Austri, Kushtetuesja rrëzon zgjedhjen e presidentit
Gjykata Kushtetuese në Austri ka vendosur këtë mëngjes se balotazhi për zgjedhjet presidenciale, i fituar më 22 maj nga kandidati i të gjelbërve, Alexander Van der Bellen, do të anulohet për shkak të parregullësive të verifikuara në operacionin e numërimit.
Gjykata është shprehur pasi ka ekzaminuar apelin e prezantuar nga partia e ekstremit të djathtë, e kandidatit Norbert Hofer, i mundur nga rivali i tij vetëm me një avantazh të lehtë. Votimi i ri do të mbahet në periudhën mes shtatorit dhe tetorit.
Mbrëmjen e 22 majit, Hofer rezultonte në krye kur mungonte pak nga mbyllja e qendrave të votimit, por rezultati final i dalë nga numërimi i votave i dekretoi fitoren Van der Bellen, me një avantazh prej vetëm 30 mijë votash.
Praktikisht, Van der Bellen u bë presidenti i ri i Austrisë me 50.3 për qind të preferencave kundrejt 49.7 për qind të Hofer. Partia e Lirisë, të cilës Hofer i përket, në këtë pikë vendosi të bënte apel duke pretenduar se në shumicën e 117 rretheve elektorale kishte patur shkelje të ligjit.
Para së gjithash, numërimi i votave me korrespondencë nisi para se funksionarët e Komisionit Elektoral të kishin mbërritur. Ndërsa në raste të tjera, në operacionet e hapjes së kutive kishin marrë pjesë persona të paautorizuar.