zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka treguar për “Epokën e re” se fokusi i delegacionit të Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së do të jetë lobimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Delegacionin e Kosovës e udhëheq presidentja e vendit, Atifete Jahjaga. Fokusi do të jetë në lobim për njohje të pavarësisë dhe ndërveprim”, ka potencuar Selimi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button