Asnjë anije nuk shpëton nga vrimat që hap vetë

Në një shtet normal, kryeministri nuk pyetet për vendime gjyqësore, por për standardet e qeverisjes.
Askush s’po i kërkon Ramës të gjykojë ministrat e tij, por po i kërkohet të shpjegojë pse emrat që zgjedh për pushtet përfundojnë sistematikisht para drejtësisë.
Të fshihesh pas ‘pafajësisë deri në provën e fajit’ është si të thuash se kush hapi vrimat që anija të marrë ujë s’ka faj derisa anija të mbytet.
Prezumimi i pafajësisë është standard juridik, jo kategori politike.
Ai mbron individin nga dënimi pa gjykim, por nuk mbron një qeveri nga përgjegjësia e vet politike.
Në demokraci, fajësia nuk fillon me dënimin, por me humbjen e besimit publik. Kjo është arsyeja pse në vendet që Rama përmend si shembull, ministrat japin dorëheqje. Jo sepse shpallen fajtorë nga gjykata, por sepse mbajnë përgjegjësi politike.
Kur i njëjti kryeministër ka ministra e vartës në burg, në arrati a nën hetim, ‘pafajësia’ pushon së qeni parim ligjor dhe konsiderohet ves institucional.
Rama e di mirë këtë.
Por ai e përdor ‘pafajësinë’ si mënyrë të sofistikuar për të neutralizuar çdo debat. Kur e ngre çështjen në nivel parimi, e zbraz nga përmbajtja politike.
Në thelb, kjo është filozofia e pushtetit të gjatë, jo të bindësh publikun se je i pastër, por të lodhësh të tjerët derisa të mos kenë më energji të dyshojnë.
Ky është prezumimi shqiptar i pafajësisë në qeverisje, kur e vërteta humbet prej stërlodhjes, jo nga provat.
P.sh kur Kryeministri i thote DW se ‘mediat gjykojnë’ nuk e ka me ato që nuk denjuan ta japin fare lajmin për thirrjen në SPAK të zëvendëses së tij. Se s’kanë ç’gjykojnë kur lajmi nuk ekziston. Por patjetër me ato fare pak media e portale, që ende informojnë e për të cilat kryeministri duket dikur thotë se nuk jam përgjegjës për realitetin. Faji është i atyre që e tregojnë.
Në të vërtetë, kjo nuk është mbrojtje e pafajësisë, por kriminalizim i dyshimit. Sepse në momentin që çdo dyshim nga media e publiku shpallet si ‘gjyq politik’ nuk mbetet më asnjë hapësirë për përgjegjësi morale.
Por ngado ta sjellësh, Kryeministri nuk mund të qëndrojë pafundësisht neutral përpara një zinxhiri të tillë, sepse kur korrupsioni bëhet kaq i përsëritur, ai nuk është më devijim, por model. Dhe modeli, në politikë, është përgjegjësi kryekëput e kryeministrit. Si thosh dikur ai vetë? ‘Korrupton sistemi’.
Ta themi shqeto, nuk është as çështje morale, as ligjore. Në këtë fazë, çdo nisje hetimi është autobiografi e qeverisjes, që nuk mund ta justifikojë dot më as SPAK-un në paaftësinë për t’u marrë me vetë atë. Si do të na e shpjegonte SPAK logjikën se sa më shumë ministra përfundojnë në hetime, paraburgim e burg, aq më i moralshëm e i pastër bëhet Kryeministri?
Dakord, por kjo qeveri është si anija që s’ka më nevojë për stuhi, mjafton pesha e vet për t’u fundosur. Dhe panikun e ndjen dhe vuan jo kush ikën prej saj, por kush është i detyruar të qëndrojë deri në fund për t’u fundosur me të.

